Klinton nesër në Tiranë, axhenda ende e pakonfirmuar

Oct 31, 2012 | 11:48
SHPËRNDAJE
Hilari Klinton

Axhenda disaorëshe e vizitës në Tiranë të sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Klinton, do të definohet vetëm gjatë ditës së sotme. Burime zyrtare bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se gjatë këtyre ditëve janë zhvilluar disa takime mes zyrtarëve shqiptare dhe përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane, por ende nuk janë caktuar përfundimisht oraret. Paraprakisht bëhet e ditur se janë të konfirmuara takimet me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha dhe një fjalim në Parlament, ndërkohë që është përfolur edhe një takim me kreun e PS-së, Edi Rama, por ende i pakonfirmuar. Gjatë ditës së sotme do të përcaktohen të gjitha detajet e vizitës, që nga mbërritja në Aeroportin e Rinasit deri në largimin e sekretares Amerikane të Shtetit për në Kroaci.
Takimi në Sarajevë
Dje, sekretarja Aamerikane e Shtetit, Hillary Klinton, ka  vazhduar turin e saj në Sarajevë, e shoqëruar nga homologia e BE, Katherine Ashton. Klinton është pritur fillimisht nga ministri i Jashtëm Zllatko Llagumxhija, ndërsa më vonë, bashkë me Ashton, është takuar me liderët e presidencës trepalëshe. Gjatë një konferencë me Presidentin boshnjak, Tomislav Nikoliç, sekretarja e Shtetit amerikan, Hillary Klinton, deklaroi se “Është e papranueshme që 17 vjet pasi kanë përfunduar, luftërat vazhdojnë. Disa pikëpyetje që vënë në pikëpyetje integritetin e Bosnjës, që rrezikonte qëllimin e integrimit, ‘Marrëveshja e Dejtonit’, kjo Marrëveshje duhet respektuar. Për të çuar përpara reformat nuk i takon BE dhe SHBA, por popujve dhe liderëve të Bosnjës. Siç e kam dërguar mesazhin tim në takimet e sotme në Bosnjë, kjo e ardhme duhet të realizohet nga ju”. Klinton theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë një Bosnjë të qëndrueshme dhe se të rinjtë boshnjakë meritojnë një të ardhme më të mirë. “SHBA ndan me BE një vizion të përbashkët, për një Bosnjë të qëndrueshme, të sigurt. Të rinjtë e Bosnjës e Hercegovinës meritojnë një të ardhme më të mirë”, tha Klinton.

Klinton dhe Ashton në Prishtinë
Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Klinton dhe përfaqësuesja e homologia e saj në BE, Catherine Ashton, kanë mbërritur dje në mbrëmje në Prishtinë. Në Aeroportin e Prishtinës, shefja e diplomacisë amerikane dhe ajo e diplomacisë europiane janë pritur nga Presidentja Atifete Jahjaga dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Të martën mbrëma, përveç njoftimeve se Klinton e Ashton do të qëndrojnë në Kosovë, nuk janë dhënë shpjegime të tjera nga Ambasada Amerikane dhe Zyra e BE-së, ndërkohë që për të mërkurën është paralajmëruar takimi me Presidenten Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura