Jonida Vokshi: “Transformimi i look-ut ishte befasues, ja çfarë kam ndryshuar tjetër”

Aug 31, 2013 | 16:02
SHPËRNDAJE

Në fletët e kalendarit 2013, ajo ndryshon si të gjitha stinët e vitit. Në spotin e ri televiziv të “Digitalb”, Jonida Vokshi shfaqet unike dhe sensuale. Imazhi disavjeçar i kësaj platforme kthehet sërish në ekran me programin e saj, dhe si protagoniste në një serial të ri komedi. Në këtë intervistë tregon më shumë për konkurrencën mes vajzave-imazh, ambicien përtej bukurisë, dhe ç’mendon për dashurinë pa kushte:    
Në spotin e ri të “Digitalb” pamë  se ke prerë flokët e gjata që të identifikonin. Pse sakrifikove pikërisht flokët për këtë ndryshim në look?
Ishte një dëshirë e imja për të ndryshuar. Unë që fëmijë nuk i kam prerë kurrë flokët, pra asnjëherë s’e kisha parë veten me flokë të shkurtra. I kam pasur gjithmonë të gjata dhe ndaj mora guximin t’i pres. Impakti i parë në publik ka qenë pyetja: “Po pse?!” Thjesht u ka ardhur keq për një flok të gjatë të prerë shkurt. Më pas, jo vetëm u është mësuar syri me pamjen time të re, por edhe më kanë komplimentuar.
Meqenëse preve flokët e gjatë, i mbajte kujtim, apo i shite?
(Qesh) Jo, as njërën, as tjetrën. Flokët i mbajtën ato të sallonit ku u prenë. Unë ndihem aq rehat pa to, sa tashmë peshoj dhe më pak.
Dhe me këtë pamje të re ke realizuar spotin e këtij sezoni. Ku keni xhiruar?
Spoti ka lokacione të ndryshme. Kemi xhiruar në Drimadhes fillimisht, dhe disa skena të tjera janë realizuar në Tiranë te pishina e rezidencës “Kodra e Diellit”.
Krahas shfaqjes në ekran si imazh publicitar, herë pas here angazhohesh me projekte televizive. Këtë sezon si dhe ku do të të shohim?
Këtë sezon televiziv do të shfaqem si aktore në një serial të ri televiziv në gjininë komedi, të titulluar “Oh, sa mirë”, që do të transmetohet së shpejti në “Digitalb”. Seriali është një bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë, me regjisor Ilir Bokshin dhe ka bashkuar aktorët shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Roli im është ai i një prej studenteve, pasi ngjarja zhvillohet në një shkollë private…
Pas sa kohësh i rikthehesh aktrimit?
I rikthehem pas disa muajsh, pasi periudha kur fillova xhirimet e serialit “Oh, sa mirë” ishte shumë pak pasi mbylla shfaqjen “Klani i të divorcuarave” në Teatrin Kombëtar, me regji të Inis Gjonit.
Cilët janë aktorët e tjerë dhe ku janë bërë xhirimet?
Filmi është me 12 seri dhe është xhiruar në Prishtinë, ku unë luaj me aktorë si: Enver Petrovci, Xhevdet Jashari, Olta Daku, Eftiola Laçka, Helidon Fino dhe Koço Devole. Pjesa më e madhe e aktorëve janë studentë dhe një pjesë tjetër janë pedagogët e tyre, meqenëse flitet për një shkollë, ku janë mbledhur studentë të trevave dhe dialekteve të ndryshme shqiptare.
Dashurohesh në këtë serial, dhe çfarë tipi femre luan?
Nuk dashurohem me askënd, se jam tepër mendjemadhe dhe mendoj që askush aty nuk është në nivelin tim (qesh). Duke qenë se jam vajza e drejtorit të shkollës, jam dhe më e llastuara.
Atëherë me cilin aktor je më afër në rol, dhe si e përjeton këtë eksperiencë?
Me Enver Petrovcin, i cili është pronari dhe drejtori i shkollës, dhe unë jam e bija. Është shumë argëtuese dhe e lehtë të luash me Petrovcin, për shkak të profesionalizmit të tij. Pa dyshim është një kënaqësi dhe eksperiencë shumë e mirë.
Të luash në një film është ndryshe nga përvoja e të qenit imazh i “Digitalb”. Cila është ndjesia e të qenit imazh publicitar?
Krenari, nëse do të duhej ta përcaktoja me një fjalë. Më bën të ndihem përherë e më mirë, më e sigurt kur xhiroj një spot, më e realizuar, nga një spot te tjetri.
Dihet që pozicioni yt si imazh është i lakmuar. Si ndihesh në këtë konkurrencë?
Në fakt roli i një imazhi nuk është i përjetshëm dhe nuk është profesion, ndaj dhe unë nuk e ndiej këtë rrezik, pasi njëkohësisht më duhet të merrem me projekte që kanë të bëjnë me profesionin tim, e që vërtet dua të zgjasin përjetë.
Çfarë do të doje të provoje tjetër në televizion? Një program që të mbajë tërësisht emrin tënd e lakmon?
Asgjë, përveçse të çoja më përpara e të realizohesha më tepër në atë që po bëj. Jam e fokusuar në punën që kam marrë përsipër. E për sa i përket programit, do të fillojë sërish në kanalin “T” emisioni që tashmë njihet, por kësaj here do të vijë ndryshe në format dhe në përmbajtje. Nuk dua të zbuloj më shumë për momentin.

Jonida: Për aq kohë sa jetoj mes dashurisë pa kushte, i besoj
 E nis ditën herët në mëngjes, apo rri vonë në mbrëmje?
Fatkeqësisht, nuk kam një regjim stabël të gjumit. Varet nga sezoni dhe angazhimet që kam. Nëse më duhet të zgjohem herët në mëngjes, pushoj herët në mbrëmje dhe nëse më duhet të punoj vonë në darkë, zgjohem vonë në mëngjes. Por, gjithsesi, mundohem që orët e gjumit t’i bëj të plota.
Meqenëse portreti yt është në kalendarin e 2013-s, cila nga katër stinët të inspiron më shumë për të punuar?
Pranvera, meqenëse është stina kur unë kam lindur. Personifikon çeljen, lulet dhe ngjyrat që unë i dua shumë.
Jeta jote jashtë ekranit si është?
E thjeshtë dhe aspak e komplikuar, ashtu si jeta e kujtdo pas punës, apo profesionit që ushtron.
Për kë dhe për çfarë shpenzon më shumë kohë?
Për njerëzit që kam më të shtrenjtë. Për të afërmit e mi në jetë, ku pa diskutim vendin e parë e zë familja ime.
Në ç’mënyrë kujdesesh për pamjen tënde, bukurinë si e kuron?
Për pamjen time kujdeset grimierja dhe mikja ime e ngushtë. Ia lë asaj gjithçka në dorë kur flitet për ekranin. Për pamjen time në përditshmëri varet si zgjohem, se përveç ritualeve të zakonshme të mëngjesit, nuk bëj asgjë më shumë.
Dukesh e lumtur në ekran, je dhe realisht po kaq?
Jo, jam akoma më shumë dhe për këtë falënderoj Zotin!
Është dashuria një arsye që të bën të lumtur?
Po, jam e rrethuar nga dashuria dhe përkëdheljet dhe ndihem e bekuar për këtë gjë.
I beson dashurisë pa kushte?
Për aq kohë sa jetoj mes dashurisë pa kushte, i besoj. Dhe mendoj se dashuria vdes pikërisht kur fillojnë kushtet. Mbase jam tepër idealiste në këtë pjesë, por kështu e përjetoj unë.
Kur do të dëshiroje të ndryshoje statusin tënd, në cilën moshë?
Nuk kam në mendje një moshë të përcaktuar dhe nuk është e rëndësishme për mua. Ndryshimi i statusit do të vijë atëherë kur duhet. E rëndësishme është siguria dhe vendosmëria, jo mosha.
Si do ndiheshe nëse do t’ju konsideronin thjesht një kukull?
Do t’i merrja anën e mirë të medaljes., pasi kukullat janë të bukura dhe argëtuese.
Përveç delikatesës, në ç’rast të duhet të shfaqësh anën tënde të fortë apo agresive?
Në një rol, për shembull, ku personazhi do të ishte i tillë dhe do më duhej të gjeja dhe nxirrja nga vetja anë të miat, që mbase në jetën që bëj nuk janë të nevojshme t’i përdor. Sidomos agresiviteti, se me të qenurit e fortë njeriut i duhet të ndeshet shpesh e të jetë i tillë.
Çfarë të tremb më shumë në ditët që jetojmë?
Jo vetëm në ditët e sotme, por në çdo kohë më tremb humbja e njerëzve të dashur.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura