Këpucët e gjermanit për Policinë

Dec 5, 2020 | 9:14
SHPËRNDAJE

Pellumb nakoPËLLUMB NAKO

Historitë me dhurim kë pucësh nuk po na ndahen që nga Lufta NacionalÇlirimtare kur misionet anglo-amerikane hidhnin nga ajri këpucë për të ndihmuar ushtrinë partizane në luftën e saj kundër pushtuesve të Gjermanisë naziste. Tashmë kanë kaluar rreth 80 vite, kohët kanë ndryshuar dhe anglo-amerikanët prej dekadash janë kthyer në miq e aleatë me gjermanët kurse uria jonë kronike për këpucë nuk ka ndryshuar. Dje, anglo-amerikanët na i dhanë për të luftuar gjermanin, sot gjermani na i dhuroi për të luftuar krimin. Nëse dje propaganda komuniste na thoshte se këpucët e hedhura nga anglo-amerikanët ishin të së njëjtës këmbë apo në numër të madh, këto ditë kur qeveria gjermane dhuroi 200 palë këpucë për Policinë, propaganda qeveritare heshti dhe njoftimin e bëri ambasada. Madje drejtues të lartë as të Policisë e as të Ministrisë nuk ishin të pranishëm në ceremoni. Kur lajmi bëri bujë, dhe me të drejtë, ministri i Brendshëm u detyrua të prononcohet vetë duke e quajtur rastin se “ këpucët janë një episod bashkëpunimi”.

Dhe kjo është e vërtetë. Ky është një bashkëpunim, por shumë më i rëndësishëm nga sa e shprehu ministri dhe ku vlera monetare e dhurimit mbetet në plan të dytë. Ato këpucë të paraqitura në foto me mesazh të qartë ku krahasohet cilësia që kanë sot policët me ato të standardit të kërkuar, nuk tregon thjesht një episod bashkëpunimi siç thotë ministri ynë, por jep një numër pafund mesazhesh, të cilat askush nga qeveria nuk duket se i ka gëlltitur.

Kur qeveria gjermane i dhuroi Policisë së Shtetit plot 22 mjete për të rritur kapacitetet e sigurisë kufitare u tund dheu dhe në ceremoni nuk kishte sesi të mungonte vetë ministri. Përse? Sepse vlera e dhuratës ishte e lartë financiarisht dhe duhej shfrytëzuar nga ministri për të përcjellë mesazhe politike në publik. Ishte pikërisht momenti i duhur për të propaganduar se sa shumë përkushtohet qeveria për të garantuar sigurinë e kufijve dhe sa shumë e beson atë shteti Gjerman, duke dhënë ndihma të tilla në vlerë të madhe.

Ndërkohë dihet që shteti Gjerman është nga më të rëndësishmit në ndihmat ndaj Policisë si direkt edhe indirekt nëpërmjet programeve shumëpalëshe. Kurse në rastin e dhuratës prej 30 mijë eurosh, duket se ministri ose dikush nën nivelin e tij nuk mori pjesë në ceremoni, sepse mesa duket nuk u pa e mundur përcjellja e ndonjë mesazhi me përfitim politik në publik.

Si zakonisht dritëshkurtër, lidershipi i Ministrisë së Brendshme nuk ka mundur të konstatojë me këtë rast se impakti publik i donacionit prej 30 mijë euro për këpucët e policëve do të ishte mjaft me i lartë se ai i 22 mjeteve. Ndaj dhe ambasada nuk heshti dhe bëri publik një donacion prej 30 mijë eurosh në një kohë kur ndihmat e saj kapin miliona. E gjitha kjo, sepse në radhë të parë ky shtet ka respekt për çdo cent të paguar nga taksapaguesit e tij dhe për të ka rëndësia që ato të harxhohen mirë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe për faktin se është simbolika ajo që në rastin e këpucëve kushton në vlerë morale shumë më shumë se në atë materiale.

Mesazhi i Ambasadës Gjermane nëpërmjet njoftimit të saj i shprehu publikut shqiptar simbolikisht se Ministria e Brendshme nuk ndjek politikat e duhura për të menaxhuar paratë e shumta që taksapaguesit japin për ruajtjen e rendit, të sigurisë publike.

Është e thjeshtë të kuptohet se dhurata, e cila u bojkotua nga drejtuesit e lartë të Policisë dhe të Ministrisë nuk ishte e matshme vetëm në vlerën e 30 mijë eurove, por në mesazhin publik që transmetoi, në mënyrën sesi duhet të harxhojë paratë Ministria e Brendshme.

Po ta shihnim me vëmendje, do të dukej pastër që në radhë të parë dhurata demonstroi se nuk duhen shumë para për të bërë gjëra të domosdoshme për të krijuar kushtet e duhura, minimale, për punonjësit e Policisë dhe sidomos të atyre që kanë misione të vështira si reparti të cilit iu bë dhuratë. Po ashtu, ky fakt tregoi qartë se ku duhet filluar investimi i një qeverie serioze për të shënuar arritje në fushën e sigurisë publike në vendin tonë, ku duhen harxhuar fillimisht paratë e taksapaguesve, nëse ekziston vërtet respekt për ta. Pra, gjithçka fillon në krijimin e kushteve të duhura të punës të faktorit njeri. Punonjësi i Policisë nuk është mekanizëm robotik që di dhe duhet t’i bindet eprorit, por ai ka nevojë ulëritëse për kushte pune dinjitoze në përputhje me natyrën njerëzore.

Këpucët e dhuruara i bëjnë thirrje të fortë qeverisë që të shohë cilësinë e prodhimit të veshjeve të Policisë , të heqë dorë nga abuzimet me fondet publike që investohen në Polici. Publiku i gjerë tashmë është bërë me dije para disa kohëve për disa kërkesa të tenderit të veshjeve të Policisë ku në specifikimet e tij u arrit të kërkohet prodhimi i një kapeleje me vlerën 300 euro copa. Pra, fryrje çmimesh pa kufij dhe dy herë më shumë se këpucët e dhuruara nga Gjermania. Në këtë donacion mund të shihet pastër edhe një shuplakë tjetër publike për Ministrinë e Brendshme, e cila e përdor Policinë me orë të stërzgjatura, me vend e pa vend dhe në fund nuk gjen dot paratë e duhura për të paguar orët e sakrificës jashtë orarit të punonjësve kryesisht të roleve të ulëta.

Dhurata tërheq vëmendjen për një organizim dhe menaxhim të personelit policor më efikas në mënyrë që numri i tyre të jetë në raport të drejtë me standardin e pagesës. Kjo do të thotë të mos fryhen organikat e nivelit qendror të Policisë për klientelën aq sa Policia në qendër të marrë përmasa të tilla që detyrohet të paguajë qira të shumta për zyrat e saj. Sikur organika e Policisë në qendër do të ishte më e reduktuar, me paratë e paguara për qiranë e ndërtesave, do të bliheshin këpucë për të ndihmuar ndoshta Policinë gjermane, Ministri thotë se “ nuk mund të mburremi se nuk kemi nevojë për asgjë”. Sigurisht kjo është e drejtë, por nuk do të thotë që të harxhohen para të shumta me politika të gabuara investimesh në siguri që nuk do të thonë domosdoshmërish shkelje ligjore të dënueshme me ligj. Dhe kjo është ngarkesa më e rëndë që peshon sot mbi supet e Policisë në veçanti dhe të shoqërisë së vendit tonë në përgjithësi. Janë politikat e gabuara të investimeve që kanë gëlltitur para të shumta të taksapaguesve që nuk arrijnë të ngrenë dot standarde të qëndrueshme, duke e kthyer Ministrinë e Brendshme në një grykëse fondesh pa rendiment. Shembujt janë të shumtë në këtë drejtim, por për ilustrim harxhimi i miliona eurove për kamerat e trupit të punonjësve të Policisë, të cilat sot rezultojnë në hiç për të ardhur edhe tek autovetura e famshme e ministrit të Brendshëm, e cila do ta mbathte me këpucë repartin special për dhjetëra e qindra vite, nëse ministri do të kishte marrë si mjet pune njërën nga ato mjete, të cilat i dhuroi Policisë Komisioni Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura