Kërkimi në Bioteknologji dhe Gjenetikë, akademikët kërkojnë rritje të investimeve. Nga mungesat në infrastrukturë te nevoja e ndryshimeve ligjore…

Sep 23, 2020 | 14:02
SHPËRNDAJE

Sulecebe shkencaForumi u organizua në kuadrin e veprimtarive të programuara pas ngritjes së Njësisë në muajin shkurt të këtij viti. Në këtë veprimtari morën pjesë: kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, nënkryetari i Akademisëm Vasil Tole, sekretari i Akademisë së Shkencave, Shaban Sinani, kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, akademik Neki Frashëri, drejtues të universiteteve dhe institucioneve të tjera kërkimore shkencore, kërkues shkencorë të fushave të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës si dhe të ftuar të tjerë.

Veprimtaria u përshëndet nga kreu i ASH-së. Në fjalën e tij përshëndetëse, Gjinushi theksoi rëndësinë e ngritjes së Njësisë dhe të rolit të saj në organizimin, nxitjen dhe koordinimin e veprimtarisë shkencore të grupeve apo institucioneve të ndryshme në fushat e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, edhe pse vështirësitë janë të shumta.

Ai shtoi se pavarësisht nga vështirësitë, vendit tonë nuk i mungojnë njerëzit dhe kërkuesit e talentuar, që punojnë në institucione të ndryshme, veprimtaria e të cilëve duhet më mirë të koordinohet, të rritet efikasiteti i punës së tyre nëpërmjet shfrytëzimit më të mirë të të gjitha mundësive që ofrohen. Nga ana tjetër, duhet të kuptohet mirë rëndësia dhe nevoja e investimeve në fushën e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës. Në këtë kuptim, u theksua gjithashtu mbështetja e vazhdueshme e Akademisë së Shkencave për arritjen e qëllimit të përbashkët të zhvillimit shkencor.

Forumi u përshëndet edhe nga bashkëdrejtuesja e Njësisë së Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, Efigjeni Kongjika, në pamundësi për të marrë pjesë drejtpërdrejt në forum. Akademikja, në fjalën e saj, theksoi se pavarësisht rezultateve të deritanishme të grupeve kërkimore, ka vend për të kërkuar rezultate madhore.

Kjo, sipas saj, mund të bëhet edhe përmes kalimit të produktit bioteknologjik, të krijuar nga projektet deri më tani në një shkallë më të gjerë, duke stimuluar bizneset në tregun e brendshëm, atë rajonal apo edhe më tej. Pra, diskutimi evidentoi faktin se krijimi i rrjeteve dhe ngritja e qendrave elitare janë mjete që do të mundësonin vazhdimin e punës me një frymë konkurrence, pse jo edhe me vendet më të zhvilluara të rajonit.

Akademia e Shkencave

“NGËRÇET” E KËRKIMEVE SHKENCORE

Krahas diskutimeve në lidhje me problemet e mësipërme, gjatë forumit u paraqitën edhe rezultate të punimeve shkencore në fushat përkatëse.

Në diskutimet e pjesëmarrësve u evidentua qartë fakti se pavarësisht nga vështirësitë e shumta në disa raste, ka një rritje cilësore të infrastrukturës laboratorike, e bazuar kjo veçanërisht në projektet e bashkëpunimit me institucione të ndryshme ndërkombëtare. Kjo ka ndikuar edhe në përmirësimin e cilësisë së disa punimeve kërkimore.

Sigurisht, kjo është e pamjaftueshme, prandaj u theksua kërkesa për rritje të investimeve në infrastrukturë. Nga ana tjetër u tha se duhet shfrytëzuar më mirë infrastruktura ekzistuese, pasi ende kemi rendimente të ulëta shfrytëzimi. Në shumë raste, si rezultat i shkëmbimeve me jashtë, rezultoi nga punimet e paraqitura se ka një rritje të cilësisë së përgatitjes teorike dhe praktike të stafit, por që puna kërkimore e tij nuk ka ende ritmet e kërkuara.

Nga ana tjetër, u vunë në dukje mjaft raste të bashkëpunimeve të frytshme midis kërkuesve apo grupeve kërkimore brenda vendit, por që janë ende të pakta. Po kështu, edhe në lidhje me bashkëpunimet me institucione apo grupe kërkimore jashtë vendit, niveli i të cilave duhet shumëfishuar dhe duhet përfituar më mirë.

Disa kërkues paraqiten dhe mundësi të realizimit të projekteve pilote me bashkëpunim të grupeve kërkimore në rrjete të propozuara të institucioneve të ndryshme, universitete apo institute shkencore. Në disa raste të tjera u theksuan edhe probleme të ndryshimeve ligjore, të cilat rregullojnë aspekte të ndryshme të punës kërkimore shkencore të lidhura këto me problemet e investimeve, patentimeve, akreditimit të laboratorëve kërkimore apo edhe elementëve të tjerë.

Organet dhe institucionet e ndryshme shtetërore duhet të dëgjojnë më shumë zërin dhe mendimin shkencor të studiuesve tanë. Gjithashtu, duke pasur parasysh punën e rëndësishme që kryhet edhe në përgatitjen studimeve në nivelin e doktoratave u tërhoq vëmendja në zgjidhjen ligjore të organizimit të tyre.

Me evidentimin e problemeve të mësipërme, pas marrjes së një informacioni të vlefshëm mbi gjendjen e zhvillimit në fusha të ndryshme të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, sipas objektivave të përcaktuara dhe sipas punës së planifikuar, njësia do të zhvillojë vitin e ardhshëm një konferencë shkencore me pjesëmarrje të kërkuesve vendas dhe të huaj.

FORUMI ME 25 REFERATE

Gjatë zhvillimit të forumit u paraqitën 25 referate. Studiues të njohur në këto fusha, si akademikët Genc Sulcebe, Ilia Mikerezi, Efigjeni Kongjika, Ilirjan Malollari etj., por edhe kërkues të rinj, u bënë pjesëmarrës aktivë me referimet e tyre dhe debatet gjatë takimit. Diskutimet e pjesëmarrësve u zhvilluan në katër sesione të ndara sipas fushave të ndryshme, të cilat përfshinin: Bioteknologji Mjekësore, Gjenetikë e Popullatave, Bioteknologji Farmaceutike, Bioteknologji Bimore, Bioteknologji ZooVeterinare dhe Akuakulturë, Bioteknologji Ushqimore, Bioteknologji Mjedisore, Biomatematikë dhe Biofizikë.

Forumi mblodhi së bashku në debat kërkues shkencorë të Fakultetit të Mjekësisë, të Departamentit të Farmacisë, Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, të Institutit të Shëndetit Publik, të Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës, fakulteteve të ndryshme të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë, të Universitetit të Sporteve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura