“Kajmaku” drejt shkarkimit? Rama nuk ka reaguar ende, por ja çfarë premtoi para disa ditësh

Nov 1, 2019 | 10:09
SHPËRNDAJE
Rama e Kajmaku, gjatë fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit
Rama e Kajmaku, gjatë fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit

Prokuroria e Përgjithshme, katër ditë më parë, bëri publik faktin se kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, kishte pasur probleme me drejtësinë greke, pas verifikimeve me autoritetet fqinje.

Edhe pse verifikimi është bërë në rrugë zyrtare dhe për të janë vënë në dijeni institucionet, edhe ai i Kryeministrit, kreu i qeverisë, i cili e ka këtë kompetencë, ende nuk e ka shkarkuar kryebashkiakun, i cili nuk ka deklaruar në formularin e tij të vetëdeklarimit që ka qenë i ndaluar në Greqi dhe ndaj tij kishte një proces penal.

Një javë më parë, në emisionin “Opinion”, Kryeministri premtoi se maxhoranca do të bëjë dy ndryshime kryesore në Reformën Zgjedhore.

Së pari, kush gënjen në formularin e dekriminalizimit, do të dënohet me burg dhe kandidatura nuk do të regjistrohet një ditë para fushatës, por një muaj më parë me qëllim që të ketë sa më shumë kohë që të verifikohet pastërtia e figurës së çdo kandidati.

Agim Kajmaku letra

“Kush kapet me gënjeshtër në formularin e dekriminalizimit, do të shkojë në burg. Nuk e gjen dot se çfarë ka para 10 vjetësh? Ne do ta bëjmë tani ndryshe. Të mos regjistrohen më kandidatura, një ditë para se të fillojë fushata, por një muaj para se të nisë fushata dhe të verifikohet nga Prokuroria dhe Policia, dhe nëse dalin të dënuar, do të futen në burg”, tha Rama në “Opinion”.

MANDATI 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë sot kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e mandatit të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut.

Mbledhja e KQZ-së është thirrur nga kryetari Klement Zguri dhe ka në rend dite vetëm një pikë: “Shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik, z. Agim Ymer Kajmaku, me funksion kryetar i Bashkisë Vorë, Qarku Tiranë, në zbatim të ligjit nr.138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, thuhet në letrën e KQZsë.

Por mësohet se KQZ do t’i kërkojë Prokurorisë të gjithë praktikën që ndoqi për verifikimin e figurës së Kajmakut.

Në një shkrim të “Zërit të Amerikës”, dy ditë më parë, kryebashkiaku i Vorës nuk ka rrugë tjetër, veçse të shkarkohet. Ndonëse ai ka marrë vendimin e Gjykatës së Janinës në shtator për pafajësinë, Kajmaku penalizohet për faktin se nuk ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit se ndaj tij ka pasur një proces hetimor nga institucionet e huaja ligjzbatuese.

“Prokuroria shqiptare u vu në lëvizje pas denoncimit nga Partia Demokratike, e cila publikoi dokumente mbi arrestimin e zotit Kajmaku në Greqi, nën emrin Jorgo Toto dhe hetimin e nisur ndaj tij. Kryebashkiaku socialist mohoi në mënyrë të përsëritur akuzat e PD-së, duke këmbëngulur se nuk është arrestuar ndonjëherë në Greqi e duke folur për një ‘sulm politik’ ndaj tij. Por krahasimi i shenjave të gishtërinjve mes atyre të marra nga autoritetet greke në 2003 dhe atyre të zotit Kajmaku, vërtetuan se bëhej fjalë për të njëjtin person.

Vetëm pas kësaj, kryebashkiaku dorëzoi pranë autoriteteve vendimin e shtatorit të këtij viti të Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, ndonëse më parë kishte mohuar çdo fakt që e lidhte atë me ngjarjen e ndodhur në janar të vitit 2003, kur ishte arrestuar në flagrancë, pasi kishte qenë në zotërim të kartëmonedhave false, ndërsa po tentonte të bënte një pagesë. Por kjo nuk e shpëton atë nga fakti se ai nuk e ka deklaruar arrestimin në Greqi në formularin e dekriminalizimit, gjë që sipas një vendimi të posaçëm të Parlamentit, çon në shkarkim të menjëhershëm nga detyra”, shkruan “Zëri i Amerikës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura