Kandidati i PD për Rrogozhinën zbulon prioritetet: Ja cilat janë punët e para me fitoren time

Mar 4, 2022 | 16:59
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Kandidati i Partisë Demokratike në Rrogozhinë, Ferdinant Saraçi, thotë se është i vetmi nga tre kandidatët që ka përballuar çdo të mirë dhe të keqe me banorët e Rrogozhinës, ndaj edhe 6 marsin ai e konsideron si një mundësi që bashkëqytetarët ta sprovojnë.

ferdinand saraci

Për kundërshtarët e tij gëzon respekt individualisht, por thotë se asnjëri prej tyre nuk e njeh realitetin e Rrogozhinës, ndaj edhe nuk mund t’u shërbej siç duhet banorëve të zonës. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Saraçi tha se kandidati i PS-së nuk jeton në Shqipëri, por në Itali, dhe është jashtë çdo realiteti të banorëve të Rrogozhinës.

Ndërsa për kandidatin e koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, u shpreh se ai nuk i njeh problemet e tyre. Ndërkohë thotë se ai vetë, përveçse ka jetuar gjatë gjithë kohës me banorët e Rrogozhinës, prej vitesh bashkë me ta ka marrë pjesë dhe ka ngritur zërin në çdo protestë për të drejtat e tyre.

Ndaj edhe kandidimin për kryetar, ai e sheh si një mundësi që të sprovohet se do t’i realizojë të gjitha ato për të cilat ka protestuar. Punën e tij duke iu referuar problematikave kryesore, Saraçi thotë se do ta nisë nga pastrimi i kanaleve kulluese dhe vaditëse dhe ndriçimin në çdo fshat të bashkisë. Sipas Saraçit, Bashkia e Rrogozhinës e ka popullsinë më të përqendruar në fshatra, ndaj edhe problemet më të mëdha janë me fermerët.

Z. Saraçi, ju jetoni në Rrogozhinë dhe normalisht i dini problematikat e zonës, por fushata i ka intensifikuar takimet dhe keni një panoramë më të qartë. Cilat janë shqetësimet më të mëdha të banorëve të Rrogozhinës dhe a ka pasur ndonjë problematikë që e keni evidentuar gjatë këtyre javëve?

Po, është e vërtetë. Unë jam lindur e rritur në fshatin Gosë të Rrogozhinës. Duke qenë banor i këtij qyteti, i di mjaft mirë të gjitha problematikat që ka kjo zonë. Rrogozhina është një qytet që një pjesë të madhe të territorit të saj e zënë fshatrat dhe mua puna më ka lidhur ngushtësisht me fermerët, shto këtu faktin qe prej gjashtë vitesh unë jam kryetar i PD-së Dega Rrogozhinë dhe kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë banorët, jo vetëm tani që jemi në fushatë. Si problematika që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, unë do të veçoja pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse, te të cilat ka vite që nuk është vënë fare dorë, ndriçimin e rrugicave të lagjeve të qytetit, si edhe të njësive administrative, vendosjen e koshave të plehrave në çdo lagje dhe pastrimin e tyre etj.

A keni ju një program se çfarë do të bëni nëse fitoni, pasi duhet të theksojmë se është vetëm një vit mandati?

Po, unë e kam theksuar edhe vetë në të gjitha takimet e mia që këto zgjedhje janë vetëm për një vit, por mjaftojnë edhe 6 muaj që punët e mira të duken. Fillimisht duhet rishikuar administrata në bashki, e cila nuk duhet të jetë me militantë, por të jetë për qytetarët dhe në shërbim të tyre, me njerëz që e meritojnë vendin e punës. Duhet rishikuar gjithashtu edhe skema e ndihmës sociale, pjesa që varet nga institucioni i bashkisë, sepse përfitojnë ata që ndihmojnë partinë në pushtet dhe jo ata që me të vërtetë e meritojnë dhe jo lëmoshë, por një ndihmë dinjitoze.

Çfarë zotimi merrni ju para qytetarëve? Pse duhet t’ju besojnë ata për premtimet që keni bërë ju gjatë fushatës?

Unë kërkoj votëbesimin e qytetareve të Rrogozhinës që të kem mundësinë të punoj për këtë qytet. Në këto gjashtë vite kam dëgjuar shqetësimet që shprehnin banorët dhe kam qene iniciator i një sërë protestash, me qellim për t’i ofruar komunitetit shërbimin e munguar. Kam ngritur zërin për çdo shqetësim dhe për këtë ndihem krenar që Rrogozhina, edhe pse një qytet i vogël, ka numrin më të madh të protestave lokale. Prandaj, më 6 mars, qytetarët e Rrogozhinës kanë rastin të më votojnë dhe të më vënë në provë që unë t’u faktoj atyre se nuk i trembem punës, se nuk e kam ngritur zërin vetëm për faktin se ishim opozitë, por për të ndihmuar qytetarët.

Na ndajnë vetëm dy ditë nga votimet ku ju garoni për të marrë drejtimin e Bashkisë Rrogozhinë, pse duhet t’ju votojnë qytetarët juve dhe jo një nga dy kandidatët e tjerë?

Duke qenë se jemi vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve, do t’iu lutesha qytetarëve të Rrogozhinës që përpara se të votojnë, të mendojnë se cila është alternativa më e mirë për ta dhe për të ardhmen e familjes së tyre. Qytetarët më njohin dhe unë i njoh që të gjithë. Unë nuk u trokita në derë sot që të kërkoj votën e tyre. Unë kam qenë me ta në çdo moment e në çdo vështirësi, për t’i ndihmuar me aq sa unë kam mundur dhe premtoj që do të vazhdoj të jem pranë qytetarëve të Bashkisë Rrogozhinë gjithmonë, pa iu shmangur asnjë përgjegjësie morale dhe ligjore.

Mendoni se situata e brendshme politike në PD i krijon favor PS-së që të fitojë? Çfarë masash keni marrë për ta sfumuar një situatë të tillë?

Patjetër që situata brenda PD-së, në pamje të parë, duket e vështirë, por dua të theksoj që të gjithë qytetaret, jo vetëm demokratët, dinë të bëjnë diferencën. Jo vetëm në Rrogozhinë, por në të gjithë Shqipërinë, ne si shoqëri duhet t’u japim mundësinë figurave të reja e të shohim përpara, sepse e shkuara duhet të jetë thjesht një kujtim, sepse nëse jetohet e njëjta gjë në dy kohë të ndryshme, kemi mbetur në vendnumëro, për të mos thënë që kemi mbetur shumë pas objektivit tonë për një Shqipëri europiane. Nga e kaluara ne duhet të nxjerrim mësime se ku kemi gabuar dhe të krenohemi për punët e mira që kemi bërë në shërbim të vendit.

Çfarë vlerësimi keni për kundërshtarët tuaj në këtë garë? Kujtojmë që nga një anë keni kandidatin e partisë që keni pasur historikisht kundërshtare, por keni edhe kandidatin e lëvizje që drejtohet nga lideri historik i demokratëve?

Në aspektin njerëzor i respektoj të dy kandidatët, ndërsa politikisht mendoj që kanë shumë mangësi. Kandidati i PS-së është emëruar në këtë post dhe madje më parë nuk ka jetuar fare në Rrogozhinë, por erdhi nga Italia dhe u emërua kryetar – diçka e paimagjinueshme për një vend demokratik. Kandidati i lëvizjes që drejtohet nga ish-Kryetari Berisha ka vetëm pak javë që është pranë qytetarëve, pasi më parë nuk ka qenë aktiv në të gjithë territorin e bashkisë. I bëj këto konstatime sepse, siç e thashë në fillim të kësaj interviste të këndshme, unë kam një përvojë politike më të pasur. Puna dhe koha e kaluar krah qytetarëve ishte arsyeja kryesore që unë mora vendimin për të qenë përfaqësuesi i njerëzve punëtorë dhe të ndershëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura