Ja qytetet më të pasura, Tirana ka 40% të parave

May 20, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

Tirana mbetet qyteti “më i pasur” në vend. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rritje të depozitave edhe në tremujorin e parë të këtij viti në kohën kur në shumicën e qyteteve s’ka pasur asnjë ndryshim krahasuar me fundin e 2014-s.

Banka e Shqiperise

Vetvetiu një tregues i tillë është i pritshëm pasi po flasim për kryeqytetin, ku është i përqendruar edhe aktiviteti ekonomik më i madh. Në totalin e tyre si tremujor i parë i këtij viti, krahasuar me periudhën dhjetor 2014, në sektorin bankar depozitat janë rritur me 92 milionë dollarë.

RRITJA
Në fund të tremujorit të parë të 2015-s në sektorin bankar për Tiranën rezultojnë 411.6 miliardë lekë depozita. Në fund të 2014-s kjo shifër ishte 405 miliardë lekë, pra me një rritje totale prej 6 miliardë lekësh apo 65 milionë dollarësh.

Rritjen më të madhe e kanë pasur depozitat në valutë me 5.9 miliardë lekë, ndërsa rritja e depozitave në lekë ka qenë me mbi 600 milionë lekë.


Qyteti i dytë me rritjen më të madhe të depozitave pas Tiranës është Durrësi. Në fakt, krahasimi i këtij të fundit me kryeqytetin është shumë larg. Konkretisht, sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, ka një rritje me 8 milionë dollarë në fund të marsit 2015 për depozitat në këtë qytet. Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të dhjetorit 2014 depozitat për këtë qytet ishin 86 miliardë lekë, ndërsa në fund të marsit 2015 86.8 miliardë lekë.

I treti në radhë është qyteti i Elbasanit, me një rritje të totalit të depozitave nga fundi i 2014-s në tremujorin e parë 2015 me 688 milionë dollarë, apo pak më shumë se 6 milionë dollarë. Shifrat tregojnë se në total në fund të marsit depozitat për këtë qytet ishin 59.6 miliardë lekë, kurse në tremujorin e fundit të 2014-s ato shënonin 58.9 miliardë lekë.

Qytete të tjera me rritje minimale të depozitave në fund të marsit janë edhe Lezha me 441 milionë lekë, Fieri me 337 milionë lekë, Shkodra me 258 milionë lekë dhe Vlora me 177 milionë lekë. Përgjithësisht vihet re një rritje e përgjithshme e depozitave sidomos në valutë, kurse ato në lekë kanë pasur rënie në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2014. Përveç qyteteve me rritje pozitive të depozitave, kemi edhe qytete ku kursimet e qytetarëve dhe bizneseve janë tkurrur.

ULJA E DEPOZITAVE
Korça është i vetmi qytet me një ulje të depozitave në tremujorin e parë të 2015-s krahasuar me atë paraardhës. Kështu ulja që del nga krahasimi i shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë është në një vlerë minimale prej 49 milionë lekësh.

Në mars 2015 depozitat për Korçën ishin 59.52 miliardë lekë, kurse në fund të dhjetorit 2014 59.57 miliardë lekë. Sakaq në ndarjen “Të tjera”, ku futen qytete të tjera më të vogla, shihet një rënie me 147 milionë lekë. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti, totali i depozitave për qytetet e tjera ishte 199.2 miliardë lekë, kurse në tremujorin e fundit të 2014-s niveli i depozitave ishte 199.3 miliardë lekë. 

NERTILA MAHO 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura