“Kadri, nëse s’ia thua troç Partisë, unë të siguroj se po të vesh në mbledhjen e Komitetit Qendror, siç erdhe këtu, nuk e di se çdo ngjas me ty…”/ Debatet e Enverit në mbledhjen e Byrosë

Nov 15, 2022 | 7:19
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi

Capture

Pjesa e njëzetë

Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej.

Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh.

Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al.

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                               TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                          PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

  1. Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
  2. Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po mirë, po këto pesë informacione që kishin të bënin me grupin antiparti që ndodhej në Zvërnec? Ne kishim agjenturën tonë atje që na informonte se çfarë thoshin çdo ditë këta elementë armiq, që Peço Fidhi thotë kështu, që Kadri Hoxha thotë ashtu, e të gjithë të tjerët me radhë, ç’u duheshin atyre këto?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë mendoj shoku Hekuran, se kjo çështje do parë një çikë më mirë. Pesë relacione janë ato, po a janë të vjetra, a s’janë të vjetra, këtë nuk e di. Megjithatë, të më falësh, po unë e kam hallin këtu, që kompleksiteti i gjithë këtyre çështjeve, nuk matet me një informacion, se ato i kishin këtu, i merrnin shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Po nuk i bënim ne informacione atyre?

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po ç’merrnin ata? Merrnin ato çështje që duhet absolutisht t’i kishim vetëm ne.

SHOKU RITA MARKO: Nuk është e mundur, që një këshilltar të marrë çdo gjë atje ku caktohet të punojë.

SHOKU ENVER HOXHA: Është e kotë që të zgjatemi, shokë! Çështjen unë e përmbledh kështu: që këshilltarët sovjetikë, i merrnin informacionet, kur ne s’kemi pas dhënë asnjë urdhër që ata t’i merrnin. Ti, Kadri, asnjë material nuk ke që të na e vërtetosh këtë gjë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, ashtu është.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë ju i keni lejuar këshilltarët sovjetikë të merrnin çdo informacion, të merrnin çdo dokument nga ministria. Është kështu?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, kështu është.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo i zgjidh të gjitha.

SHOKU KADRI HAZBIU: I zgjidh, po t’i zgjidh drejt shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, s’ka se si t’i zgjidh ndryshe. Drejt do t’i zgjidh, me domosdo. Ata që kanë bërë faje, i ka arrestuar, futur nëpër vrima Partia, i ka zgjidhur drejt. Po ta shikosh çështjen me objektivitet, Partia drejt i ka zgjidhur të gjitha çështjet, vetëm nga armiqtë mund të akuzohet Partia se, nuk i ka zgjidhur drejt çështjet. Nuk e akuzojnë dot Partinë armiqtë, ajo ka qenë kurdoherë zemërgjerë dhe ka pritur momentet dialektike, që të vërtetoheshin gabimet, nuk ka vepruar kurrë me nxitim, merr një informacion kundër dikujt dhe vepro pa e verifikuar, t’i hedhë dorën. Po të vepronte kështu Partia, kjo do të ishte katastrofë, po ajo vepron kur piqen momentet. Vija e Partisë është e shëndoshë, marksiste-leniniste, prandaj ua mbështolli rrugët armiqve dhe trak zuri një, trak zuri dy, zuri të tretin, zuri të katërtin e kështu të gjithë të tjerët me radhë. Çështja qëndron në atë që vija e Partisë gjithnjë ka qenë e drejtë, prandaj Partia drejt do t’i gjykojë të gjitha. Kështu do t’a gjykojë edhe çështjen tënde, drejt.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë kam besim për këtë, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Ke besim thua me fjalë, se ti nuk ke besim te Partia, se po të kishe, nuk ia thuaj asaj troç, se si ishin çështjet. Unë po të siguroj ty, se po të vesh në mbledhjen e Komitetit Qendror kështu, me këtë pre dispozicion që erdhe këtu, nuk siguroj se çdo të ngjasë atje me ty.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë shoku Enver, me ndërgjegje them se këto ngjarje kanë ndodhur, po gjithmonë kam menduar se këto dihen. Ky përbën një faj dhe përgjegjësinë e mbaj unë për këtë, nuk ia ngarkoj Komitetit Qendror këtë gjë, për këtë jam i ndërgjegjshëm.

SHOKU PALI MISKA: Po ato që di, pse s’ia thua atëherë Komitetit Qendror?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, po, i’a them mo shoku Pali, po atje dokumente kanë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mirë, mirë, edhe ne do të themi mendimin tonë për të gjitha ato.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ky është mendimi im.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ne e kemi lexuar autokritikën tënde.

SHOKU ENVER HOXHA: Ke ndonjë çështje tjetër, që nuk është ezauruar me Kadrinë?

SHOKU RAMIZ ALIA: S’ka tashti, unë mendoj të fillojmë me diskutimet.

SHOKU ENVER HOXHA: Me diskutimet, dakord. Atëherë, kush ka për të diskutuar?

SHOKU SIMON STEFANI: Duke u njohur me dokumentet e rëndësishme të Partisë, të cilat bëjnë fjalë për shkelje të rënda të vijës së saj, për veprimtarinë e organeve të Punëve të Brendshme të drejtuara nga shoku Kadri, që kur ka qenë fillimisht zëvendësministër dhe pastaj ministër i Punëve të Brendshme, del qartë përgjegjësia shumë e rëndë e këtij shoku.

Gjatë gjithë periudhës që Kadriu ka qenë në krye të këtij dikasteri, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre armiqësore kundër Partisë dhe të shtetit tonë nga grupe të ndryshme armiqsh, që janë drejtuar nga krye agjenti Mehmet Shehu. Është fakt se në krye të këtyre grupeve armiqësore janë përfshirë kuadro kryesore të organeve të Sigurimit të Shtetit.

Kjo do të thotë, se në vend që Sigurimi i Shtetit të zbulonte këtë veprimtari armiqësore, kuadro me përgjegjësi të këtij sektori janë vënë në shërbim të agjenturave të huaja kundër Partisë dhe të shtetit tonë. Të gjitha grupet më të rëndësishme armiqësore, janë zbuluar deri më sot nga Komiteti Qendror dhe shoku Enver, të cilit i është dashur të luftojë, si kundër armiqve të brendshëm ashtu dhe kundër armiqve të jashtëm dhe në kushte mjaft të vështira.

Pra, dikasteri ku keni punuar ju si ministër, nuk ka punuar për zbulimin e kësaj veprimtarie armiqësore, që zhvillohesh kundër Partisë dhe të shtetit tonë. Ju në autokritikën me shkrim që i keni drejtuar Byrosë Politike, nuk zbërthemi psenë e këtyre gabimeve që keni kryer kundër Partisë dhe të shtetit tonë. Argumentet që jepni, nuk janë bindëse, ato nuk nxjerrin rrënjët ideologjike dhe konceptet që të kanë çuar ty në këtë rrugë të gabuar dhe shumë të rrezikshme.

Ato që shënon ti në autokritikën tënde, për ç’arsye nuk i ke zbërthyer mirë direktivat e Partisë, me kuadrot e dikasterit, po ta them unë, se ty të ka munguar kurajoja, për t’i thënë problemet para Partisë, se ti i je nënshtruar presionit të armiqve, etj., ato nuk zbërthejnë dhe nuk nxjerrin shkaqet, pse ke rënë në këto gabime.

Për mendimin tim, direktivat e Partisë, si për të gjitha problemet dhe fushat e tjera të veprimtarisë së saj dhe të shtetit tonë, edhe për çështjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë të qarta, të shkruara dhe të zbërthyera mirë, por nga ana juaj ka munguar dëshira për t’i studiuar dhe pre dispozicioni për të mos i zbatuar me kujdes dhe me partishmëri nga ty dhe nga vartësit e tu.

Duke punuar jashtë këtyre rregullave dhe normave, ju dhe vartësit e tu e keni vënë vetën mbi vijën e Partisë, mbi normat e saj. Këto dhe veprime të tjera kanë kultivuar te një pjesë e kuadrove të Sigurimit të Shtetit, se puna dhe veprimtaria e tyre është jashtë kontrollit të Partisë dhe organeve të pushtetit. Jo, Partia kurdoherë e ka treguar qartë se organet e Punëve të Brendshme, janë një levë dhe armë e mprehtë në duart e saj.

Po ashtu, nuk është e vërtetë që juve ju ka munguar kurajoja, për t’ia thënë hapur dhe në kohë problemet Partisë. Ju, mesa u kam dëgjuar unë në mbledhje dhe në takime të ndryshme, probleme më shumë keni ngritur për të tjerët dhe pak për punën tuaj dhe të organeve që keni mbuluar. Edhe ato probleme që keni ngritur për organet e Punëve të Brendshme, kanë qenë fare të parëndësishme, bile shumë të rëndomta, në krahasim me veprimtarinë armiqësore që zhvillohej në dikasterin tuaj.

Në qoftë se e dinit ose që e nuhasnit veprimtarinë armiqësore që zhvillohej përpara syve tuaj dhe nuk kishit kurajo t’ja thoshit Partisë, se bashkë me këtë, do dilte dhe përgjegjësia juaj, mirë do të ishte të na i thoshe sot në këtë mbledhje, për ç’asrye të ka munguar kurajoja.

Juve në autokritikën tuaj, thoni se keni rënë në presionin e armiqve që po vepronin, por nuk thoni se kur arritët në këtë konkluzion, pse nuk i jeni drejtuar me kohë Partisë, që t’ju ndihmonte, e t’ju nxirrte nga ky batak dhe ky moçal. Me që Partisë nuk i jeni drejtuar, pra nuk keni kërkuar ndihmën e saj, në heshtje keni qenë dakord me veprimet dhe qëndrimet e këtyre armiqve, që vepronin prapa shpinës së Partisë. Pra, ju u thyet përpara këtij presioni të armiqve, u latë këtyre fushë të lirë të vepronin kundër Partisë dhe popullit.

Byroja Politike dhe Komiteti Qendror i Partisë kanë analizuar veprimtarinë armiqësore të të gjitha grupeve që janë zbuluar në vendin tonë, ato kanë nxjerrë shkaqet, qëllimet, rrugët dhe metodat që kanë përdorur armiqtë kundër Partisë. Njëkohësisht, Partia ka caktuar edhe një sërë masash me karakter politik, ideologjik, ushtarak, etj., për të gjithë Partinë, levat e saj etj., për rritjen e vigjilencës dhe për zbatimin me përpikmëri të të gjitha normave të partisë dhe të ligjeve të shtetit.

Nga analiza që po bëjmë sot, del se ju dhe vartësit e tu nuk keni nxjerrë mësime, në bazën e punës tuaj nuk keni vënë zbatimin e këtyre detyrave që ka vënë Partia. Në kritikën që i bëtë Mehmet Shehut në mbledhjen e Byrosë Politike, ju nuk u dalluat për sjellje faktesh të reja, siç thoni në autokritikën tuaj. Për mendimin tim, duke u nisur nga posti që kishit si ministër i Punëve të Brendshme, sollët shumë më pak fakte se anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, në vend që të jepnin shumë më tepër se të tjerët, për demaskimin e tij.

Kështu ju nuk keni bërë si duhet detyrën ndaj Partisë, për faktin se miqtë e t’u të afërt, kishin kohë që punonin si armiq të betuar të Partisë. Atëhere, pse thua se opinion të thuri lëvdata, pse mundohesh t’i japësh vetes atë meritë që nuk të takon? Vlerësimin dhe qëndrimin tonë ndaj veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut, e bënë drejt Plenumi i Komitetit Qendror dhe shoku Enver. Opinioni që ka arritur deri te ju, është një opinion i sëmurë, ndërsa opinion i Partisë, është që ju duhet të jepshit më shumë llogari, sepse këta armiq në shtabin e Ministrisë ku ju keni drejtuar për një kohë të gjatë, i keni lejuar të veprojnë pa asnjë pengesë.

Nga studimi i materialeve të reja që kemi gjetur, del qartë që pa asnjë pengesë, me dijeninë tuaj dhe pa marrë miratimin e Komitetit Qendror të Partisë, u keni dhënë sovjetikëve dokumente shtetërore tepër sekrete shumë të rëndësishme. Ky veprim i juaj përbën një shkelje të rëndë të vijës dhe normave të Partisë dhe të shtetit tonë që rregullojnë punën në organet Sigurimit të Shtetit.

Këto dokumente që u janë dhënë sovjetikëve nga ju, nuk janë përdorur me qëllim për të njohur me përmbajtjen e tyre studentët tanë që studionin në Bashkimin Sovjetik, siç pretendoni në autokritikën tuaj, me siguri faktet që atje kanë shtënë sovjetikët në dorë, i kanë përdorur si argumente për të goditur Partinë dhe udhëheqjen e saj.

Edhe pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik ju si ministër i Punëve të Brendshme, nuk morët mundimin të vinit në dijeni Komitetin Qendror të Partisë dhe të Sekretarin e saj të parë, për të gjithë veprimtarinë armiqësore që qe zhvilluar prapa shpinës së saj. Po ashtu edhe zbulimi i veprimtarisë armiqësore të bandës së Mehmet Shehut, ju përsëri nuk i thatë asgjë Komitetit Qendror, për këtë punë agjenturiale që është bërë nga sovjetikët në vendin tonë, etj.

Mosinformimi në kohë i Komitetit Qendror të Partisë nga ju, u ka lejuar armiqve për një kohë të gjatë të punojnë kundër Partisë dhe vijës së saj. Disa nga kuadrot që diheshin nga ju si agjentë të sovjetikëve, ose nga vende të tjera revizioniste, qenë vënë në poste dhe vende drejtuese me rëndësi, me dijeninë dhe me propozimin tuaj. Pra këto çështje diheshin nga ana juaj, prandaj pse ja mbajtët të fshehur Partisë? Edhe kur janë zbuluar armiqtë nga Partia, qëndrimi i Kadri Hazbiut përsëri ka qenë pasiv, aspak aktiv.

Të çudit fakti që, gjatë hetimit të veprimtarisë armiqësore të puçistëve dhe të armiqve të tjerë, janë bërë përpjekje e manipulime të shumta nga ana e armiqve për të mos zbuluar fijet që lidheshin me Mehmet Shehun dhe bandën e tij, kurse ju thoni se gjoja keni punuar natë e ditë dhe nuk dini gjë për këto veprime. Në qoftë se ju, si drejtues kryesor i Ministrisë, nuk jeni marrë me këta armiq të rrezikshëm, për të zbuluar në thellësi veprimtarinë e tyre armiqësore dhe për të gjetur fijet se me kë lidheshin këta, atëhere vihet me të drejtë pyetja: me se jeni marrë?

Për mendimin tim, dy janë përgjigjet që mund të sqarojnë këtu këtë çështje: ose ju e keni ditur për këto manipulime dhe keni heshtur, ose me ndërgjegje e keni neglizhuar detyrën që ju kishte ngarkuar Partia. Unë jam me të parën, ju keni ditur dhe keni heshtur. Cilado nga këto dy variante, ju ngarkon me përgjegjësi të rëndë, sepse ju i latë dorë të lirë armiqve të vepronin si të donin, të fshihnin veprimtarinë e tyre armiqësore dhe të dëmtonin Partinë dhe rendin tonë politiko-shoqëror. Memorie.al

                                                                 Vijon numrin e ardhshëm

© Panorama.al

Te lidhura