“Kadare e Agolli, si ishte marrëdhënia e tyre gjatë diktaturës”

Apr 22, 2016 | 11:45
SHPËRNDAJE

Kushdo që sot mund të thotë se gjatë diktaturës mund të bëheshe trim e t’ia hidhje “pa u lagur”, është i pabesueshëm. Burgjet, internimet, pushkatimet, eliminimet brenda llojit dëshmojnë se çfarë bënte diktatura komuniste me kundërshtarët e vet, ose me ata që i mendonte si rrezik potencial. Madje mjaftonte një fjalë e hedhur ashtu edhe për shaka, që të përfundoje në birucë apo në ndonjë fshat të largët.

Rrjeti i spiunimit funksiononte si sahat. Të gjithë ruheshin nga të gjithë. Kur erdhën në Tiranë, në vitin 1982, dy profesorët e rinj francezë, Elisabeth dhe Jean-Paul Champseix, sigurisht që nuk e dinin këtë fakt.

Në fillim habiteshin e më pas trishtoheshin kur kolegët e tyre në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja përpiqeshin t’i evitonin sa të mundeshin gjatë shkollës, ndërsa jashtë saj bënin sikur nuk i njihnin. Këtë ndjenjë frike ata e kishin ndeshur edhe te shkrimtari Ismail Kadare, shkrimtari më i njohur shqiptar jashtë kufijve, të cilit ata ia kishin lexuar të gjitha veprat.

Ismail-Kadare-2

Në librin “Bulevardi Stalin Nr. 57”, i sapohedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Papirus”, nën përkthimin e ish-nxënëses së tyre Irena Rambi, çifti Champseix tregon për 6 vitet e qëndrimit në Shqipëri, që nga dita e ardhjes, deri në largimin e tyre. Episode tragjikomike për një kohë që na duket e largët, por që ka lënë gjurmë të thella te shqiptarët.

Gjatë këtij qëndrimi ata patën mundësi të përballeshin disa herë me shkrimtarin Ismail Kadare, i cili ashtu si edhe të tjerët, në disa raste ishte përpjekur t’i shmangte, ose ishte ndjerë në siklet në praninë e tyre. Ai ishte i survejuar, ashtu si edhe ata dhe çdo lëvizje raportohej dikur lart.

I vënë shpesh në syrin e ciklonit, i kritikuar, i ndaluar, Kadare kishte arsye të druhej. Ata nuk e quajnë bashkëpunëtor me regjimin, siç akuzohet. Madje, atyre që e pretendojnë këtë nga Perëndimi, u këshillohet të shkojnë e të jetojnë ca kohë në Tiranë.

NGA LIBRI …Disa muaj para ardhjes sonë në Tiranë, në mars 1982, pati ndodhur një ngjarje, e cila sqaroi gjendjen e shkrimtarit në mënyrë radikale. Vetëm Ramiz Alia i pati tërhequr veshin publikisht në mbledhjen e Plenumit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Në turbullirën e fundvitit 1981, lidhur me çështjen Shehu, të cilën nuk kish se si ta parashikonte, Kadareja kishte botuar një përmbledhje prej 12 tregimesh, e cila përfshinte edhe “Nëpunësin e Pallatit të Ëndrrave”. Aty, autori kishte krijuar në një pseudo-perandori osmane policinë e ëndrrave, që rrekej t’i pengonte komplotet e makinacionet në ngjizje e sipër në nënndërgjegjen e rebelëve, që as nuk e dinin veten të ishin të tillë… Alia nuk u lodh së kujtuari dogmat e realizmit socialist dhe së dënuari, si përherë, “skematizmin” dhe “konformizmin”.

Për herë të parë, Kadare u deklarua si “armik” në publik. Nuk është se iu përmend emri, por u kuptua për kë bëhej fjalë. “Tanimë, veprat e autorëve tanë botohen dhe ekspozohen jashtë shtetit. Kjo na gëzon, sepse në njëfarë mase tregon se krijimet tona janë të njohura dhe të vlerësuara edhe jashtë. Por, siç edhe sapo thamë, botimi dhe ekspozimi jashtë shtetit nuk mund të përbëjnë kriteret bazë për vlerësimin e veprave artistike dhe të autorëve tanë. Shkrimtari ose artisti krijon për popullin e tij. Në rast se vepra nuk ka vlerë për këtë të fundit, pak rëndësi ka se ku është botuar ajo”.

Duke qenë se në atë kohë Ismail Kadare ishte i vetmi autor i botuar jashtë Shqipërisë, nuk besoj se gabohemi po të pohojmë se kjo kritikë i drejtohej pikërisht veprës së tij. Kritikat e Alisë përbëjnë gjithashtu një shumë të të gjitha kritikave të mëparshme ndaj shkrimtarit, si për shembull se shkruan vetëm për një elitë të kufizuar romane plot me personazhe dhe se në veprat e tij tematika vjen nga e kaluara. Ndihen po ashtu edhe kritikat për “individualizëm” dhe “indiferencë ndaj shoqërisë”.

Më 1983-shin, ambasadori i Francës shtroi një koktej për të festuar nisjen për në Paris të një delegacioni shkrimtarësh dhe intelektualësh shqiptarë. Si zakonisht, shqiptarët erdhën në grup në orën 18:30. Pastaj zunë vend ulur nga ku nuk lëvizën më. Bisedat ishin lënguese dhe duhej të kishte vërtet shumë fantazi për t’i mbajtur gjallë ato shkëmbime të mërzitshme për vdekje.

Ismail Kadare ngjante si mbi gjemba. Dukej shumë i shqetë- suar sepse rivali i tij i pafat, por shumë më i fuqishëm, Dritëro Agolli, e mbikëqyrte nga afër dhe i hidhte vështrime vrasëse.

Ky cerber është autori më i vlerësuar në Shqipëri dhe drejton Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Gjithsesi, vepra e tij nuk është aq qesharake se sa ç’do të uronin manikeistët. Natyrisht që poezitë zyrtare mbi Partinë dhe Enver Hoxhën do e bënin edhe vetë Mallarme-në të vdiste top në vend, por dy nga romanet e tij janë me shumë interes.

“Njeriu me top” rrëfen historinë e një fshatari shqiptar që merr një top italian për t’i shpallur luftë personale fqinjit të tij, në zemër të konfliktit botëror. Kurse “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” bën një kritikë të guximshme ndaj burokracisë. Autor i nderuar në vendin e tij, por i panjohur jashtë, Agolli tërbohet kur sheh që Kadare del në pah dhe ia ka zili namin ndërkombëtar që ai vetë nuk do ta arrijë kurrë.

Krahasimi mes dy personazheve do të ishte i përsosur për të ilustruar këtë figurë stilistikore në shkollë. Agolli, shumë i rehatshëm dhe i këndshëm në poza, është qejfli me nam dhe e lëshon gojën nëpër biseda. Kurse Kadare ngjan me Droopy-n, qenin e trishtuar të Teks Averisë, me atë shikimin prej melankoliku fshehur pas syzeve të trasha.

I drejtuar dhe i rezervuar, ishte zhytur në një kolltuk dhe dukej se bënte ç’ishte e mundur që t’ia arrinte qëllimit të vetëm që kishte: si të harrohej nga të tjerët. U rreka t’i flas, por e kuptova shumë shpejt se i shkaktoja sëkëlldi. Kërkova thjesht të dija se ç’mendonte për përshtatjen kinematografike të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, të luajtur nga Mishel Pikoli. Kadare m’u përgjigj me fjalë njërrokëshe, duke hedhur tinëz vështrime plot ankth nga të ftuarit e tjerë shqiptarë, dhe sidomos nga Agolli i tmerrshëm. Elizabeta u ndie më e lumtur, sepse gjeti një subjekt bisede më pak të rrezikshëm, atë të baladave epike shqiptare, mbi të cilat Kadare sapo kishte botuar një studim.

Por enkas nuk e pyeti për tezën kryesore të studimit, sipas së cilës Shqipëria është djepi i legjendave ballkanike, por vetëm për mënyrën si ishin mbledhur këngët e studiuara. Për fat të keq, ai tha se qysh prej shumë kohësh nuk ishte bërë asnjë punë etnografike serioze dhe se studimet e fundit ishin të paraluftës. Kadare pohoi me trishtim se tradita e këngëve epike ishte zhdukur krejtësisht. Në një pritje tjetër në ambasadë, Kadare u largua në çastin kur po bëhesha gati t’i flisja. Dielli duket qysh në mëngjes, e kuptova se do të kaloja 6 vjet në Shqipëri pa biseduar dot me të.

KADAREJA DHE PUSHTETI

Pushteti, i cili i ka kërkuar disa herë Kadaresë të bëjë autokritikë, e sulmon atë në tri pika. Së pari për faktin që të gjithë librat, përveç “Dimrit të madh”, janë vendosur në një të shkuar të largët, çka interpretohet si një refuzim nga ana e tij për të shkruar mbi socializmin në ndërtim. Së dyti, kritikohet për pasionin për mitet, pasion që konsiderohet si një “mbeturinë fetare dhe reaksionare”, dhe së fundmi se e izolon veten nga populli për shkak të intelektualizmit të tij dhe dëshirës për t’i pëlqyer “botës kapitaliste”.

Kadareja u përgjigjej këtyre kritikave, si për shembull në një artikull të “Shqipëria sot” (nr. 6) në vitin 1984, duke i bërë jehonë Kongresit të Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku lavdëronte realizmin socialist dhe kritikonte “skematizmin” si “shfaqja më e keqe e ndikimeve borgjezo-revizioniste”. Kjo e metë, sipas autorit, tolerohet vetëm nga “njerëzit që kanë një koncept burokratik për letërsinë dhe artin”. Ja si jepet ideja mbi marrëdhëniet e mira që duhet të mbretërojnë në fushën e letrave.

Ai shton më tej se “duke mos pasur jetë”, “skematizmi” e lë lexuesin indiferent ndaj problemeve të ngritura”. Dhe e mbyll “kur një vepër letrare, në një pjesë teatrale ose në film, heroi pozitiv, për shkak të skematizmit, në vend që të ngjallë simpatinë e lexuesit, provokon tek ai antipati, kjo do të thotë se kjo vepër është e dëmshme, madje edhe e dëmton socializmin’.

E falënderoj nga zemra Kadarenë, i cili, në po të njëjtin artikull, ia ndalon “borgjezisë të përcaktojë se çfarë është apo jo realizëm socialist”, çka do të na e shmangë analizën më të gjatë të kësaj teorie pa objekt, të cilin vetëm stalinizmi gjenial mundi ta prodhonte. Zyrtarët e lartë rrekeshin ta vinin atë në të njëjtin rang me shkrimtarët e tjerë. Kështu, për shembull, kur ne shprehnim admirimin tonë për veprat e tij, bashkëfolësit nuk harronin të citonin autorët e tjerë “të vijës” për nga ana estetike ose politike, mes të cilëve të pashmangshmin Agolli. Botimet për të huajt, si për shembull “Fytyra e Shqipërisë” ose “Vështrim mbi RPS të Shqipërisë” e citojnë Kadarenë mes shumë autorësh krejt të panjohur. Historia e letërsisë shqiptare (1980) i kushton disa faqe me një ton të paqtë, duke cituar aty vetëm dy nga veprat e tij “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” dhe “Dimrin e madh”.

Shumë më tepër faqe i kushtohen aty Agollit. Edhe i trishti dhe i turpshmi udhërrëfyes, i quajtur Guida Nagel mbi Shqipërinë, botuar në 1988, vendin më të madh ia jep Agollit. Më 1982-shin, Kadareja kërcënohej nga pushteti dhe kishte kaluar disa vite të errëta. Pas vdekjes së Hoxhës, u rikthye përsëri në skenën letrare. Në dimër të 1986-s, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u përshtat në teatër. Pjesa duhet të luhej në Greqi në një festival, i cili u anulua. Regjia e Piro Manit ishte çuditërisht moderne dhe e gjithë salla dridhej kur në skenën e fundit, të vdekurit e mbështjellë me qese ngriheshin për t’i bërë nderet gjeneralit, i cili, njëlloj si Don Zhuani, i drejtohej ferrit. Ndikimi surrealist, të cilin Kadare nuk e mohon dot, ishte i ndjeshëm edhe në një skenë ëndrrash që i trembte studentët. Dukej se pjesa teatrale i pëlqeu edhe vetë Kadaresë. Sa keq që kjo pjesë nuk u luajt më në Tiranë! Gjendja e shkrimtarit u përmirësua dukshëm në 1987-n. Botimi nga Turkemada i Estetikës, të të madhit inkuizitor të të shenjtit realizëm socialist, Alfred Uçi, në revistën “Letrat Shqiptare”, e bekoi këtë ndryshim.

Në patosin e tij të paimitueshëm, ku bëhen amalgama nga më të çuditshmet, me një gjuhë të botës, ai i vë për detyrë vetes t’i ngjisë Ismail Kadaresë etiketën marksist-leninist. Kjo është një gënjeshtër e madhe, sepse të gjithë e dinë se veprat e Ismail Kadaresë u shpëtojnë kanoneve të realizmit socialist. Edhe vetë intelektualët shqiptarë nuk gabohen dhe e krahasojnë Kadarenë me Gabriel Garsia Markesin. Kadare nuk është influencuar as nga Gorki, as nga Brehti. Veprat letrare më me peshë për të janë ato të tragjikëve grekë dhe të Shekspirit.

Në parathënien e veprave “Eskili, ky humbës i madh”, ai nuk e fsheh aspak admirimin për kulturën greke. Gjithashtu, na pati thënë se qysh në moshën 11-vjeçare ekzistenca e një fantazme në listën e personazheve të një pjese të quajtur “Hamlet” e kish tërhequr te ky autor anglez, i cili vazhdon ta tërheqë mrekullisht”sepse trajton të gjitha problemet: jetën, vdekjen…” Megjithëse shkrimtar i njohur, Kadareja lexohet pak në vendin e tij. Për shkak të përmbajtjes së tmerrshme kulturore, ai prek vetëm një elitë shumë të kufizuar.

Universiteti e do, por e konsideron si të vështirë. Të shumtë janë studentët që pranojnë se e kuptojnë pjesërisht, kurse më të dobëtit pranojnë se nuk u pëlqen për shkak të aspekteve “të errëta”. Këta të fundit preferojnë Agollin me personazhet e tij stereotipe dhe situatat shabllone. Ata shprehen se një shkrimtar “duhet të kuptohet nga i gjithë populli”. I pyes nëse mendojnë se populli lexon. Më shikojnë me siklet, sepse e dinë që i kam shëtitur fshatrat kryq e tërthor. Ismail Kadare shkruan në një gjuhë shumë të veçantë, që nuk është e pranueshme për të gjithë.

Ai nuk e pranon shqipen tradicionale dhe as dialektizmat, çka përbën suksesin e Agollit, i cili e bën të flasë për shembull fshatarin me dialekt gegë, kurse punëtorin e Tiranës me të folmen e kryeqytetit. Kurse Kadare shfrytëzon mundësitë, fat ky i ëndërruar për shkrimtarët, që ofron situata gjuhësore e tashme kur specialistët e gramatikës shqiptare janë duke gdhendur një gjuhë kombëtare. Në këtë kuptim, Kadare e ndjek më shumë vijën sesa Agolli, por kjo e bën edhe shumë të vështirë në të lexuar. Kështu, për shembull, në vend të sintaksës së vjetër që e vë foljen në fund të fjalisë, ai preferon rendin kryefjalë, folje, kundrinë.

Shfrytëzon mundësitë e krijimit të fjalëve të reja me togfjalësha, duke qenë se shqipja e lejon këtë teknikë. Kadareja vetë na e ka pohuar se argëtohet me këtë, por nuk pranon se abuzon. Ithtarët e shqipes së vjetër letrare hidhen përpjetë përpara asaj që e konsiderojnë si një gjuhë kimike pa shije dhe pretendojnë pabesisht se është më mirë ta lexosh në frëngjisht! Kadare nuk pranohet gjithashtu nga shumica për arsye të stilit të tij, që ndahet nga tradita.

Kritikohet se shkruan enkas me një gjuhë të thatë dhe imateriale, e cila i përshtatet konceptit të shkrimtarit dhe distancës së nevojshme mes tij dhe artit që bën. Sipas disave, stili i tij është me nerv, i ftohtë. Mos duhet parë vallë ky ndikim i Hemingway-it. “Plakun dhe detin”, e të cilit autori e ka përkthyer në rini?

KADAREJA ELASTIK

Ismail Kadare nuk është as bashkëpunëtor i regjimit dhe as disident. Me hir apo me pahir, ai ka ditur të ruajë pavarësinë e tij prej artisti. Titulli i tij si deputet ka ardhur si pasojë e vullnetit të Partisë, por të gjithë e dinë se Parlamenti nuk ka asgjë në dorë. Kurse disidenca nuk ekziston ende në Shqipëri. Inteligjencia në lindje e sipër është shumë e kufizuar dhe nuk mund të gjejë mbështetje tek opinioni publik.

Pushteti, i cili e dominon me dorë të hekurt kulturën dhe mjetet e shprehjes, nuk toleron asnjë shprehje pavarësie në mendim. Të deklarosh diçka kundër regjimit është vetëvrasje dhe ata që në Perëndim e akuzojnë shkrimtarin për këtë, do të bënin mirë të shkonin të jetonin për disa kohë në Tiranë. Populli nuk gabon, e kupton drejt dhe e vlerëson Kadarenë për guximin dhe këmbënguljen.

Njëri syresh na pat thënë: “Kadareja është elastik, por gjithmonë merr formën e vet”. Ismail Kadareja nuk do të largohet nga Shqipëria për të jetuar jashtë, sepse nuk bëhet fjalë që ta braktisë familjen, e cila do të vuante shumë nga pasojat e rrepta. Por, nga ana tjetër, ai është një shkrimtar që i ka rrënjët në tokën e tij dhe vepra i merr kuptim duke pasur si sfond kulturën shqiptare. Ndoshta me të drejtë mendon se duhet të luajë rolin e tij në zhvillimin e vendit të vet.

Autoritetet e Tiranës e lënë të jetojë me aktivitetin prej shkrimtari me penë në dorë dhe i lejohet të lexojë të gjithë librat e gjendshim, që janë ndaluar për të tjerët. Megjithatë, na pati kërkuar një herë librin “Kujtimet e Hadrienit”, të cilin nuk e kishte gjetur dot. Ai i sjell vendit të vet valutë, çka në situatën aktuale është diçka që nuk mund të neglizhohet. Së fundmi, Ismail Kadare është i vetmi intelektual ndërkombëtar me të cilin Shqipëria mund të krenohej. Ai nuk është një shkrimtar konformist, që strehohet te rrëfimet e së kaluarës.

Shumë prej veprave të tij marrin një rezonancë të çuditshme për ata që e njohin Shqipërinë. Përshkrimet e Perandorisë Osmane të bëjnë të reflektosh dhe shumë pjesë nga “Dimri i madh”, që flasin për ingranazhet e pushtetit, mbi militantët komunistë të lajthitur, kufizimet e së drejtës së partisë dhe fotografitë e familjeve ku fshihen fytyrat e të “rënëve nga vakti”, meritojnë të lexohen me kujdes. Madje, fundi i romanit u kritikua zyrtarisht, sepse Besniku, heroi kryesor dhe interpreti i Enver Hoxhës, tronditet nga ngjarjet lidhur me ndërprerjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik dhe e ndërpret “pa arsye objektive” lidhjen me vajzën që donte…

al.mi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura