Ishte kthyer në tmerrin e bizneseve, si u prangos në Itali i arratisuri nga Komisariati i Fushë-Krujës 6 vite më parë

Feb 10, 2022 | 13:20
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Ishte vetëm 22 vjeç kur në një mbrëmje do të përleshej me policët e Komisariatit të Fushë-Krujës, do të kalonte murin rrethues dhe do të zhdukej për të mos u kapur deri para dy ditësh në Itali.

Edison Pulaj dhe Imer Masha

Në kohën e arratisjes, Policia e Shtetit bëri me dije se kishte mbyllur kufijtë dhe ishte e sigurt që i arratisuri nuk mund të arratisej jashtë vendi, por kjo nuk ishte e thënë. Edison Pulaj, i vënë nën akuza të rënda kriminale, pasi emrin e tij e lidhnin me një atentat me C4 ndaj një efektivi Policie, u largua për të mos u arrestua asnjëherë më nga Policia jonë. Ai u vendos në Itali, nga ku mësohet se kishte nisur aktivitetin kriminal në fushën e grabitjeve, dhe Italia e ka arrestuar, por për llogari të vet.

ARRESTIMI

Hetimet për një bandë grabitësish në Veriun e Italisë dhe Trentino kanë dërguar në pranga një shqiptar të shumëkërkuar. Bëhet fjalë për një të dënuar me 20 vite burg, i cili është arratisur nga Komisariati i Policisë në FushëKrujë më 22 dhjetor të vitit 2016.

Prej më shumë se 5 vitesh, Edison Pula duket se ka jetuar i qetë në Itali, ku edhe kishte vazhduar me “profesionin” e tij për të rënë në pranga gjatë natës së të martës. Pula është arrestuar së bashku me një shqiptar tjetër, Imer Masha, edhe ky nga zona e Fushë-Krujës.

Kur Policia italiane ka verifikuar të dhënat e tyre biometrike, kanë zbuluar se i arrestuari ishte një person i rrezikshëm, i dënuar me 20 vite burg për një atentat me eksploziv ndaj ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje e ndodhur në Larushk dhe ku ishpolici ngeli i plagosur.

I DËNUARI

Edison Pula ishte anëtar i bandës së Niklës, i akuzuar për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjes në Larushk dhe për një sërë veprash të tjera penale. Edhe pse i prangosur dhe nën masa të rrepta sigurie, 21-vjeçari në momentin që zbriti nga furgoni, mundi t’u shpëtojë policëve. Ai ka kapërcyer murin rrethues, duke u larguar në drejtim të paditur.

Arratisja ndodhi gjatë kohës së transferimit të tij nga stacioni i Policisë së Fushë-Krujës në të Krujës. Uniformat blu ngritën postblloqe në rrugët kryesore dhe në të gjithë zonën, për të kapur 21-vjeçarin. Burime nga Policia bëjnë të ditur se dy policët që e shoqëronin u treguan të pakujdesshëm dhe janë ndaluar me pas nga kolegët e tyre.

Mbi Edison Pulën rëndojnë disa vepra penale, si “Vrasje me paramendim e ngelur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe mbajtje e armëve dhe municioneve luftarake”. Pula u prangos në 21 dhjetor së bashku me 8 anëtarë të tjerë të së njëjtës bandë. Sipas Policisë, ai është pjesëtar i grupit kriminal që organizoi atentatin ndaj Gentjan Bejtjes në fshatin Larushk të Krujës, atentat që Bejtja i shpëtoi, por më vonë ai vetë u bë objekt i një sërë akuzash. Emri i tij doli në skenë edhe pak javë më parë teksa iu bë një tjetër atentat në zonën e Niklës, por ai sërish mundi të shpëtonte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura