“Ishte patriarkal”- Zbardhet vendimi i divorcit të 23-vjeçares së vrarë/ Çfarë deklaronte Sabrina Bengaj në seancën që i dha fund martesës 8-vjeçare

Sep 24, 2021 | 12:00
SHPËRNDAJE

SAIMIR LLESHI/ MAJLINDA RAMA- Pas vrasjes së 23-vjeçares, Sabrina Bengaj, nga fshati Zhupan i Fierit nga ana e ish-bashkëshortit të saj, prindërit e së ndjerës, Partizan dhe Valentina Benga, i janë drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, ku kanë bërë regjistrimin e çështjes me objekt padie heqje e përgjegjësisë së Elton Metajt mbi vajzën 3- vjeçare të çiftit, e cila vitin e fundit ka jetuar bashkë me të ëmën te gjyshërit.

sabrina bengaj elton metaj1

Në këtë mënyrë, ata kanë paditur në Gjykatën e Fierit, vrasësin e vajzës së tyre Elton Metaj, duke kërkuar që t’i hiqet kujdestaria e vajzës së mitur N. Benga. Kjo padi është dorëzuar në gjykatë nga avokati, Saimir Visha. Mësohet se prindërit e 23-vjeçares, kanë kërkuar që babai vrasës i mbesës së tyre të mos jetë më kujdestar për të dhe të mos ketë asnjë të drejtë që ta takojë atë. Në kërkesën e tyre, bëhet e qartë se ata janë të gatshëm të kujdesen vetë për të miturën.

“Prindërit e 23-vjeçares së vrarë, Sabrina Bengaj, kanë kërkuar që vajza e mitur N.B të mbetet nën kujdestarinë e tyre dhe jo në atë të ish-dhëndrit, i cili momentalisht ndodhet në burg pas krimit makabër që kreu ndaj ish-bashkëshortes së tij 23-vjeçare. Kjo padi është dorëzuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier nga avokati Saimir Visha”, citohet nga Gjykata i Fierit.

“KISHTE MENDIME PATRIARKALE”

Sabrina Bengaj që ishte martuar në një moshë fare të re me Elton Metajn, i dha fund martesës edhe në rrugë ligjore me të më 25 shkurt të këtij viti. Zgjidhja e martesës është bërë në Gjykatën e Fierit, ndërsa vetë Metaj ishte në Burgun e Zaharisë në Krujë. Ai nuk e pranoi asnjëherë ndarjen, derisa ndërmori aktin tragjik, atë të vrasjes. Në vendimin e arsyetuar të gjykatësit, Alfred Konomi, një kopje të së cilës e zotëron gazeta, bëhet me dije se 23-vjeçarja, ka deklaruar se bashkëshorti i saj kishte mendime patriarkale.

“Paditësja deklaroi se fillimisht kanë kaluar mirë, por me kalimin e kohës i padituri nuk e lejonte paditësen të vazhdonte shkollën dhe të punonte pasi ishte me mendime patriarkale. E paditura, duke qenë se është martuar në moshë të re, i është nënshtruar dhunës psikologjike dhe fizike të të paditurit”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Përpos këtyre pretendimeve, ajo që i dha krisjen përfundimtare martesës së tyre, data 17 shtator të vitit 2020, ku Sabrina Bengaj ka parë bashkëshortin në foto me një femër tjetër.

“Më datën 17.09.2020 paditësja ka parë disa foto të paditurit në ‘Facebook’ të shoqëruar me një vajzë tjetër, është tronditur nga sjellja e të paditurit dhe bashkë me vajzën është larguar për në banesën e prindërve në Zhupan. I padituri e ka kërkuar dhe kërcënuar që paditësja të kthehej ne banesën bashkëshortore. I padituri ka shkuar të banesa e prindërve të paditëses për ta marrë në banesën e tij, por ka ndërhyrë forcat e Policisë dhe e kanë neutralizuar”, thuhet më tej në vendimin e Gjykatës. Në vendim thuhet gjithashtu se, Gjykata konstaton se “kjo martesë nuk funksionon më dhe e ka humbur qëllimin për të cilën është lidhur dhe vullneti i paditëses për zgjidhjen e martesës është real”.

VRASJA

Sabrina Benga u ekzekutua me kallashnikov në shtëpinë e babait të saj mbrëmjen e 11 shtatorit, teksa po hante darkë. Ish-bashkëshorti, Elton Metaj, pasi doli nga burgu në muajin korrik, tentoi të ribashkohej me 23-vjeçaren. Pas arrestimit, Gjykata e Fierit e ka lënë në burg pa afat 31-vjeçarin Elton Metaj. Nga paraburgimi ai ka shkruar një letër në të cilën pretendonte se i kishte rregulluar marrëdhëniet me ish-gruan, duke fajësuar babanë e saj si shkaktar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura