Kërkesa: “Prendi të arrestohet, vrau me dashje Myrtajn”

Jan 31, 2012 | 12:27
SHPËRNDAJE

Ish-komandanti i Gardes, Ndrea Prendi dhe avokati i tij Genc Gjokutaj

Akuza: Kemi procesverbal për fletëdaljen e armës së gjeneralit

Prokuroria apelon masat “arrest shtëpie” për 3 të akuzuarit

TIRANE – Prokuroria e Shkallës së Parë në kryeqytet dorëzoi dje në Gjykatën e Apelit në kryeqytet, kërkesën për caktimin e masës arrest me burg ndaj komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, shoferin e tij Margarit Kume dhe ekspertin e IT në Kryeministri, Armando Kasaj. Tetë ditë pasi Gjykata e Tiranës caktoi masat e sigurisë arrest në shtëpi për tre të akuzuarit e dosjes “21 janari”, Prokuroria kërkoi në Apel rikthimin e tyre në paraburgim. Sipas organit të akuzës, të pandehurit duhet të mbahen në paraburgim për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore dhe mënyrës si e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Argumenti i parë i Prokurorisë në apelim ka qenë se Ndrea Prendi, komandanti i Gardës, i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, e ka kryer krimin me dashje dhe më pas ka fshehur provat duke ndryshuar tytën e armës së tij. Sipas Prokurorisë, këto elemente tregojnë qartë rrezikshmërinë e personit në fjalë dhe po ashtu plotësojnë gjithë kushtet e nevojshme ligjore për të mbajtur në burg gjeneralin. Prokuroria tha nga ana tjetër se në citimin e provave të saj bën pjesë edhe akti i sekuestrimit të fletëdaljes së armës së Ndrea Prendit, dokument i cili u kërkua në Gjykatën e Shkallës së Parë, e cila e la në arrest shtëpie kreun e Gardës. Sa i përket shtetasit Margarit Kume, sipas Prokurorisë, edhe ai duhet të mbahet në gjendjen e arrestit me burg, pasi ka vepruar për të fshehur provat. Kështu, Prokuroria ka pohuar se Margarit Kume, shofer i komandantit të Gardës, ka ndihmuar shefin e tij në përpjekjet për të devijuar hetimet e Prokurorisë. Disa ditë pas 21 janarit, sipas organit të akuzës, shtetasi Margarit Kume i ka dhënë Ndrea Prendit tytën e armës së tij duke vënë në armën e vet tytën me të cilën ishte qëlluar më 21 janar, e lënë të vdekur protestuesin Faik Myrtaj. Sipas Prokurorisë, në oborrin e Kryeministrisë në anën veriore të tij janë gjetur njëmbëdhjetë gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë qitur nga arma e zjarrit tip “Beretta” e kalibrit 9 mm dhe me numër P 52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi). Ai ka qëlluar disa herë në drejtim të turmës së protestuesve, ndërsa Prokuroria thekson se 4 predha janë gjetur në zyrat e UNHCR përballë Kryeministrisë dhe një predhë është gjetur në trupin e Faik Myrtajt. Prokuroria theksoi se edhe shtetasi Margarit Kume ka kryer haptazi veprime për t’iu shmangur hetimit, ndaj masa e sigurisë e përshtatshme për këtë person është ajo e arrestit me burg. Sa i përket punonjësit të Kryeministrisë Armando Kasaj, Prokuroria theksoi se ai ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe ka dëmtuar provat që do të ndihmonin hetimin e 21 janarit. Në këto rrethana, sipas Prokurorisë, rrezikshmëria e këtij personi është shumë e lartë dhe mundësia e prishjes së provave prej tij është prezente. Ekspertiza e kryer serverit të Kryeministrisë ka gjetur se në server janë kryer ndërhyrje në datë 21 janar 2011 ora 12:14, datë 22 janar 2011, ora 00:51:52 (pas mesnatës së 21 janarit), datë 28 janar 2011, ora 12:10. Ndërhyrjet me kopjim dhe fshirje të regjistrimeve të 11 kamerave të vëzhgimit të Kryeministrisë dyshohet se i ka kryer Armando Kasaj.

Prokuroria do të marrë deklarimet
Pas masave në Apel pritet dëshmia e Ndrea Prendit

TIRANE – Pas përfundimit të seancave të masave të sigurisë në Gjykatën e Apelit, Prokuroria pritet të marrë në pyetje tre të akuzuarit e 21 janarit, Ndrea Prendi, Margarit Kume dhe Armando Kasaj. Atyre u janë kërkuar deklarime edhe gjatë momentit të parë kur u paraqitën në Prokurori më 23 janar, pas zbatimit të urdhrave të lëshuar nga Gjykata e Tiranës, ndërkohë që pritet që tre të pandehurve t’u merren deklarimet procedurale që do të shërbejnë si bazë për qëndrimin e tyre deri në fund të procesit gjyqësor. Prokuroria pritet të fillojë marrjen në pyetje të tre të dyshuarve me komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, i cili është pezulluar nga detyra deri në fund të hetimit. Më 23 janar 2012, gjatë qëndrimit në Prokurori, ai tha se ka qëlluar me armë pasi porta metalike e Kryeministrisë ishte hapur dhe pasi ishte qëlluar me gurë në fytyrë, por të shtënat kanë qenë me drejtim lart dhe jo në drejtim të turmës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura