Këshilltari amerikan: Si më shpallën “Non ngrata” në 1996, më kërcënuan me arrest

May 19, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Edhe pse këshilltari amerikan ushtarak e vlerësonte ministrin shqiptar të Mbrojtjes si një njeri “të mrekullueshëm”, ky i fundit ishte i pakënaqur me të dërguarin e Amerikës, Denny Lane, sidomos pas vërejtjeve të herëpashershme dhe qëndrimit mbi zgjedhjet e 26 majit 1996.

Gjeneral Perlat Sula dhe Denny Lane, 8 nëntor 1995
Gjeneral Perlat Sula dhe Denny Lane, 8 nëntor 1995

Në raportin e Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI- International Republic Institute) mbi zgjedhjet e 26 majit, thuhet se janë vërejtur “parregullsi” në zgjedhje, të cilat e bëjnë të kundërshtueshëm të gjithë procesin zgjedhor.

Safet Zhulali kishte filluar të dyshonte se Lane i mbante të fshehta, se këshillat e tij dukeshin sikur vinin nga “opozita” dhe se për gjëra të rëndësishme raportonte direkt në Uashington dhe jo më tek ai. Kjo valë dyshimesh do të çonte deri në kërkesën për largimin e Lane nga Shqipëria.

Historia e të dërguarit të Pentagonit, pranë ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, në vitin 1995-1996, përplasjet me të dhe largimi gati me dhunë nga Shqipëria, zbardhen për të parën herë në librin “Këshilltari amerikan ‘non grata’ në Tiranë”, me autor gazetarin Ylli Molla, botim i shtëpisë botuese “Botart”.

Përmes raportesh të nënshkruara nga vetë Lane, vjen situata e nxehtë e Shqipërisë së ’96-s, pak para rënies së firmave piramidale dhe shpërthimit të protestave të përgjakshme të 1997-s. Sipas autorit të librit, pas disa përplasjesh me ministrin e Mbrojtjes, ky i fundit, “duke shfrytëzuar vizitën në SHBA, i kërkoi dhelpërisht homologut Perri “zëvendësimin” e zbuluesit Lane me një këshilltar special të Forcave Ajrore, ngaqë të tilla ishin “nevojat” në Ministrinë tonë të Mbrojtjes!

Me t’u kthyer në Tiranë, thirri atasheun ushtarak të SHBA-ve, Foks dhe i dorëzoi notën, ku theksonte mosaprovimin e qëndrimit të mëtejshëm të këshilltarit Lane dhe largimin para kohe të tij. Pas kësaj, në dhjetor 1996, Denny Lane u largua nga Shqipëria”.

Përmes një raporti me nr. 173, përfshirë në librin “Këshilltari amerikan “non grata” në Tiranë”, Lane na tregon ditën e tij të fundit në Tiranë, ceremoninë farsë të ministrit Zhulali, përplasjen e tij të fundit me të për shkak të një interpretimi të gabuar të fjalës së tij nga ana e përkthyesit, si dhe ultimatumin e dorëzimit të fletëhyrjes me kërcënimin se, nëse do të hynte në territorin e Ministrisë së Mbrojtjes, do të arrestohej.

RAPORT 173
DITËT E FUNDIT – III

Në këtë raport janë përmbledhur marrëdhëniet e mia me ministrin Zhulali gjatë javës sime të fundit në Ministrinë e Mbrojtjes. Nga mesi i nëntorit, nëpërmjet asistentit tim nënkolonel Asllanit, informova ministrin Zhulali se nuk e kisha parë ministrin që kur ai ishte kthyer nga vizita e tij në Uashington deri kur u organizua “pritja” për mua, më 26 nëntor 1996 dhe se po përgatitesha për t’u larguar nga Shqipëria më 3 dhjetor 1996.

Dëgjova se ministri kishte propozuar një kafe apo drekë të vogël para largimit tim. Megjithatë, vetëm në mëngjesin e 25 nëntorit më informuan se ministri dëshironte të organizonte një ceremoni përcjelljeje për mua. Më 26 nëntor, ora 09:00, takova menjëherë shefin e kabinetit të ministrit, z. Tomorr Shehu, dhe i them se në Ushtrinë amerikane kur të përzënë nga puna, nuk të organizojnë ceremoni përcjelljeje, ndaj dhe ministri nuk ka përse të bëjë një të tillë për mua dhe se unë nuk synoj që të marr pjesë në këtë ceremoni. Disa orë më vonë u informova se, në qoftë se unë nuk do të merrja pjesë në këtë ceremoni, do të dëbohesha nga Shqipëria brenda 24 orëve. Nga biseda me Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe Komandën Amerikane për Europën në Shtutgart u gjykua që do të ishte më mirë që të merrja pjesë në këtë ceremoni.

Duke menduar se me siguri do të thosha diçka në këtë ceremoni, kalova një natë pa gjumë vetëm duke menduar mbi komentet që mund të bëja pa irrituar ministrin. Takimi u zhvillua në sallën e mbledhjeve të Shtabit të Përgjithshëm. Merrnin pjesë disa gjeneralë, oficerë nga MM dhe SHP, anëtarë të ekipit amerikan në MM dhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Ministri në fjalën e tij listoi një sërë suksesesh dhe arritjesh në punën time si Këshilltar Ushtarak dhe ma kaloi fjalën mua. Unë falënderova ministrin, ekipin e Ministrisë, Shtabin e Përgjithshëm dhe nënkolonel Haxhi Asllanin për bashkëpunimin dhe kohën që ata më kushtuan mua dhe theksova se po lë mbrapa shumë shokë dhe miq nga Shqipëria dhe FARSH në veçanti.

Përfundova fjalën time me një thënie të shkurtër se në ditët e para të ardhjes në Shqipëri vizitova një batalion këmbësorie në Fier dhe para tyre theksova se ajo që kam thënë në ditën e parë të vizitës sime në këtë batalion, i cili merrte pjesë në një stërvitje po në këtë zonë, se anëtari më i rëndësishëm i çdo ushtrie është ushtari privat dhe se çdo transformim që do të ndodhë me Ushtrinë shqiptare, ajo duhet të mbetet mirëfilli Ushtri Shqiptare dhe jo kopje e të tjerëve.

Ministri u ngrit në këmbë dhe me një ton ndryshe tha se nuk ishte dakord me perceptimet e mia. Nuk është e vërtetë se nuk janë bërë ndryshime në Ushtrinë shqiptare që me ardhjen e Këshilltarit Ushtarak. Kjo më befasoi mua, pasi unë kurrë nuk kam thënë se nuk janë bërë ndryshime në Ushtrinë shqiptare. Ajo çfarë unë vlerësova në moment, dhe këtë e dëshmuan më vonë dhe anëtarët e Ekipit të Koordinimit Ushtarak Amerikan, të cilët ishin në takim, është fakti se përkthyesi i ministrit, nënkolonel Binaj, keqinterpretoi në përkthim komentin tim dhe paraqiti fjalët se nuk janë bërë ndryshime në Ushtrinë Shqiptare që me ardhjen time.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali
Ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali

Kur unë u përpoqa të gjej një fjalë për të provuar keqkuptimin në atë që unë në të vërtetë thashë, ishte shumë vonë, pasi tashmë dëmi ishte bërë. Mbas ceremonisë kthehem në zyrën time dhe vjen kolonel Akil Bubsi, përgjegjësi i Ekipit Koordinator Amerikan në MM dhe më thotë se i kishte pëlqyer shumë takimi dhe se çdo gjë shkoi perfekt fare.

Vetëm pak më vonë, nënkolonel Asllani thirret nga ministri dhe informohet se darka e planifikuar me ministrin atë natë (për të cilën unë nuk dija gjë) ishte anuluar. Mësova se ministri kishte thirrur në takim dhe Atasheun Ushtarak Amerikan, Denny Fox, ku i kishte folur për pakënaqësitë e tij ndaj meje.

Pas njoftimit se Këshilltari Ushtarak ishte zëvendësuar, fillova të lëviz materialet e mia nga zyra. Në mëngjesin e ditës tjetër, nënkolonel Asllani thirret përsëri nga ministri dhe nëpërmjet tij urdhërohem që të dilja nga zyra brenda orës 13:00 të asaj dite dhe se duhej të dorëzoja çelësin e zyrës dhe dokumentin e hyrjes në MM brenda po kësaj ore.

Për 30 minuta lëviza nga zyra, duke marrë laptopin dhe çdo gjë tjetër timen me nxitim. Meqë kisha disa punë për të përfunduar, mora nga zyra dhe kompjuterin e tavolinës për të punuar në shtëpi (ky kompjuter ishte siguruar nga Korpusi C2 USA, nga i cili unë varesha për punën time).

Preva në katër copa dokumentin e hyrjes dhe ia dhashë nënkolonel Asllanit për t’ia dorëzuar ministrit, sipas porosisë së tij. Dokumentin e copëtova për arsye sigurie personale, askujt nuk duhej t’i hynte më në punë ai dokument. Ministri irritohet për dokumentin e grisur dhe urdhëron që të ngjisja dokumentin dhe të ktheja menjëherë kompjuterin e tavolinës në zyrë.

Nënkolonel Asllani do të largohej për disa ditë me pushime të planifikuara, por ministri e anuloi këtë dhe kishte urdhëruar që nënkolonel Asllani të më shoqëronte mua deri në momentin e largimit nga Shqipëria. Lidhur me kompjuterin dhe dokumentin e hyrjes, pa revoltë ngjita dokumentin e hyrjes dhe ia dërguam ministrit.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Për kompjuterin informova ministrin se ai i përkiste Korpusit C2 dhe jo Ministrisë së Mbrojtjes. Shqetësimi i ministrit ishte se ndoshta në shtëpi, gjatë natës, nga kompjuteri unë do të dërgoja informacione në SHBA dhe në Shtutgart, që në fakt nuk është fare e vërtetë. Kjo provohet dhe me faktin që në shtëpinë time nuk kishte linjë interneti dhe linjë telefoni që të mundësonte një dyshim të tillë.

Megjithatë, unë e pastrova kompjuterin dhe e dorëzova atë tek Atasheu Ushtarak Amerikan në Tiranë, nënkolonel Deni Fox. U shoqërova për në Durrës nga nënkolonel Asllani dhe familja e tij, si dhe shoferi im Bashkimi. Në Portin e Durrësit takohem me nënkolonel Dhimitër Binajn, drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë dhe përkthyes i ministrit; kolonel Saimir Kodra, shef i Shërbimit Sekret Ushtarak dhe nga shefi i Protokollit të ministrit. Të gjithë dukeshin të shqetësuar për atë çfarë më kishte ndodhur dhe vetë z. Kodra e shprehu këtë.

Para hipjes në traget, ulemi në kafeterinë e portit ku takojmë gjeneral Perlat Sulën, i cili kishte ardhur me transport publik për përcjelljen time. Pastaj nënkolonel Asllani e mori atë me makinën e tyre për në Tiranë. Sula ishte një oficer i shkëlqyer, i cili si shumë të tjerë ka shërbyer në Ushtrinë shqiptare më së miri. Kur trageti u nis për në Ankona, ndjeva një keqardhje për largimin, një ndjenjë të tillë kam pasur në ditën kur u largova nga Vietnami.

Koment: Në fakt opinioni im është se që nga dita kur unë kam ardhur në Shqipëri, FARSH kanë pësuar ndryshime pozitive dhe unë jam ndjerë shumë mirë në marrëdhëniet me të gjithë. Fatkeqësisht dhe kjo lidhur vetëm me mua, nga dhjetori 1995 gjërat u zhvilluan në sensin negativ. Centralizimi i autoritetit ishte një ndër më kryesorët që shkatërronte moralin e njerëzve dhe që lidhet direkt me nepotizmin dhe korrupsionin dhe që unë për këtë jo vetëm këshilloja, por shprehja dhe qëndrimin tim të hapur.

Edhe sot jam i shqetësuar nga ajo që ndodhi me ministrin, i cili mbajti këtë qëndrim me mua. Mund të them se një ndër arsyet që SHBA nuk siguroi ndonjë ndihmë financiare për FARSH lidhet direkt me qëndrimin ndaj meje dhe dëbimin tim si KU në FARSH. Ndodhën shumë gjëra të panevojshme pas takimit më vonë dhe ato që më shqetësuan më shumë ishin: së pari, në fund të pritjes së organizuar për mua ministri i Mbrojtjes më dhuroi një pjatë bronzi, bashkë me kartëvizitën e tij.

Në MM ndodhen të afishuara dhuratat me llojet e tyre të renditura, sipas rëndësisë dhe pjata e bronzit është e fundit në këtë renditje. Mendoj se kjo ishte bërë për të më shqetësuar më shumë (i them ministrit, nëpërmjet shefit të Kabinetit, se nuk desha asgjë nga ministri). Së dyti, Policia Ushtarake dhe rojet e godinës së Ministrisë së Mbrojtjes ishin urdhëruar që të mos na lejonin as mua e as djalin tim të hynim në MM dhe në qoftë se do të tentonim të hynim, të na arrestonin.

Djali im 13-vjeçar, që sapo ishte kthyer nga shkolla dhe kishte ardhur në sheshin para godinës së MM-së për të më takuar, nuk u lejua të hynte as në shesh. Duke mos ditur se çfarë kishte ndodhur, ai u befasua shumë nga kjo sjellje. Nga ky moment, rojet dhe Policia Ushtarake takuan nënkolonel Asllanin dhe iu lutën që mundësisht KU dhe djali i tij të mos vinin në MM, pasi kishin urdhër për të mos i lejuar dhe se ata vetë ndiheshin shumë keq dhe nuk dëshironin të ndodheshin në pozitë të vështirë.

Megjithatë, sa herë që pata rastin të kaloj pranë MM (pasi godina e MM-së ndodhet në anë të bulevardit kryesor) rojet dhe policia ushtarake më përshëndesnin duke tundur dorën. Disa komente që ministri bëri pas fjalës sime në ceremoninë e zhvilluar, dukej që ishin të çuditshme. Në fund të fjalës sime falënderova nënkolonel Asllanin për mbështetjen që më ka bërë për dy vjet gjatë punës sime në MM, si ndihmësi im, si dhe për tolerancën e tij ndaj veseve dhe tekave të mia.

Ministri menjëherë më adresoi pyetjen se: Meqë tani ju largoheni, ku mendoni se mund të emërohet nënkolonel Asllani? Dhe përgjigjja ime ishte e menjëhershme: Atashe Ushtarak në Uashington. Kjo përgjigje e gjeti ministrin fare të papërgatitur dhe tha se sigurisht kjo është e mundur, por së pari ai duhet të shkojë në Peshkopi dhe të punojë për disa vite si komandant batalioni, që të marrë gradën e kolonelit, pasi me gradën nënkolonel nuk mund të jesh atashe ushtarak.

Në fakt, detyra e komandantit të batalionit nuk është kusht për të marrë gradën e kolonelit, pastaj unë pashë në praktikat e punës së ministrit që shumë gradime ishin bërë për shumë vetë sipas dëshirës, pa marrë në konsideratë asnjë kualifikim apo aftësi e cilësi të tjera.

Ministri në fjalën e tij e vuri theksin tek uniformat për ushtrinë dhe pjesëmarrja sa më e gjerë në programet e gjuhës angleze, rritjen e rrogave dhe sa do të jenë fondet shtesë për përmirësimin e infrastrukturës. Asgjë nuk u tha për stërvitjen, që në fakt ishte ndërprerë shumë herët këtë vit. Për infrastrukturën kisha dëgjuar dhe më përpara, por besoj se nuk kishte gjë në themel për këtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura