Kapet për herë të tretë drogë Lazarati

Mar 31, 2011 | 11:18
SHPËRNDAJE

GJIROKASTER – Për të tretën ditë rresht, policia e Gjirokastrës ka zbuluar 8 kg marijuanë në linjën e autobusit Kakavijë-Tiranë, duke arrestuar trafikuesin e saj. Burimet policore kanë pohuar për gazetën “Panorama” se uniformat blu kanë arrestuar në flagrancë Iraklis Zografin, 34 vjeç, nga Lushnja. Pasditen e së martës, uniformat blu u informuan se në autobusin që udhëtonte drejt Tiranës ndodhej një pasagjer me një valixhe, brenda të cilës kishte lëndë narkotike të llojit marijuanë. Menjëherë, forcat e policisë në aksion, kanë ndaluar rrugëtimin e mëtejshëm të autobusit për të identifikuar personin dhe lëndën narkotike që ai posedonte. Pas rreth një ore është identifikuar poseduesi i saj, i cili ka pranuar se e ka blerë drogën në Lazarat. E veçanta e hetimeve të kryera është se shitësi i mallit narkotik në këtë rast, ashtu si dhe në dy rastet e mëparshme brenda tri ditëve, është po i njëjti. Policia dyshon se ai është një i ri 27-vjeçar nga fshati Lazarat dhe ndërkohë uniformat blu janë vënë në ndjekje të tij pasi është identifikuar se cili është. Identiteti i shitësit të drogës nuk bëhet publik për shkak të hetimit. Mendohet se destinacioni i lëndës narkotike ishte Lushnja dhe mandej ajo do të shitej në sasi të vogla në ambientet shkollore dhe lokalet e natës. Policia ka sekuestruar marijuanën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka arrestuar në flagrancë Zografin për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Ndërkaq, drejtuesi i autobusit, së bashku me pasagjerët, pas këtyre veprimeve, janë lënë të lirë të vazhdonin rrugën drejt Tiranës. p.n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura