KLSH: Albpetrol me borxhe, nuk derdhi para në buxhet

Feb 29, 2012 | 11:44
SHPËRNDAJE

Godina e Albpetrol

Zbardhet raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit në kompaninë e naftës.

Paaftësia për mbledhjen e detyrimeve, borxhi 164 milionë lekë.

Kompania e vetme shtetërore e prodhimit dhe nxjerrjes së naftës në vend mbart me vete vite të tëra të mbushura me borxhe dhe paaftësi për t’u menaxhuar. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah problemet që shfaq kjo kompani që nga mosderdhja e dividendit në buxhet për disa vite me radhë e deri te zinxhiri i borxheve që kompani të tjera i kanë asaj, duke e vënë në vështirësi financiare. Kjo situatë “nxin” në një farë mënyre imazhin e një kompanie, që cilësohet sot gati për një privatizim strategjik që do të zërë vend shumë shpejt. Po cilat janë problematikat që evidenton KLSH në raportin e tij dhe si vlerësohet ky dëm.
Raporti i KLSH
“Në zbatim të pikës 1, të programit të kontrollit nr. 312/1, datë 27.07.2011, për zbatimin e rekomandimeve të lëna në kontrollin e mëparshëm, nga verifikimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion, u konstatua se: Gjatë periudhës së kontrollit, njoftohemi se është likuiduar dividendi i prapambetur i shoqërisë Albpetrol Patos për vitet 2007, 2008, 2009 në shumën totale 147, 962,723 lekë. Dividendi është derdhur në datën 05.08.2011 në numrin e llogarisë N0=E01-11000068642”, thuhet në raportin e KLSH. Pra, rezulton që për tri vite rresht kompania të mos ketë derdhur asnjë lek në buxhetin e shtetit, ashtu sikurse e ka detyrim. Dividendi i katër viteve bashkë është depozituar vetëm në maj të vitit të kaluar nga kompania. Kjo e fundit duket se ka injoruar në mënyrë të vazhdueshme edhe kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për të paguar këtë dividend, që në fakt rezulton të ketë qenë më i lartë nga sa është paguar, të paktën sipas raportit të KLSH-së. “Me shkresën nr. 6363/2, datë 02.12.2010 dhe nr. 4791 datë 28.06.2011 te Mete-s i është kërkuar sh.a “Albpetrol” Patos, likuidimi i dividendit të vitit 2007, 2008, dhe 2009, në shumën totale 164,403,025 lekë, likuiduar gjatë periudhës së kontrollit, më datën 05.08.2011″, thuhet në raport.
Zinxhiri i borxheve
Kompania “Albpetrol” është pjesë e një zinxhiri borxhesh. Është borxhlie ndaj shtetit, duke i vonuar për një kohë të gjatë derdhjen e dividendit në buxhet dhe, nga ana tjetër, nuk menaxhon dot marrëdhëniet me kompani të tjera, të cilat e kanë zhytur atë në borxh duke mos i shlyer detyrimet. Një ndër këto kompani është ARMO. “Nga sh.a. ‘Albpetrol’ nuk është derdhur dividendi në vlerën 111,436 mijë lekë, ndërsa sh.a. “ARMO”, përveç mosderdhjes së dividendit të saj në METE, me paaftësinë paguese që i ka krijuar sh.a. “Albpetrol” nga moslikuidimi i faturave të furnizimit me naftë, ka bërë që ky i fundit të mos derdhë dividendin e llogaritur për të”, thuhet në raportin e KLSH.

Privatizimi i kompanisë
Kompania “Albpetrol” pritet që të privatizohet shumë shpejt. Aktualisht projektligji që sanksionon të drejtat dhe detyrimet që do të ketë blerësi strategjik po diskutohet në komisionet parlamentare dhe pritet që shumë shpejt të miratohet në Parlament, në seancën e radhës.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura