Kallashnikov në kokë makinistit, grabiten 10 tonë qymyr

Sep 30, 2013 | 13:19
SHPËRNDAJE

Policia në vendin ku u grabit qymyri
Mbi 10 tonë qymyr koks, që importohej nga Mali i Zi për në Durrës, u grabitën dje në mes të ditës nga katër persona. Sipas Policisë, autorët ende të paidentifikuar i kanë zënë pritë trenit të mallrave, i cili ishte gjithsej vetëm me gjashtë vagonë dhe kanë grabitur të gjithë mallin që ndodhej në të. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, kur autorët i kanë dalë para trenit në vendin e quajtur Mërqin të rrethit të Krujës, rreth një kilometër e gjysmë larg stacionit të Ishmit. Nën kërcënimin e armëve automatike, ata detyruan makinistin të frenonte. Më pas janë ngjitur në vagonët e trenit, duke shkarkuar të gjithë qymyrin. E gjithë kjo ka zgjatur rreth një orë, ku treni ka qëndruar në vend ndërsa makinisti nuk është lejuar të kryejë asnjë manovër, duke e penguar që të sinjalizonte edhe policinë. Vetëm pasi shkarkuan të gjithë sasinë e qymyrit, ata janë larguar, duke e lënë të lirë makinistin të vijonte rrugën me vagonët bosh.
Dyshohet se grabitësit e kishin studiuar mirë vendin dhe kanë detyruar makinistin të ndalojë në një zonë që shinat ishin të rrethuara nga ferrat në të dyja anët e saj. Për këtë shkak, të gjitha lëvizjet e tyre nuk i ka parë asnjë banor i zonës. Ndërsa në krahun verior kishte një rrugë hyrëse dytësore, e cila shkonte paralel me shinat e trenit. Pasi vijoi rrugën, makinisti është ndaluar në Vorë, ku ka kryer edhe denoncimin. Policia mbërriti në vend rreth dy orë pasi kishte ndodhur ngjarja dhe nisi hetimet. Sasia me e madhe e qymyrit ishte transportuar dhe fshehur nga autorët. Në vendin e ngjarjes policia gjeti dy thasë të mbushur me qymyr, si dhe një sasi tjetër të hedhur në trasenë e shinave, e cila duket se kishte rënë nga nxitimi për t’u larguar sa më shpejt. Në momentet e para pas ngjarjes, Policia e Krujës deklaroi se kishte të bënte me një hapje aksidentale të vagonit të trenit. Por më pas, burimet e Policisë bënë të ditur se kishin nisur hetimet, pasi persona ende të paidentifikuar kanë kryer grabitjen dhe se po punohet për kapjen e tyre. Paraprakisht dyshohet se janë rreth 10 tonë qymyr që u grabitën. Burime nga Policia bënë të ditur se nuk përjashtojnë as pistën e përfshirjes së makinistit në vjedhjen e lëndës që ai transportonte. Gjithsesi, janë duke hetuar në të gjitha pistat e mundshme dhe për të identifikuar autorët. Makinisti ka deklaruar se personat i kishin dalë me armë dhe, pasi e kishin detyruar të ndalonte, personat nuk e kishin lejuar të kryente asnjë manovër, në mënyrë që ai të mund të sinjalizonte policinë.

Hetimi, dyshime për makinistin
Nuk është rasti i parë që më këtë aks hekurudhor, në një gjatësi rreth katër kilometra të saj, treni i mallrave ka qenë vazhdimisht objekt grabitjeje. Persona ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet të jenë banorë të zonës, kanë kryer grabitjen e ngarkesave të ndryshme dhe deri tani asnjë prej tyre nuk është arrestuar. Nuk përjashtohet dyshimi që në këtë ngjarje të jetë i implikuar edhe vetë makinisti.

KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura