Katër gratë që nuk e bënë dot të lumtur Albert Kamynë

Oct 11, 2018 | 15:00
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ/ Do të kishte qenë e çuditshme, po aq e rrallë, që një shkrimtar, piktor a artist i përmasave të protagonistit, të kishte qenë i lumtur.

albert kamy

Me apo pa gratë, që në një mënyrë ndryshonin përkohësisht humorin a frymëzimin e artistëve, ata do të ishin njësoj të palumtur. Edhe sikur, ndonjë kurvar nëpër botë të ishte i tillë, nuk do t’i përkiste artit… Albert Kamy, shkrimtari e filozofi francez, nuk është ndjerë kurrë i tillë.

Nuk mjaftuan as katër gratë që lakmonte i gjithë Parisi për ta bërë të ndihej mirë. Gratë që zgjodhi dhe e zgjodhën do të kishin joshur këdo, ishin figura të shquara të kohës për artin në kryeqytetin e botës.

kamy3

Maria Casares ishte ylli i teatrit; Francine Faura, gruaja, një pianiste e shkëlqyer dhe matematiciene; Mette Ivers, një piktore mjaft e suksesshme dhe Caterine Sellers, gjithashtu aktore e famshme. Të katra rrezëllitëse.

Lidhja me to ka qenë në vitet e fundit të jetës, kur dhe fama e tij ishte shpërndarë. Megjithatë, Kamy ishte i palumtur. Në librin e fundit të tij, “Njeriu i parë”, botuar pas vdekjes më 1994 nga e bija, shkrimtari shkruan mes të tjerash: “Dashuroj katër gra njëherësh dhe sërish bëj një jetë boshe…”

Raporti i tij me to nuk ka qenë aspak sekret, të gjithë e dinin e flisnin për bukuroshet që shoqëronin palumturinë e Kamysë. Kur themi katër, është fjala vetëm për të rëndësishmet. Askush nuk do të thoshte dot me saktësi netët fluturake kur përpiqej t’i mbushte me gra të tjera, që u harronte edhe emrin. Megjithatë, kjo nuk është e rrallë për llojin e tij. Biografi i tij, Olivier Todd, shkruan se Kamy kishte një mënyrë interesante për t’i bërë gratë për vete, i zhvishte vetëm përmes shikimit.

kamy

GRUAJA QË FSHIHET PAS ROMANIT “I HUAJI”

Bri filxhanit të çajit, në “Café de Flore”, në tavolinën ku Albert Kamy rrinte mbrëmjeve me miq, Simon vendosi me ngadalë një letër. E vështroi në sy, duke i shtrënguar ngadalë dorën dhe mori trikon në karrigen e tij dhe iku.

Parisi ishte plot erë atë mbrëmje, kur Kamy futi dorën në xhepin e pardesysë dhe nxori letrën. “Nuk do të harroj asnjëherë”. Të njëjtat fjalë i lexoi dhe në pasqyrën e apartamentit ku jetonin bashkë, në fletët e librit që ajo po lexonte dhe në xhepin e këmishës mbi shtrat…

Albert Kamy u takua me aktoren bohemiane Simone Hie në vitin 1932. Ai e ndjeu trupin e saj, edhe pse ajo në dorë mbante një unazë nga miku i tij Max Pol Founchet, me të cilën ajo ishte fejuar. Takimin e parë bashkë e patën në teatër… për të vijuar më pas kafeneve dhe parqeve të Parisit.

Në vitin 1934, ata lidhën martesë, e cila do të përfundonte shumë shpejt, për shkak të varësisë së Simone nga droga. Kamy nuk e harroi asnjëherë atë. Pas ndarjes, ai u kujdes për vite me radhë duke i paguar mjekimin.

kamy2

Për biografin e Kamy, Oliver Todd, Simone është personifikuar te personazhi Maria në romanin “I huaji”. Në asnjë vepër të letërsisë botërore dashuria nuk i ngjan aq shumë absurdit sa te ky libër. Për Todd, “I huaji” është një himn për Simone dhe vendin e tij të lindjes Algjerinë.

Albert Kamy është një ndër shkrimtarët më të njohur të shekullit të XX, fitues i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1957 me motivacionin “Për krijimtarinë e tij të rëndësishme letrare, përshkruar nga një sinqeritet i kthjellët, që ndriçon problemet e ndërgjegjes njerëzore”

kamy1

KORRESPONDENCA E KAMY ME MARIA CESARES

Publikimi i korrespondencës së Albert Kamy nga vitet 1944 deri më 1959 me të dashurën e tij Maria Cesares është një ndjesi letrare e kohës. Prodhuesit e filmave francezë do ta kujtojnë Cesaresin si gruan e gjatë në filmin “Fëmijët e Xhenetit” të Marcel Carne.

Ajo ishte një aktore e madhe e skenës dhe e ekranit, e cila ka vizituar botën me “Comédie Française” dhe “Jean Vilar’s Théâtre National Populaire”. Kamy ishte 30 vjeç dhe Cesares 21 vjeçe kur janë takuar, dhe ishte menjëherë një dashuri e madhe, Parisi ishte nën okupimin nazist.

Në mbrëmjen e datës 6 qershor 1944, Kamy ngiste një biçikletë poshtë bulevardeve të Parisit, me Maria Casarès në timon. Gruaja e Kamysë, Francine, e kaloi periudhën e luftës në Oran, në Algjeri. Kur ajo u shpërngul në Paris në muajin tetor, Alberti dhe Maria vendosën me dhimbje që t’i japin fund lidhjes së tyre.

Më datë 6 qershor 1946, dy vjet pasi ata kishin dalë bashkë, ata janë takuar rastësisht në bulevardin “Saint Germanin”. Mendonin se ishte pa kuptim që të luftonin kundër fatit të tyre. “Lidhur me njëri-tjetrin nga lidhjet që ekzistojnë poshtë në tokë, me anë të inteligjencës, zemrës dhe mishit, unë e di se asgjë nuk mund të na befasojë ose të na ndajë”, i ka shkruar Kamy Cesaresit në shkurt të vitit 1950.

“Ne u njohëm, e njihnim njëri-tjetrin, e braktisëm njëri-tjetrin. Ne kemi jetuar një dashuri deri në djegie, kristal të pastër. A e kupton se çfarë lumturie kemi dhe se çfarë na është dhënë neve?”, ka shkruar ajo drejt Kamysë në po të njëjtin vit.

Cesares nuk ishte e vetmja e dashur e Albert Kamysë. Ajo ishte vetëm njëra nga disa të tjera në momentet që ka vdekur. Gruaja e tij pësoi tmerr nga pabarazitë e tij dhe u përpoq të merrte jetën e saj në vitin 1954. Pas vdekjes së nënës së saj, në vitin 1979, vajza e Camus, Catherine, takoi Casarès dhe bleu letrat e dashurisë prej saj.

Korrespondenca mbush 1.265 faqe në galerinë prestigjioze të Gallimard-it. Punimet e Camus u botuan në të njëjtën koleksion. Catherine përfundimisht vendosi të botojë letrat për shkak të vlerës së tyre historike dhe letrare. “Bota,-shkruan në hyrjen e saj,-është më e madhe, hapësira është më e shkëlqyeshme. Ajri është më i lehtë, thjesht sepse ato ekzistonin”. Kamy e quajti Caesaresin “unike”.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura