Kamerat në baste. Bitraj, 2 milionë USD skedina gjatë Botërorit

Dec 16, 2014 | 10:50
SHPËRNDAJE

Ardian Bitraj

Autori i vjedhjes në degën e Thesarit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Bitraj, dyshohet se ka shpenzuar një shumë marramendëse në loto sportive me baste të vendosura gjatë kampionatit botëror të këtij viti.

Nga data 12 qershor 2014, kur u mbajt ndeshja e parë e Botërorit deri në finalen e 13 korrikut ku fitoi Gjermania, sipas Prokurorisë, Ardian Bitraj dyshohet se ka shpenzuar rreth 200 milionë lekë të rinj ose 2 milionë dollarë. Në vazhdim të hetimeve mbi destinacionin e parave të vjedhura, prokuroria ka kryer javët e fundit disa verifikime shtesë. Verifikimet kanë të bëjnë me marrjen në pyetje të operatorëve në gjashtë pika bastesh, ku Ardian Bitraj pretendon se vendoste vazhdimisht skedina sportive. Një tjetër verifikim i bërë nga prokuroria kanë qenë pamjet e marra nga kamerat e sigurisë në këto pika bastesh. Referuar këtyre të dhënave, sipas përllogaritjeve të deritanishme të organit të akuzës, përgjegjësi i arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë rezulton të ketë shpenzuar rreth 2 milionë dollarë me baste të vendosura gjatë kampionatit botëror. Krahas verifikimeve të kryera nga prokuroria me anë të pamjeve filmike dhe marrjes në pyetje të operatorëve të pikave të basteve, hetimi po vazhdon. Organi i akuzës mësohet se po shqyrton bilancet e kohës për të gjitha kompanitë e basteve ku Ardian Bitraj pretendon se ka vendosur loto.
HETIMI PËR PARATË
Orientimi i prokurorisë te pikat e basteve në kërkim të destinacionit të parave të vjedhura nga Banka e Shqipërisë ka ardhur për shkak të dëshmisë së dhënë nga Ardian Bitraj, menjëherë pas arrestimit më 21 korrik 2014. Në dëshminë e tij në datat 21 dhe 22 korrik, autori i vjedhjes në degën e Thesarit pretendoi se të gjitha paratë i kishte shpenzuar në baste që nga viti 2010 kur filloi vjedhja e deri më tani. Megjithatë, shuma e parave që është deklaruar deri më tani si e munguar në dy arkat e Bankës së Shtetit është 713 milionë lekë, ose 7 milionë dollarë. Sipas verifikimeve të kryera nga Prokuroria, kjo shumë totale nuk rezulton të jetë qarkulluar në pikat e basteve, që Bitraj pretendon se i ka frekuentuar. Nga ana tjetër, në dosjen e hetimit për paratë ndodhen të pandehur edhe ish-përgjegjësja e Arkës për Veprim, Mimoza Bruzia, për të cilën po hetohet mundësia që të ketë transferuar shuma parash jashtë Shqipërisë. Personi i tretë që hetohet në dosjen e veçuar për vjedhjen e Bankës është Klevis Bejtaj, nipi i Ardian Bitrajt. Dosja penale ndaj këtyre tre personave u mbajt në hetim pas dërgimit në gjyq të 15 të akuzuarve të parë për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. Hetimi po vazhdon me qëllim gjetjen e destinacionit të parave dhe kryerjen e ekspertimit për shumën e vjedhur.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura