Kapen 8 klandestinë nga Libia, 2 taksistë në pranga

Nov 7, 2012 | 12:20
SHPËRNDAJE

SARANDE- Transportonin klandestinë të huaj, ndalohen dy taksistë me mjetet e tyre taksi për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Të dy taksistët u kapën duke transportuar drejt Tiranës tetë klandestinë. Burime të Policisë bënë të ditur se është bërë ndalimi i 40-vjeçarit Gentjan Çano dhe 26-vjeçarit Olsen Shehu, që të dy nga Tirana. Në rrugën nacionale Sarandë–Vlorë, në Lukovë, nga shërbimi i grupit të lëvizshëm operacional, në pikën e kontrollit, dy mjetet tip autovetura me mbishkrimin taksi u ndaluan për kontroll. Mjeti i parë, tip “Benz”, me ngjyrë të verdhë, me targa TR 003 CTX, drejtohej nga 26-vjeçari Olsen Shehu, ndërsa mjeti tjetër, tip “Nissan”, me targa TR 389 CTX, drejtohej nga Gentjan Çano. Nga kontrolli për pasagjerët e të të dyja mjeteve, u konstatuan tetë persona, nga katër në secilin. Sipas Policisë, asnjëri prej tyre nuk dispononte ndonjë dokument identifikimi. Blutë bënë shoqërimin e tyre për verifikime të mëtejshme në komisariatin e Sarandës. Nga marrja në pyetje rezultoi se pesë prej tyre ishin algjerianë, dy marokenë dhe një nga Libia. Ata ishin të moshave nga 18 deri në 30 vjeç. Gjatë intervistimit paraprak, ata treguan se kishin ardhur me autobus nga Athina dhe se më pas kanë hyrë në tokën shqiptare në mënyrë të kundërligjshme, duke anashkaluar pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Pasi kanë udhëtuar rreth 500 metra në brendësi të territorit shqiptar, kanë marrë dy taksitë e mësipërme fillimisht drejt Tiranës, më pas për në Malin e Zi, nga ku synonin më tej vendet e BE-së. Secili prej tyre i kishte paguar taksistit 100 euro. sh.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura