“Ishte qershia mbi tortë”, rrëfimi i kineastit Leka Bungo: Shpresa kishte meritën kryesore të suksesit që pati ‘Mirela’, një aktore e vërtetë

Oct 29, 2019 | 14:55
SHPËRNDAJE
SHPRESA BERDELLIMA,  (MAJTAS) LEKA BUNGO
SHPRESA BERDELLIMA, (MAJTAS) LEKA BUNGO

ANILA DEDAJ/ “Nuk është thjesht një vajzë e bukur, ajo është një aktore e bukur”. Shkrimtari Ismail Kadare, ndër spektatorët e parë të shfaqjes “Mirela”, i impresionuar nga interpretimi i protagonistes e përkufizon aktoren Shpresa Bërdëllima me këto fjalë.

Kineasti Leka Bungo, pas më shumë se 3 dekadash me hidhërimin e ndarjes së parakohshme nga jeta të koleges e mikës së tij pas një sëmundje të rëndë, rrëfen episodin e të talentuarën, Shpresën e vëmendshme në sheshxhirim duke ia kushtuar asaj meritën kryesore të suksesit të shfaqjes “Mirela”, ku ai pati përgjegjësinë e tekstit dhe regjisë.

Pavarësisht afro 3 dekadave mungesë në teatër e kinema, publiku e kujton ende me dashamirësi, që nga roli i saj i parë te “Guna përmbi tela”, ku Ilia Tërpini e përzgjodhi mes gjimnazistëve të “Petro Ninit”, e deri te “Flutura në kabinën time”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Era e ngrohtë e thellësive” etj. Ndarja nga jeta në moshën 60-vjeçare e Shpresës ka prekur kolegë e miq të saj. LLarja, Bungo, Prifti e Malaj rrëfejnë kujtimet nga Shpresa në sheshxhirim dhe takimet e fundit me të…

LEKA BUNGO: HUMBJE E PAZËVENDËSUESHME, ISHTE NJË AKTORE E VËRTETË!

Kineasti Leka Bungo ka bashkëpunuar disa herë me aktoren e ndjerë Shpresa Bërdëllima në varietenë e Tiranës ku ishte regjisor, edhe pse komedinë (më pas telekomedinë 1988) “Mirela” e konsideron si një nga pikat kulminante. Si regjisor e skenarist i kësaj pjese, Bungo rrëfen se Shpresa plotësonte të gjitha karakteristikat që ai kërkonte për protagonisten.

“Ishte një aktore e ngrohtë, një aktore e vërtetë, që interpretonte në mënyrë reale. Gjykimi im, u plotësua nga pritja e spektatorëve”, tregon kineasti.

Veçon te Shpresa kujdesin që ajo i kushtonte çdo detaji, çdo sugjerimi në sheshxhirim.

“Ishte një aktore shumë e vëmendshme, çka është kryesisht karakteristikë e aktorëve të zotë… Fatkeqësisht, një pjesë e aktorëve, qofshin edhe me shkollë, ndodh të tregohen të paduruar, të papërqendruar në krijimtari. Ndryshe ndodh shumicën e herëve me aktorët e aftë… talenti në njëfarë mënyre i nxit të jenë edhe më punëtorë, më të përulur e të vëmendshëm, e pjesë e këtyre aktorëve, që unë i quaj aktorë të vërtetë, ishte edhe Shpresa”. 

Bungo ia dedikon asaj meritën kryesore të suksesit që pati ‘Mirela’.

“Pritja e ngrohtë që i bënë spektatorët, më shtyu ta shkruaja edhe si skenar, e ta xhironim si telekomedi në bashkëpunim me Radio-Televizionin Shqiptar. Aleksandër Lalo kompozoi një muzikë të jashtëzakonshme, e po aq e bukur ishte edhe koreografia e baletmaestros Agron Alia. Punë të shkëlqyer bëri edhe Pali Kuke si drejtor fotografie, Jorgo Papingji me tekstet, po ashtu edhe aktorët si Agim Bajko, Marjana Kondi e Vasillaq Vangjeli, megjithatë qershia mbi tortë ishte Shpresa”, tregon ai.

Bungo rrëfen, se midis të tjerëve, shfaqjen “Mirela”, ku Shpresa ishte protagoniste, e vlerësoi edhe një spektatorë i veçantë.

“Kur ne bëmë provat gjenerale, kujtoj se i pranishëm bashkë me Helenën ishte edhe Kadare. Shkrimtari foli me superlativa për shfaqjen, duke u shprehur se: ‘Është bërë një punë shumë e mirë, ka për t’u pëlqyer’”.

Ashtu si dhe vetë Bungo, duket se edhe Kadare meritat kryesore për suksesin e shfaqjes ia vesh interpretimit të Shpresës, për të cilën thotë se: “Ajo nuk është thjesht një vajzë e bukur, është një aktore e bukur”.

Kineasti tregon më tej se edhe pas bashkëpunimit në kinema, me Shpresën ruajtën raporte shumë të mira.

“Kemi pasur miqësi familjare, ajo ishte jo vetëm një aktore e shkëlqyer, por edhe një grua e rrallë. Humbja e saj është një ngjarje e rëndë… Kemi humbur një aktore të mrekullueshme dhe pesha e saj si artiste ndihet në punët që la pas. Largimi fizik i Shpresës është nga ato humbje që quhen të pazëvendësueshme”, thotë Bungo.

1572204946_shpresa SHPRESA-BERDELLIMA-3 SHPRESA-BERDELLIMA-8-700x394 SHPRESA-BERDELLIMA-7-700x394 Shpresa-Berdellima2-601x450

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura