Kakavija, një kronikë e paralajmëruar

Aug 15, 2020 | 9:15
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO Pellumb nako

Radhët biblike në Pikën Kufitare të Kakavijës në kufirin me Greqinë nuk përbëjnë një ngjarje të ndodhur si rrufe në qiell të pastër. Kjo Pikë Kalimi dihet që mban një ngarkesë mjaft të madhe në qarkullimin me shtetin fqinj jugor dhe tradicionalisht muaji gusht mbetet tepër i ngarkuar, ndaj edhe masat e duhura për të parandaluar çdo të papritur duheshin  paramenduar kohë më parë, sidomos nga Ministria e Jashtme me shërbimet konsullore të saj në Janinë e Selanik apo edhe me ambasadën në Athinë. Është detyrë e autoriteteve tona për të parandaluar momente të tilla duke koordinuar me ato greke, sepse dihet edhe fakti tjetër që organet kompetente të vendit fqinj nuk kanë të njëjtin shqetësim për qytetarët tanë në situata të tilla fluksi.

Pra, situata e rëndë duhej administruar para se të ndodhte dhe njerëzit të mos braktiseshin nga strukturat e shtetit në atë farë feje saqë radhët të zgjateshin në disa dhjetëra kilometra. Dhe si zakonisht në të tilla çaste, kur gjendja mahiset dhe vuajtja e njerëzve të thjeshtë arrin kulmin, fillon edhe reagimi i autoriteteve kompetente për të rregulluar gjërat tashmë të koklavitura, duke mos harruar me këtë rast të thirren si dëshmitarë mediat për të na njoftuar se vetë ministra e drejtorë po nisen drejt Kakavijës. Qeveria nuk ka funksion vetëm reagimin, por sidomos parapritjen me masa konkrete për mosprecipitimin e gjendjeve të tilla. Më minimalja mbetet caktimi i pikave të kontaktit diplomatike me fuqi vendimmarrëse dhe jo thjesht policore në të dyja anët e kufirit për të bërë të paktën njoftimet e duhura në raste si ky që ndodhi këto ditë në Kakavijë.

Në fakt, teatri që u luajt në skenën e Kakavijës mbetet identik me atë të Kapshticës në momentet e fillimit të karantinës, por këtë radhe me kah të kundërt. Në Kapshticë, për emigrantët kufiri u mbyll nga autoritetet tona, duke lënë dhjetëra bashkatdhetarë në tokën neutrale në mes të të ftohtit, si ndëshkim për vonesën në kthimin e tyre në shtëpi. Këtë radhë janë autoritetet greke ato që po ndëshkojnë përsëri fatkeqët tanë, sepse erdhën të shumtë në numër, ndërkohë që grekët do të lejonin vetëm 700 persona në ditë të hynin në tokën e tyre. Ndryshimi ndërmjet dy rasteve identikë si dy pika uji qëndron vetëm në numrin i madh i udhëtarëve në Kakavijë dhe që për shkak të vapës rraskapitëse i bëri autoritetet tona kompetente të lëvizin, sigurisht pasi gjithçka shkoi në fund. Të gjithë në mëshirë të fatit, sikur ndërmjet dy vendeve tona të mos kishte fare marrëdhënie diplomatike apo edhe traktate të miqësisë.

Si zakonisht, papërgjegjshmëria qeveritare në situata të tilla të rënda merr pamjen e ministrit të Brendshëm, i cili fajëson qytetarët se para se të merrnin rrugën, duhet të informoheshin. Por ku do të informoheshin ata që të mos niseshin apo të merrnin rrugën në pika të tjera të kalimit me Greqinë? As Ministria e Jashtme e as ajo e Brendshme nuk kishin bërë ndonjë njoftim paraprak në media që qytetarët të mos niseshin për shkak të ndryshimit të qëndrimit të autoriteteve greke. Po ashtu, nuk u publikua asnjë numër publik për t’u konsultuar nga qytetarët nevojtarë para se të merrnin udhëtimin e kthyer në rrugën e mundimit si të Krishtit me kryqin mbi kurriz. Ministria e Diasporës, sigurisht është ministri propagande dhe për aq sa funksionin e kishte bërë punën e saj me blerjen e lojërave “Mos u nxeh”, të cilat, me sa duket, ishin planifikuar për ditë të tilla të vështira për emigrantët.

Papërgjegjshmëria e qeverisë duket qartë edhe për faktin që cituam shkarazi më sipër se muaji gusht, koha e pashkëve ortodokse, periudha e vitit të ri karakterizohen nga flukse të mëdha lëvizjesh në të gjithë pikat e kalimit kufitar me Greqinë pasi shoqërohen me ardhjen masive të qytetarëve tanë me banim në këtë vend. Në raste të tilla, vendosja e pikave të kontaktit në të dyja anët e kufirit mbetet një praktikë e rëndomtë për të njoftuar qytetarët më parë lidhur me vështirësitë që do të hasin ata në një moment si ky që po flasim. Pra, askush nga institucionet nuk i njoftoi qytetarët para se të niseshin dhe ky fakt mbetet i pafalshëm kur e dimë që të paktën vendet europiane të hapësirës Shengen e freskojnë çdo pesëmbëdhjetë ditë listën e vendeve që lejohen ose jo të hyjnë në to.

Në këtë kontekst, këtë radhe situata në Kakavijë do të mbetej më e komplikuar se ajo e hasur zakonisht në çdo vit. Po të shohësh me vëmendje gjatë gjithë kohës së epidemisë së koronavirusit në media ka pasur njoftime të shumta, mjaft kontradiktore e jozyrtare lidhur me hapjen apo mbylljen e pikave kufitare me Greqinë nga ana e kësaj të fundit për shkak, pra, të ecurisë së epidemisë, duke specifikuar edhe kategoritë që do të lejoheshin. Ndaj edhe ishte normale dhe e thjeshtë që në këtë kohë të lëvizshme, kur situatat precipitojnë me orë, të mbaheshin të gjalla shkëmbimet e informacionit si dhe njoftimet për mbylljet apo rregullat e Policisë greke në raport me qytetarët shqiptarë. Në asnjë rast nuk u konstatua ndonjë njoftim zyrtar i autoriteteve tona kompetente të shoqëruar me këshillat e rastit siç ishte ajo që bëri Ministri i Brendshëm, por me variantin e Ponc Pilatit, duke larë duart dhe duke ua lënë përgjegjësinë qytetarëve.

Nëse shihet në vazhdimësi sesi u zhvillua situata në Kakavijë, ajo dëshmon më së miri për mënyrën si punon kjo qeveri. Asnjëherë nuk u paraprin situatave të rënda, nuk e njeh konceptin e parandalimit. Kur ngjarja ndodh, fillimisht lihet në heshtje, pastaj stigmatizohet duke fajësuar papërgjegjshmërinë qytetare dhe kur gjithçka kthehet në kritike, thërriten emergjencat ushtarake për të përballuar më shumë se tragjedinë e qytetarëve, paaftësinë dhe indiferencën e frikshme të qeverisë për fatin e njerëzve të thjeshtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura