Kavajë, hajduti qëllon me armë policinë

Apr 30, 2013 | 11:37
SHPËRNDAJE

KAVAJE – Efektivët e Policisë së Kavajës janë përballur me të shtëna arme zjarri gjatë një aksioni në fshatin Luz i Vogël, në zbatim të një plani masash për kapjen e personave në kërkim dhe me armë pa leje. Një 20-vjeçar, tashmë i identifikuar me emrin Nikoll Gjonçaj, i cili është shpallur në kërkim, ka qëlluar me armë drejt efektivëve të rendit, që i bënin thirrje të dorëzohej. Ngjarja ka ndodhur kur efektivët e Policisë së Kavajës kanë ndaluar një furgon tip “Benz”, me targë AA 298 FZ dhe dy personat që ndodheshin në makinë kanë tentuar të ikin. Njëri prej tyre, Roland Koca, 17 vjeç, banues në fshatin Kalivaç të Lezhës, është arrestuar në flagrancë, ndërsa tjetri, Nikoll Gjonçaj, po nga ky fshat, në tentativë për të ikur, ka qëlluar me armë zjarri disa herë në drejtim të forcave të Policisë dhe ka mundur të largohet. Burime nga Policia e Tiranës thanë se nga të shtënat nuk ka pasur asnjë person të plagosur. Ndërsa gjatë kontrollit të furgonit të bllokuar janë gjetur 4 bagëti të imta që ishin vjedhur nga 2 autorët, një dash dhe tre qengja, në pronësi të shtetasit Ramazan Haka. Gjithashtu në automjet është gjetur edhe një sasi bime narkotike Canabis sativa, e paketuar në një qese, me peshë 7.5 gramë, 14 fishekë luftarakë model 56, kalibri 7.62 mm, si dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur edhe 3 gëzhoja model 56 të kalibrit 7.62 mm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura