KED rendit kandidatët për në krye të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Avokati i Lartë i Shtetit renditet i pari (Emrat)

Dec 16, 2019 | 18:46
SHPËRNDAJE

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Artur Metani është renditur i parë në garën për drejtimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucion i cili pritet të hetojë veprimtarinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

KED-2019-600x349

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i drejtuar nga Ardian Dvorani ka dhënë 89.6 Pikë për Metanin, 10 pikë më shumë se konkurrenti pasardhës.

Në garë janë pesë kandidatë gjithsej, të cilët pak ditë më parë zhvilluan prezantimet e tyre për institucionin e ri të drejtësisë që pritet të ngrihet së shpejti.

Tanimë pritet që Parlamenti të zgjedhë drejtuesin e këtij institucioni që me shumë gjasë do të zgjidhet Artur Metani, duke qenë se është renditur i pari siç ndodhi me garën për kryeprokurorin e Përgjithshëm.

Njoftimi i plotë i KED-së:

Në zbatim të nenit 147/d pika 4 dhe nenit 149/d pika 1 të Kushtetutës, të nenit 199 pika 2, nenit 201 pika 2, nenit 239 dhe nenit 240 të ligjit nr.115/2016, si edhe të dispozitave të aktit nënligjor normativ Vendimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nr. 5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”,

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbledhjen e tij të datës 11.12.2019, ka vendosur fillimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe po në të njëjtën ditë ka realizuar edhe intervistat me kandidatët e lejuar për këtë vend vakant.

Në zbatim të nenit 239 pika 3 të ligjit nr.115/2016, duke vijuar të qëndrojë i mbledhur deri në përfundimin e procesit të vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve, pasi e përfundoi punën e tij për shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga Këshilli në komunikimin me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturës dhe të të dhënave të nxjerra nga intervistat me kandidatët, ditën e sotme, data 16.12.2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Rezultati paraprak i pikëzimit për secilin kandidat të vlerësuar është si më poshtë:

  1. Artur Metani 89.6 Pikë
  2. Eris Hysi 78.3 Pikë
  3. Joana Asimi Sorraj 82.5 Pikë
  4. Lindita Troja 63.4 Pikë
  5. Sokol Stojani 89 Pikë

Krahas procesit të punës për zbardhjen e vendimeve të arsyetuara për vlerësimin dhe pikëzimin e secilit kandidat të lejuar, në zbatim të nenit 239 të ligjit nr.115/2016 dhe të pikave 67-74 të Vendimit nr.5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, do të shqyrtohen dhe miratohen:

  1. a) Lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;
  2. b) Raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, do ti dërgohen Lista Përfundimtare e Renditjes së Kandidatëve dhe Raporti i Arsyetuar i Këshillit ku përmbahet analiza lidhur me plotësimin ose jo të kushteve ligjore të kandidimit nga secilit kandidat në vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedurën e ndjekur në vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, si edhe aktet përkatëse të verifikimit dhe të vlerësimit e pikëzimit për secilin kandidat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura