Kitaristi i grupit “Guns N’Roses”, koncert “live” në Tiranë

May 23, 2011 | 9:39
SHPËRNDAJE
Kitaristi, Duff McKagan

Hitet e mirënjohura të bandës “Guns N’Roses” do të vijnë në Tiranë më 1 qershor nga Duff McKagan. Kitaristi dhe këngëtari rock i njohur në gjithë botën, në turin e tij me “Duff McKagan’s Loaded”, për gjithë fansat e muzikës rock do të sjellë në stadiumin “Qemal Stafa” një atmosferë të munguar prej kohësh në kryeqytet. Së bashku me tre anëtarët e tjerë të bandës, Mike Squires, Jeff Rouse dhe Isaac Carpenter, do të prezantojnë përveç hiteve të tyre, edhe këngë nga albumi i tyre i fundit i dalë këtë fillimvit, “The Taking”. Duff McKagan, kitarist dhe këngëtar prej 12 vjetësh i bandës “Guns N’Roses, do të interpretojë edhe këngë nga kjo bandë, si të mirënjohurat “Paradise city” , “So Fine”, “Sweetchild O’Mine “ etj. Duff McKagan është një nga emrat më të shquar të muzikës rock në Amerikë. Ai ka një karrierë si muzikant prej 32 vjetësh dhe ka interpretuar me artistë të mëdhenj të këtyre tri dekadave. McKagan nisi të luante në skenat e Seattle qysh në vitin 1979. Së bashku me Slash dhe Steven Adler, në vitin 1985 u bashkuan në grupin “Guns N Roses”, i cili ishte themeluar nga këngëtari Axl Rose dhe kitaristi Izzy Stradlin. Suksesi me këtë bandë ishte i padiskutueshëm. Miliona disqe të shitura në gjithë botën dhe performanca ‘live’ në skena madhështore të pakrahasueshme. Karriera e tij vazhdoi suksesshëm edhe pas ndarjes së bandës, prej së cilës Duff u largua në vitin 1997. Në vitin 2000, McKagan formoi grupin “Loaded”, ku vetë ishte këngëtar dhe kitarist, baterist Geoff Reading, kitarist Mike Squires dhe basist Jeff Rouse. Albumi i parë i tyre doli në vitin 2001 me titull “Dark Days”. Në vitin 2002 prezantohet me grupet “Velvet Revolver”, “Loaded”, dhe “Jane’s Addiction”. Në vitin 2002 deri në 2008, McKagan themeloi dhe punoi me supergrupin “Velvet Revolver” me artistët e bandës “Guns N ‘Roses”, Slash dhe Matt Sorum, si dhe kitaristin Dave Kushner i “Loaded”. McKagan pas ribashkimit në grupin “Loaded”, me Mike Squires dhe Jess Rouse. hodhën në treg albumin “EP Wasted Heare” dhe në po të njëjtin vit (2009) nxorën albumin e dytë “Sick”. Në vitin 2011 McKagan me “Loaded” u rikthye në studio për të lançuar albumin e tretë të tyre, “The Taking”. Një dokumentar për albumin dhe bandën u realizua në po të njëjtin vit nga regjisori Jamie Burton Chamberlin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura