Itali, Leta kundër shkurtimeve: Theksi në rritjen ekonomike

Apr 30, 2013 | 11:44
SHPËRNDAJE
Enriko Leta

Në një fjalim në Parlamentin italian gjatë ditës së hënë, përpara se të merrte votëbesimin për qeverinë e tij, Kryeministri i ri Enriko Leta tha se qeveria e tij do të kërkojë një ndryshim të fokusit së Bashkimit Europian në masat e kursimit dhe do të nxisë rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Leta premtoi se reformat e tij do të kryhen në harkun kohor të 18 muajve dhe ato përfshijnë edhe heqjen e taksës për shtëpinë e parë, të cilën e vendosi vitin e kaluar qeveria teknokrate e Mario Montit, një taksë jopopullore që shkaktoi shumë pakënaqësi në Itali. Leta premtoi edhe reformë për financimin e partive nga taksat e popullit. Kryeministri i ri tha se Italia nuk mund ta përballojë që të fokusohet thjesht në përpjekjet për të shkurtuar borxhin e saj të madh publik dhe i nevojitej një theks i veçantë në nxjerrjen e ekonomisë nga recesioni. “Do të sillem si një baba i mirë në një familje. Nuk duhet t’ua shkarkojmë borxhet gjeneratave në vazhdim”, tha ai gjatë fjalimit të tij që u prit me duartrokitje. Marrja e votëbesimit në dhomën përfaqësuese ishte i parashikueshëm, pasi qeveria e Letës që përfshin një koalicion të gjerë, ka mbështetjen e Partisë Demokratike të krahut të majtë, PDL-së së krahut të djathtë dhe koalicionit të qendrës së Mario Montit. Sot, Leta pritet të marrë edhe votëbesimin në Senat e më pas do të niset për udhëtimin e tij të parë zyrtar si kryeministër në Gjermani, ku do të takohet me kancelaren Angela Merkel.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura