Ish-të pëndjekurit, Bode: I Japim paratë për 2 mandate

Oct 31, 2012 | 12:33
SHPËRNDAJE
Komisioni i Ekonomisë

Debatet te Ekonomia, edhe për pagesat e personave me aftësi të kufizuar.

Opozita: Shfuqizo pagën e referencës për ish-ushtarakët.

Tri nga kategoritë më të diskutuara në vend, siç janë ish-të përndjekurit, ish-ushtarakët dhe personat me aftësi të kufizuara, janë bërë pjesë e debatit dyorësh në Komisionin e Ekonomisë, ku mori pjesë ministri i Financave, Ridvan Bode.  Deputetët e opozitës, që ishin edhe nismëtarët e kësaj dëgjimoreje me kreun e Financave, kanë kërkuar detaje mbi trajtimin që bëhet aktualisht për secilën nga këto shtresa dhe mënyrës se si po zbatohet ligji.
Pagesa për invalidët
Ka qenë deputeti Arban Malaj ai që kërkoi sqarime nga ministri i Financave lidhur me pagesën që sot marrin sot peronat me aftësi të kufizuar. Sipas Malajt, këto shtresa së fundi kanë ngritur shqetësimin se masa e subvencionit që shkon për energjinë, telefoninë apo transportin, është e pamjaftueshme ose e paqartë, dhe se kriza ka dhënë efekte negative mbi këtë shtresë. “Ata ndiejnë se përfitimet e tyre janë cenuar rëndë, sidomos në fushën e energjisë. Përfitimet kanë zbritur 6-14 herë. Në përballimin e kostove të telefonit, që tashmë nuk është vetëm telefon, por është edhe mënyrë kontakti, përftimi është përgjysmuar. Është e paqartë skema e subvencionit të transportit, që do të ishte fillimisht 100 për qind për transportin urban dhe 50 për qind për transportin interurban”, tha Malaj. Lidhur me këtë çështje, ministri i Financave preferoi që të bënte një krahasim shifrash për përfitimet e kësaj shtrese aktualisht me ato të 2005-s, çka nuk u prit mirë nga opozita. Sipas Bodes, fatura sociale ka pësuar një rritje të dukshme nga viti në vit, duke arritur në 11 për qind e PBB-së. Sipas kreut të Financave, kriza e bën të vështirë situatën, por Shqipëria ka mundur që të ruajë ritëm rritjeje në përkrahjen e shtresave të kësaj natyre, në kohën kur vende të tjera kanë ulur shpenzimet.
Të përndjekurit
Dëmshpërblimi për ish-të dënuarit politikë ka qenë edhe pika ku u ndal më së shumti debati mes ministrit të Financave dhe deputetëve të opozitës. Deputeti i PS, Erjon Braçe, kërkoi sqarime lidhur me faturën financiare të të gjitha dosjeve të miratuara, si dhe me afatin se kur mendohet se do të përfundojë dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit politikë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, sqaroi se në total për ish-të përndjekurit sot janë 20 589 dosje dhe nuk mund të thuhet se ky është numri final, pasi një ndryshim ligjor i pak kohëve më parë hap rrugën për të tjera kategori të reja. Sipas Bodes, pranë Ministrisë së Financave janë paraqitur për t’u bërë pagesa 11 mijë e 729 dosje që përfitojnë dëmshpërblim të menjëhershëm në formën e kësteve. “Nga 11 729 dosje që kanë ardhur, janë 10 016 dosje që kanë marrë këstin e parë dhe përbëjnë 85 për qind të të gjitha dosjeve. Pjesa tjetër që s’ka marrë ende këstin e parë ka të bëjë me kategoritë e personave që kanë ende probleme për vërtetimin e të drejtës së trashëgimisë, ose probleme të tjera që lidhen me hapjen e llogarive apo ndodhen jashtë vendit. Janë 1632 dosje që kanë marrë këstin e dytë rreth 13-14 për qind”, tha Bode. Deputetët e opozitës insistuan për një afat se kur mund të përfundojë ndarja e 46.6 miliardë lekëve, që është në total kostoja e dosjeve që kanë kaluar te Financat. Lidhur me këtë, Bode sqaroi se maxhorancës do t’i mjaftonin dy mandate për të përfunduar komplet procesin. “Janë tetë këste. Në një mandat qeveria ndan dy këste. Nëse ju do të bini dakord për ta votuar ligjin e buxhetit në Parlament, unë do t’ju sjell propozimin që brenda vitit 2013 të përfundojë shpërndarja e këstit të dytë. Ju mund ta paguani për 26 vite, kurse ne mund të themi që do ta paguajmë brenda dy mandateve gjithë detyrimin. Kjo është çështje e angazhimit dhe programit të partive politike. Është çështje e vullnetit politik”, tha Bode.
Ish-ushtarakët
Një tjetër çështje për të cilën opozita u interesua ishte ajo e ish-ushtarëve dhe akti normativ i 2010-s, që sipas saj, bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas opozitës, duhet që akti normativ me fuqi prapavepruese të shfuqizohet dhe të miratohet një tjetër, pasi ai prek interesat e kategorisë së ish-ushtarakëve, duke iu ulur edhe përfitimet. Kjo çështje, nga ana e ministrit Bode, u trajtua si një korrigjim që qeveria ka bërë lidhur me një gabim, sipas tij, të opozitës, e cila në vitin 2005 zgjeroi hapësirat për përfitimin e pensionit të parakohshëm nga ish-ushtarakët, çka solli probleme në gjithë skemën.

Shifrat
. Janë shpërndarë 2009-2012, 6.5 miliardë lekë

. Janë gjithsej në Ministrinë e Drejtësisë 20 589 dosje

. Janë në Ministrinë e Financave 11 729 dosje

. Janë 10 016 dosje që kanë marrë këstin e parë dhe përbëjnë 85 për qind të të gjitha dosjeve

. Janë 1632 dosje që kanë marrë këstin e dytë rreth 13-14 për qind

. Deri më tani, në fund të muajit të kaluar ishin paguar për këstin e parë 4 miliardë 817 milionë lekë

. Për këstin e dytë janë paguar 918 milionë
Numri prej 11 mijë 729 dosjesh të miratuara përbën një fond total 46 miliardë e 637 milionë lekë, që duhet t’u jepet ish-të dënuarve

Debati
Personat me aftësi të kufizuar
Arben Malaj: E vërteta është që kriza globale godet më shumë grupet që janë më të ekspozuara, dhe ky grup fatkeqësisht është ai që e ndien më rëndë peshën e krizës. Ata kanë argumentuar ligjin dhe aktet nënligjore kanë krijuar disa pasoja negative. Ata ndiejnë se përfitimet e tyre janë cenuar rëndë, sidomos në fushën e energjisë. Përfitimet kanë zbritur 6-14 herë.
Ridvan Bode: Dinamika e faturës sociale në vend ka qenë e shpejtë dhe ka ndodhur në kah të kundërt me ato që kanë ndodhur në pjesën e eurozonës. Në vitin 2005 fatura sociale llogaritej në buxhet me një vlerë 6.7 për qind të PBB-së, dhe në kushtet kur vëllimi i shpenzimeve ishte 33 deri 34 për qind e PBB-së. Sot në buxhetin e shtetit kjo faturë zë rreth 11 për qind të PBB-së, që orientohet për të asistuar, ndihmuar dhe përkrahur këto shtresa.

Ish-të dënuarit politikë
Erjon Braçe: Do doja të dëgjoja prej jush një informacion që përfshin faturën e plotë financiare. Së dyti, atë që kërkon dhe ligji, skemën e plotë të financimit me afate kohore dhe në vlerë, detajuar për secilin prej afateve. Së treti, numrin e përfituesve të verifikuar deri tani dhe në raport me faturën financiare. Do të doja të dija vlerën e paguar deri tani për secilën nga këto kategori, që përcakton nenin 6 të këtij ligji.
Ridvan Bode: Prej vitit 2009 skema është në ekzekutim dhe janë likuiduar në adresë të përfituesve të kësaj shtrese, në zbatim të plotë të ligjit 6.5 miliardë lekë deri sot. Numri i dosjeve  të pranuara që ndodhen në protokollin e Ministrisë së Drejtësisë janë 20 mijë e 589, por jo të gjitha kanë të bëjmë me përfitime të kësaj natyre, që kanë të bëjnë me dëmshpërblim në këtë skemë. Tani numri i dosjeve që deri më sot janë miratuar dhe janë paraqitur në Ministrinë e financave për t’u paguar është 11 mijë e 729 dosje, dhe këto dosje përfitojnë dëmshpërblime të menjëhershme në formën e kësteve, sipas përcaktimeve të ligjit. Nga 11 729 dosje që kanë ardhur, janë 10 016 dosje që kanë marrë këstin e parë dhe përbëjnë 85 për qind të të gjitha dosjeve. Janë 1632 dosje që kanë marrë këstin e dytë, rreth 13-14 për qind. Bëhet fjalë për një numër prej 11 mijë 729 dosjesh të miratuara dhe për një fond total që është 46 miliardë e 637 milionë lekë. (Bode përmend faktin që opozita nuk ka votuar fare ligjin për të dënuarit politikë).
Erjon Braçe: Kjo historia që ju nuk keni votuar dhe ne nuk kemi votuar, natyrisht që nuk qëndron dhe, mbi të gjitha, nuk i shërben as çështjes në fjalë.
Edmond Spaho: Ju asgjë s’u keni dhënë të përndjekurve, por kupolës ia kanë dhënë.
Erjon Brçe: A mund të vazhdoj?
Edmond Spaho: Vazhdo, vazhdo, se ti do t’i mbrosh të përndjekurit politikë.
Erjon Braçe: O Mondi, ta kam thënë njëherë dhe po ta përsëris edhe sot, po për herë të fundit, se nuk do merrem më me ty. Sa vite i ke ti dhe ai që ke ti mbi kohë në Partinë e Punës së Shqipërisë, unë nuk i kam bërë jetë akoma.
Edmond Spaho: Më të pamoralët jeni ju.
Erjon Braçe: O Mond, ti e meriton një përgjigje tani, po unë nuk kam kohë ta tregoj. Do ta tregoj unë një herë tjetër se çfarë kam bërë.
Edmond Spaho: Po kot lodhesh, se vetëm ato vota merr, s’merr më shumë.
Erjon Braçe: Ore, ti e ke mendjen te votat, unë jo. E kupton? Ke lindur dhe je bërë si votë tani. Dhe ke ai rreshti parlamentar ku je, votë të konsiderojnë. Pra, zoti ministër, është mbi të gjitha çështje ligjore. Për këtë arsye, normalisht është mirë që t’i referohemi ligjit, jo vetëm ju si qeveri. Jemi të përfshirë të gjithë kur e kemi pranuar këtë ligj përpara qytetarëve. Mund të thotë zotëria çfarë të dojë. Por as ju, as zotëria, as kryetari i qeverisë, as ai i opozitës, nuk kanë para të tyret, janë të taksapaguesve shqiptarë.
Edmond Spaho: Po nga ato të kishe dhënë ndonjë në periudhën 1997-2005.
Erjon Braçe: Pra, për të gjithë injorantët…
Edmond Spaho: Së paku kryetari yt të mos dilte dhe të thoshte që ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët janë shtresa pa interes për PS.
Erjon Braçe: Pra, për gjithë injorantët që i kërkojnë Erjon Braçes dhe këtij grupi deputetësh  të zbatonin një ligj në vitet ‘97-’04 një ligj që ka hyrë në fuqi në vitin 2007, është ndryshuar në vitin 2009 që t’i referohen ligjit. Mos kërkojnë nga ne atë që kanë miratuar 10 vite më pas.
Ridvan Bode: Për të qartësuar dhe ndonjë nga ato shqetësime që i paraqitët, ju ngatërroni nocionin e këstit me vitin. Janë tetë këste. Ligji është zbatuar në mënyrë korrekte. Kur do të ndahen. Në një mandat aktual, qeveria ndan dy këste. Nëse ju do bini dakord për ta votuar ligjin e buxhetit në Parlament, unë do t’ju sjell propozimin që brenda vitit 2013 të përfundojë kësti i dytë i shpërndarjes.
Edmond Spaho: I kishe hipur kalit të gabuar, Erjon.

Ish-ushtarakët
Arben Ahmetaj: Unë do desha të diskutonim për problemin e ish-ushtarakëve, i cili besoj nuk ka nevojë të diskutohet për kë voton apo jo. Janë katër akte ligjore që kanë të bëjnë me statusin e ish-ushtarakëve. Këtu përfshirë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010. Një vit më vonë vini me aktin normativ, i cili shkel më tej në këndvështrimin tonë statusin e ish-ushtarakut. Në të mirë të të gjithëve do të ishte shfuqizimi i vendimit dhe hartimi i një të riu që ka dakordësinë e palëve.
Ridvan Bode: Kjo është vepra juaj dhe e keni pranuar që është një gabim i madh i juaji. Zullumi u bë në vitin 2005, në mes të fushatës elektorale. Në vitin 2004, Ministria ndryshoi statusin e ushtarakut dhe u miratua në vitin 2005 një ligj që zgjeroi të drejtat për pensionin e parakohshëm. Shkatërruat skemën, i vutë kazmën. Nga 7 mijë që ishte pensioni, shkoi në 31 mijë lekë. Ky përcaktim ligjor nuk kishte marrë parasysh trajtimin për ushtarakët e tjerë.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura