Ish-të përndjekurit, ndryshon ligji. Nipërit e mbesat përjashtohen nga dëmshpërblimi

Apr 20, 2015 | 17:55
SHPËRNDAJE

Nipërve dhe mbesave të ish-të dënuarve që nuk jetojnë, u hiqet e drejta për të përfituar dëmshpërblim. Ata do të përjashtohen nga ky proces.

Gazeta zbulon nismën më të fundit të qeverisë. Në projektvendimin që pritet të kalojë shumë shpejt për miratim, parashikohet që të drejtën për të marrë dëmshpërblimin për vitet e burgut të bëra në komunizëm ta kenë veç bashkëshortit apo bashkëshortes, fëmijët si edhe motrat dhe vëllezërit, por jo nipërit dhe mbesat, sikundër është e përcaktuar në ligjin ekzistues.

Ish te perndjekur politike, duke protestuar ne Bulevardin Deshmoret e Kombit

PROJEKTVENDIMI

Projektvendimi i përgatitur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë bën disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Kështu, përfituesit e tretë ligjor do të përjashtohen nga procesi i dëmshpërblimit.

Në nenin 3 të draftit thuhet se: “Në kuptim të këtij ligji me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore vetëm pasardhësit, bashkëshortja, fëmija, fëmijët, vëllezërit dhe motrat”. Sakaq në ligjin e vjetër, i cili vijon të jetë në fuqi, në radhën e përfituesve janë listuar edhe nipërit dhe mbesat e ish-të përndjekurve që nuk janë gjallë. “Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish-të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave” thuhet në ligjin ekzistues.

 DOSJET JASHTË AFATIT

Sakaq, ish-të përndjekurit nga regjimi komunist që kanë aplikuar jashtë afatit do të trajtohen me dëmshpërblim. Në draftin e përgatitur është përcaktuar që dosjet e ish-të përndjekurve që bëjnë pjesë në kategorinë parësore, pra që jetojnë, të merren në shqyrtim, ndonëse kanë aplikuar jashtë afatit. Në ligjin bazë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve ishte përcaktuar që afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve në Ministrinë e Drejtësisë ishte data 1 korrik 2009.

Ky ndryshim që bëhet në nenin 19 të ligjit aktual, i cilëson këto aplikime të vlefshme, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë marrjes në shqyrtim të tyre. Por kjo nuk do të ndodhë me të gjitha dosjet, por vetëm me ato që janë depozituar nga ish-të dënuar që aktualisht janë gjallë. “Aplikimet e paraqitura pas datës 01.07.2009, nga subjektet e kategorive parësore konsiderohen të vlefshme”, thuhet shprehimisht në projektvendim. Pra, kategoria parësore që deri më sot ishte penalizuar për shkak se aplikimi nuk ishte bërë në kohë, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve që janë hartuar, do të nisë të trajtohet me dëmshpërblim.

Burime nga Ministria e Drejtësisë bëjnë me dije se janë mbi 3 mijë dosje të arkivuara që nuk janë marrë në shqyrtim, pasi binin në kundërshtim me kriterin kohor. Nga këto, mbi 500 mund të jenë nga radhët e ish-të përndjekurve që aktualisht janë gjallë. Vlen të theksohet edhe një herë se në kategorinë parësore bëjnë pjesë ish-të dënuarat femra, të dënuarit mbi 75 vjeç, ata që vuajnë nga sëmundje të rënda, ata që janë nën 65 vjeç, por kanë fëmijë në moshë të mitur, si edhe ish-të dënuarit që nuk janë gjallë, por kanë lënë trashëgimtarë minorenë në momentin që kanë hyrë në fuqi ndryshimet në ligj. Kjo e fundit përkon me muajin shtator të vitit që lamë pas.

APLIKIMET

Për shkak të marrjes në shqyrtim të dosjeve jashtë afatit, ka ndryshuar edhe afati për dorëzimin e kërkesave. Pra, për t’i bërë të vlefshme dosjet e ish-të dënuarve që janë gjallë, pavarësisht se bien ndesh me kriterin kohor, qeveria ka zhvendosur deri në fund të vitit afatin për aplikimet.

NGA ADA HAZIZOLLI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura