Klodian Duro: Nuk jemi euforikë, do t’i ndalim “gjelat”

Aug 31, 2011 | 11:58
SHPËRNDAJE

Mesfushori i Kombëtares, Klodian Duro, beson se kuqezinjtë mund të ndalin Francën e Blankut. Ai kujton takime të bukura që Shqipëria ka bërë në fushën e vet, ndaj gjykon se barazimi do të ishte më se i realizueshëm. “Franca hyn te skuadrat më elitare në arenën botërore, prandaj për ne është sa e rëndësishme, aq edhe e vështirë që të përballemi me një kundërshtar të tillë. Gjithsesi, e shkuara ka treguar se Kombëtarja ka zhvilluar ndeshje mjaft të mira ndaj skuadrave të forta e me nivel. Kujtoj këtu Portugalinë, Holandën, Greqinë, Rusinë, e në këtë mes nuk bën përjashtim as Franca. Thënë kjo, gjykoj që ne duhet të shikojmë më shumë lojën tonë dhe nëse luajmë me kujdes dhe bashkëpunojmë mirë me njëri-tjetrin, diferencat në fushë nuk do të ndihen”, ka thënë fillimisht mesfushori kuqezi. Më tej, Duro ka pohuar se nuk do të ishte çudi dhe nuk mund të quhet euforike nëse thuhet se kjo Shqipëri mund ta ndalë ekipin e Blankut. “Unë nuk do ta konsideroja eufori, nëse do të mendonim që ndaj Francës mund edhe të marrim ndonjë rezultat pozitiv. Çdo skuadër do të bëjë më të mirën për të marrë maksimalen në një ndeshje, pavarësisht kundërshtarit, ndaj nuk është çudi që edhe ne të marrim rezultat ndaj tyre. Ndërkaq, nëse sot për sot do më pyesnin nëse do firmosja për një barazim, atëherë e them me bindje të plotë ‘po’, ia vlen të firmosësh edhe për barazimin, pasi edhe një pikë është rezultat i pranueshëm”, ka përfunduar Duro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura