“Ishte fati ynë, përndryshe…”, gruaja tregon tmerrin: Shpëtuan nga shuli

Mar 25, 2018 | 20:23
SHPËRNDAJE

MAJLINDA RAMA/ Çifti i bashkëshortëve Minella dhe Elsa Muçi nuk e kishin menduar kurrë se mund të ishin viktima të një grabitjeje nga katër persona me armë dhe maska.

6ef972d8-e2fc-4897-bd93-e7015be7b9a1

Elsa Muçi, e frikësuar nga tmerri që ka përjetuar, nuk gjen fjalë për ta përshkruar atë që kaloi një natë më parë me bashkëshortin e saj. 63-vjeçarja e cilëson veten me fat që është ende gjallë.

Ajo thotë se vazhdimisht burri i tërhiqte vëmendje për mosvendosjen e shulit të derës. Por, nata e së premtes ishte një nga ato netët kur ajo nuk e harroi ta çonte porosinë e Minellës në vend. Brava e derës duket tërësisht e dëmtuar dhe dyshohet që autorët kanë përdorur çekiç dhe darë për ta hapur.

Znj. Elsa, ju ishit pre e një tentative për grabitje. A mund të na tregoni si ndodhi ngjarja?

Nuk di si ta përshkruaj, nuk arrij t’i gjej fjalët e duhura. Po flinim, pasi ishte ora rreth 03:00 e mëngjesit, por papritur dëgjuam një zhurmë që vinte nga dera. Pas pak çastesh kuptuam që po çmontohej brava e derës nga jashtë. Zoti e di sesi e kemi përjetuar atë situatë. Ishte një tmerr i vërtetë.

Pasi dyshuat se po ju grabisnin, si vepruat? I telefonuat Policisë?

Ishte gjëja e parë dhe e vetme që bëmë. Njoftuam Policinë sapo dëgjuam zhurmën e parë dhe po prisnim, nuk kishim çfarë të bënim tjetër. Na ka shpëtuar vetëm dryni i brendshëm i derës, të cilin nuk arritën dot ta shqyenin, se brava e derës jashtë ishte shpërthyer.

Derën e kishit mbyllur me dy siguresa?

Po. Kishte atë të çelësit dhe një lloz i derës nga brenda që na shpëtoi jetën. Nuk dimë. Unë e lija pa llozin gjithmonë dhe Minella më bënte llafe gjithmonë për këtë gjë, por për fat të mirë, e kisha vendosur mbrëmë. Ishte fati ynë. Përndryshe nuk e di se çfarë mund të kishte ndodhur.

Po thoni që autorët nuk arritën që të hynin brenda në apartamentin tuaj?

Jo,jo. Nuk hynë fare, se llozi hyn tejpërtej deri në mur dhe nuk arritën dot ta hapnin derën. Pavarësisht se u përpoqën për shumë minuta, pastaj erdhi policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura