Kardiokirurgë shqiptarë, eksperiencë Kosovës

Oct 31, 2012 | 12:07
SHPËRNDAJE

Ekipi i kardiokirurgëve shqiptarë shumë shpejt do të niset në Kosovë për të shkëmbyer eksperiencë me mjekët atje. Bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë edhe në fusha të tjera të shëndetësisë, ku përfshihet fusha e neurokirurgjisë dhe farmakologjisë. Gjithçka e bëri me dije ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë. “Deklaroj edhe këtu qëndrimin e mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë për të vazhduar bashkëpunimin në shkëmbimin e ekspertëve të profesionistëve tanë, sidomos në ato fusha që Kosova është në stadin e ngritjes së këtyre shërbimeve, siç është kardiokirurgjia. Ekipi i kardiokirurgëve shqiptarë, në bashkëpunim me ekipin e kardiokirurgëve kosovarë shumë shpejt do të vijnë për të bërë realitet ndërhyrjet e para kardiokirurgjikale këtu në Kosovë dhe për ta vazhduar si shërbim që të funksionojë në Prishtinë”, tha Tavo. Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha se përvjetori i njëqindtë i Pavarësisë së Shqipërisë, shëndetësinë e Kosovës do ta gjejë me suksese të reja, duke aluduar në fillimin e ofrimit të shërbimeve onkologjike dhe ato të kardiokirurgjisë. I pyetur nga gazetarët për miratimin e mundshëm të ligjit për shëndetësinë, Agani ka thënë se kanë mbështetjen për ligjin e shëndetësisë, duke përmendur edhe përkrahjen e mekanizmave ndërkombëtarë, si Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura