“Kam dëgjuar që shteti paska ngel pa lekë”, Rama mesazh opozitarëve: Jemi më të zotë se ju dhe se ata që ju kanë hapur vendin këtu

Dec 5, 2019 | 14:55
SHPËRNDAJE

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë pretendimet se i ka shtrirë dorën Evropës për ndihma, pasi shteti kishte ngelur pa lekë.

rama1

Rama thotë se edhe sikur të mos marrin asnjë lek nga ndërkombëtarët do ta realizojnë procesin e rindërtimit shumë mirë.

Këtë mesazh kryeministri ia adresoi deputetëve të opozitës parlamentare, ku ndër të tjera theksoi se anëtarët e kabinetit të tij janë më të zotë së ata dhe sesa ata që sot janë jashtë parlamentit.

“Kam dëgjuar përveç klithmave për kapele dhe çizme, që janë jehonë e konstatimeve të përcipta të përcjella nga ekranet dhe nga portalet, e vitrinat, që shteti paska mbetur pa lekë dhe nuk paska kapacitet të përballojë këtë situatë dhe po i shtrijmë dorën botës.

Ne do ta programojmë të gjithë procesin sikur të mos marrim asnjë lek nga bota dhe do ta bëjmë atë shumë mirë, sepse ne jemi më të zotë se ju dhe se ata që ju kanë hapur vendin këtu.

Realisht duhet një kurajo që i kalon kufijtë e përfityrimit tim për të dalë dhe për të folur broçkulla. Programi për rindërtimin do rindërtohet si një program buxhetor më vete”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura