Kamerun-Kroaci 0-4 u trukua, shtatë lojtarë të implikuar

Jun 30, 2014 | 13:51
SHPËRNDAJE

Ndeshja mes Kamerunit dhe Kroacisë, e përfunduar 4-0 për ballkanasit, dyshohet se është trukuar.
Lajmi vjen nga e përditshmja gjermane “Der Spiegel”. Sipas kësaj medie, pak orë para se të niste kjo përballje, në redaksi ka mbërritur një mesazh nga një person i quajtur Tamil Perumal, i njohur si një bastexhi i thekur, kryesisht në vendet aziatike. Në njëzet vitet e fundit ai është arrestuar mbi gjashtë herë nga policia, pikërisht për shkak të manipulimit të ndeshjeve. Gjithsesi, ky i fundit u pat konfirmuar gazetarëve se takimi do të përfundonte 4-0 për Kroacinë dhe në pjesën e parë do të dilte një lojtar me karton të kuq. Sipas asaj që ndodhi në atë ndeshje, ose personi në fjalë ka qenë një parashikues i jashtëzakonshëm, gjë që ka pak gjasa të ndodhë, ose vërtet kjo ndeshje është trukuar, duke qenë se u mbyll me atë rezultat dhe në pjesën e parë doli një lojtar me karton të kuq: Aleks Song. Pikërisht lojtari i Barcelonës, në mënyrë krejt të pashpjegueshme, në minutën e 40-të qëlloi me parakrah një futbollist kroat, në sy të arbitrit dhe normalisht ky i fundit e nxori me të kuq. Duke parë ndeshjen, u duk sikur gjithë kjo erdhi për shkak të ndonjë nervozizmi, por pas këtij zbulimi që ka bërë media gjermane, besohet edhe më shumë se kjo ndeshje mund të ketë qenë e trukuar. “Te Kameruani janë shtatë mollë të kalbura”, pat shkruar në mesazhin e tij drejtuar kësaj medie Perumal, duke nënkuptuar me “mollë të kalbura” lojtarë të Kamerunit, të cilët kishin rënë dakord për fiksimin e këtij rezultati. Nuk mbaron me kaq: në minutat e fundit, kur po luhej koha shtesë, sulmuesi i Kroacisë, Rakitiç, pati një rast të pastër shënimi, teksa doli përballë portierit, e kaloi këtë të fundit dhe, më pas, në mënyrë tejet të pashpjegueshme, humbi ekuilibrin duke e lënë topin që të përfundonte jashtë. Nga pamjet duket qartë se pikë së pari lojtari nuk u prek fare nga portieri dhe, së dyti, ndonëse në tokë, ai kishte të gjithë kohën e mjaftueshme që ta dërgonte topin në rrjetë, por nuk e bëri këtë gjë. Duke qenë se në ato momente rezultati ishte 4-0 për Kroacinë (natyrisht nëse shënohej ai gol, rezultati do shkonte 5-0, ndaj ka gjasa që edhe Kroacia të kenë qenë në dijeni të gjithçkaje), kjo është edhe një tjetër e dhënë që të bën të besosh se kjo ndeshje mund të jetë trukuar.  

Kamerun-Kroaci    0-4
Golat: Oliç 11’, Perisiç 48’, Mandzukiç 61’, 73′
Karton i verdhë: Eduardo 89’
Karton i kuq: Song 40’
Kameruni: Itandje, Ekoto, Shexhu (Nonkeoun 46’), N’Koulu, Matip, M’Bia, Song, Enoh, Çupo-Moting (Sali 75’), Moukanxho, Abubakar (Uebo 70’). Trajner: V.Finke
Kroacia: Pletikosa, Srna, Korluka, Lovren, Modriç, Pranjiç, Rakitiç, Perisiç (Rebiç 78’), Samir (Kovaçiç 72’), Oliç (Eduardo 69’), Mandzukiç. Trajner: N.Kovaç
Gjyqtarë: Pedro Proença/ B.Miranda dhe T.Trigo (Portugali)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura