“Kishte humor, për të gjithë aktorët krijonte bejte”- Homazhet, Luftar Paja: Si e kam njohur Marika Kallamatën

Dec 24, 2019 | 20:39
SHPËRNDAJE

Mbi skenën e arTurbinës bie velloja e trishtimit, kolegët përcjellin një nga aktoret më të dashura. Marika Kallamata, e përjetësuar në hollin e këtij teatri, përmes imazhit të “Intrigë dhe dashuri”, ku luan në krah të Sandër Prosit, nuk interpretoi asnjëherë në këtë skenë, edhe pse aty nderohet dhe i bëhen homazhet.

Fustani me të cilin interpretoi në dramën e Shilerit është ekspozuar për të pranishmit, duke i çuar afro 6 dekada pas, kur artistja interpretonte në të ashtuquajturin Teatër Popullor. Roza Anagnosti reflekton melankoli në portretin e saj gjatë ceremonisë, ndërsa Tinka Kurti nuk i përmban dot lotët. Janë aty edhe të tjerë mjeshtër të skenës, si Luftar Paja, Ndriçim Xhepa apo Robert Ndrenika… aktorët i ka bashkuar dhimbja. “Marika Kallamata ishte nga ato artiste, që rrallë i vijnë më kombit tonë…

79965096_2701172596656938_2185583787486740480_n

Ajo diti të jetë një artiste e madhe, edhe pse me role të vogla. Këto role episodike që artistët hera herës i përbuzin, ajo i luajti me pasion dhe falë talentit që e karakterizonte, i bëri të padallueshme nga rolet kryesore”, thotë Paja. Njohja e aktorit me Kallamatën e ka zanafillën në qytetin e tyre, Fier, përpos kësaj nuk kanë munguar as bashkëpunimet. “Kam pas fatin të luaj te filmi ‘Ëndërr për një karrige’. Ishte serioze dhe shumë punëtore. E merrte me shumë seriozitet rolin që do të luante. Prandaj them se këta artistë si Marika, rrallë se do t’i vijnë kombit tonë”.

Për aktoren që interpretoi më shumë se 60 role në teatër, të tjera në kinema e që me atë ngrohtësinë e zërit të saj rrëfente pasditeve përralla për vogëlushët, lënia në hije nuk ishte ajo që duhej. “Është një sëmundje e përhershme për artistët, që pas daljes në pension nis edhe një mungesë vëmendjeje. Por sido që të jetë, Marika me Margarita Xhepën e Tina Kurtin, edhe në vitet e fundit luajtën te ‘Streha e të harruarve’”, shton aktori. Paja tregon se Kallamata, krahas talentit, me humorin e saj gjatë provave arrinte të krijonte një atmosferë të ngrohtë në Teatrin Kombëtar dhe për kolegët pa bërë dallime krijonte nga një bejte”. Ishte kripa e gjellës në Teatrin Kombëtar.

Prandaj, mendoj se pavarësisht vlerësimit të artdashësve, edhe instancat duhet që të tregojnë kujdes për këta njerëz me vlera, të cilët kanë dhënë më shumë se gjysmë shekulli e që kanë hedhë themelet në artin shqiptar”, shton mjeshtri i skenës.

80875533_1022123848143259_9027820200182939648_n 80781468_3312750975432941_548435296128073728_n 80435891_586761305451999_2407921664441450496_n 80428986_451140455769888_982026963512197120_n 80365772_2498394073735414_3480374641770364928_n 80288160_463304801252782_4590176409892159488_n 80195999_442338736678262_2360486963292667904_n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura