“Kam qenë e pirë!”/ 40-vjeçarja bën për spital një tjetër grua te Rruga e Kavajës. Dëshmia: Po kaloja në trotuar me motrat, më kapi për flokësh dhe…

Mar 8, 2021 | 15:24
SHPËRNDAJE

35 femrave iu është hequr patenta, por shumica e tyre kanë përfunduar në pranga pasi prej muajit nëntor janë konstatuar  duke drejtuar makinën në gjendje të dehur apo me përqindje më të lartë alkoli.

gra]

Të dhënat jepen për Gazetasi.al nga burime të policisë rrugore që detajuan se për shkak të aksidenteve të shumta të muajve të fundit janë shtuar edhe kontrollet në akset kryesore

A.L. është një 28 vjeçare që përfundoi në policinë e Tiranës. Pasi një shërbim policor i dha shenjën e ndalimit, e reja ndaloi menjëherë. Por kur e teproi me shakatë ndaj policëve, ata dyshuan se shoferja e re mund të kishte konsumuar alkool.

Pas testit të alkoolit, gruaja rezultoi në gjendje të dehur dhe për këtë arsye iu kërkua që të zhvendosej si pasagjere, sepse nuk ishte në gjendje për t’i dhënë timonit. Makinën e saj e drejtoi një oficer policie.

Në komisariat vajza përfundoi në pranga. Përpara gjykatës të nesërmen ajo shpërtheu në lot. “ Isha në një ditëlindje dhe festuam brenda orës 20.00, duhet të bënim gëzuar dhe të shpërndaheshim. Siç duket u deha”.

Një tjetër grua 32 vjeçe doli para gjyqtarit të masave të sigurisë të enjten e kaluar. Edhe ajo ishte e dehur në timon dhe gjykata vendosi, ashtu si edhe për 28 vjeçaren, ndryshimin e arrestit duke e dërguar atë në shtëpi.

Nëna e një fëmije pranoi që kishte pirë alkol në mbyllje të orarit zyrtar duke qenë se siç tha V. S . jeta e saj ishte kthyer në mbytëse veçanërisht gjatë situatës së Covid-it.

Por profesoresha Arjana Muçaj e shpjegon për Gazetasi.al këtë trend të ri në kryeqytet si një fenomen ndërkombëtar

“Fenomeni nuk ndodh vetëm në Shqipëri, është një fenomen global. Ne po kërkojmë të drejta të barabarta dhe një nga pikat për të qenë të barabartë shikohet edhe në aspektin social, pra jeta sociale në shoqëri.

Përshembull meshkujt është pranuar që kanë jetë sociale më tepër se sa femrat dhe një nga të drejtat që kërkohet është edhe barazia e jetës sociale. Dhe po të shikosh pirja e duhanit dhe pirja e alkolit ju përkisnin meshkujve, kurse orët e zgjatura në jetën sociale e kthejnë edhe femrën në përdoruese të tyre. Sidomos tek moshat e reja. Gratë po e shikojnë të barabartë në alkol pozicionin e tyre. Çfarë ka më shumë gjinia mashkullore sesa femërore në aspektin social shtrohet pyetja?’

Jo vetëm alkool, por edhe sherre

Por ka çuditur në komisariatin numër dy, 40 vjeçarja R.SH e cila u shoqërua pas denoncimit të një vajze. E reja në gjendje të dehur kur i ka dalë efekti i alkoolit ka treguar se nuk mbante mend asgjë.

Por ndërkohë vajza ishte denoncuar nga një tjetër femër  bëjnë me dije burimet e policisë për Gazetasi.al.

“Po kaloja në trotuar së bashku me dy motrat D. dhe K. , ndodhesha në rrugën e Kavajës. Një grua po ecte paralel me ne  dhe në këtë moment ju thashë motrave të ndalonim sa të kalonte gruaja që nuk e njihja. Por pasi i thashë këto fjalë gruaja na shau dhe ofendoi  megjithëse ne ndaluam që ajo të ikte përpara dhe më pas më kapi për flokësh”.

Adoleshentja tregon se gruaja nuk po ja lëshonte flokët , kurse njëra nga motrat është treguar më e shkathët dhe ka njoftuar policinë. “Dua të them se nga goditjet në kokë shkova në spital ku mora ndihmë mjekësore”

Gruaja e shoqëruar në polici tha se “nuk më kujtohet ta kem bërë këtë veprim, pasi kam qenë e pirë, atë ditë u shtrova me ca mikesha dhe pimë. Nuk mbaj mend dhe nuk mund të them sepse nuk e di, se çfarë më ka nxehur. Asnjërën nga vajzat nuk e njoh dhe ju kërkoj falje secilës për shqetësimin që ju kam shkaktuar”, thotë 40 vjeçarja që sidoqoftë mbasi të hartohet raporti do përfundojë nën hetim për akuzën e rrahjes.

Marrë nga gazeta SI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura