Ish-kreu i KQZ tregon hilen te ndryshimi i PS në Kodin Zgjedhor, Kume: Pragu kombëtar 3% në sistem proporcional rajonal nuk ka sens, i panatyrshëm dhe…

Sep 21, 2020 | 16:37
SHPËRNDAJE

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, ka bërë një analizë të propozimit që prezantoi PS-ja për ndryshimet në Kodin Zgjedhor si implementim i ndryshimeve kushtetuese të 30 korrik.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Kume thekson se drafti i PS-së thuajse e zeron vlerën e votës parapëlqyese që do të jepet për kandidatët për deputetë dhe mandatin do ta marrin ata që do të caktohen nga kryetarët e partive. Si njohës shumë i mirë i çështjeve zgjedhore, por edhe i proceseve që ka bërë Shqipëria në 30 vitet e fundit, Kume thekson se pragu 3% në rang kombëtar, që ka propozuar PS-ja, është i pakuptimtë në një sistem proporcional rajonal (si ai që kemi aktualisht në vendin tonë) dhe e shikon si një marifet për të favorizuar ndjeshëm partitë e mëdha. Sipas Kristaq Kumes, me ndryshimet e bëra në Kushtetutë në 30 korrik, ndërhyrja në Kodin Zgjedhor, në pikat që përcaktojnë koalicionet dhe formulën për shpërndarjen e mandateve, është e domosdoshme, por jo në mënyrën siç e ka prezantuar Partia Socialiste ditën e premte.

HAPJA E LISTAVE

“Ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut lidhur me listat e hapura kërkojnë që subjektet të lejojnë që kandidatët për deputetë, deri në jo më pak se 2/3-at e listës, të jenë objekt i votimit parapëlqyes të publikut. Propozimi i sjellë nga PS-ja parashikon që një kandidat të mund të marrë mandatin e deputetit nëpërmjet votave parapëlqyese, numri i votave të tij të jetë të paktën një votë më shumë se numri mesatar i votave që subjekti përkatës merr për mandate në njësinë përkatëse.

Kjo e bën shumë të vështirë dhe pothuajse në nivelin e pamundësive të arrihet të përfitohet mandati vetëm si rezultat i votës parapëlqyese. Për shembull, në një njësi zgjedhore, mesatarja e votave për një deputet është 10 mijë vota, dhe do t’i duhet kandidatit që ndodhet në pjesën e poshtme të listës të marrë 10 mijë vota parapëlqyese. Vihet në garë vota parapëlqyese për kandidatin me votën që merr subjekti. Është një hapje joefektive.

Nëse listat nuk do të hapeshin 100%, por nuk do të përdorej kjo formulë që ka paraqitur PS-ja, por do të renditeshin kandidatët që do të ishin subjekt i votave parapëlqyese, do të ishte mundësia që diku te 20 ose 22 deputetë të shkonin në Kuvend përmes votave parapëlqyese, ndërsa kështu siç prezantohet, mundësia është shumë më e vogël. Në propozimin që ka bërë PS-ja, jo vetëm që siguron një vlerë fare minimale të votës parapëlqyese, por në këtë mënyrë ata nxisin pjesëmarrjen aktive të kandidatëve që ndodhen poshtë listës, të cilët deri më tani nuk janë angazhuar. Pra, ata nxiten për të marrë vota, edhe pse votat që ata do të marrin nuk do të ndryshojnë ata që do të marrin mandatet, por ata vihen në lëvizje.

Ky është marifet dhe bravo iu qoftë që e bëjnë kështu. Formula që ata kanë prezantuar nuk është në emër të listave të hapura, është një lloj truku. Tashmë është vendosur që do të jetë votë parapëlqyese për deputetët, por tani marifeti është se çfarë vlere do të ketë kjo votë. Në variantin e PS-së, kjo votë parapëlqyese ka vlerë thuajse zero, ndërsa në variantin e Rudinës, kjo është 100% e vlefshme”

PRAGU ZGJEDHOR

“Në një sistem proporcional rajonal si ky që vazhdon të jetë në Kushtetutën tonë, parashikimi siç u bë i një pragu kombëtar, nuk ka sens, sepse në sistemet proporcionale rajonale, procesi zgjedhor është cikël i mbyllur brenda rajonit. Në Kodin Zgjedhor të mëparshëm është parashikuar prag për partitë 3% dhe për koalicionet 5%, por ky prag ka qenë për njësinë zgjedhore dhe kështu kishte kuptim të vendoset.

Por vendosja e pragut kombëtar 3%, siç është në draftin e PS-së, është në favor të partive të mëdha. Sepse një parti, e cila ka mbështetje në një rajon të caktuar dhe si rezultat i saj me ato vota ajo mund ta kapërcejë pragun që duhet në atë qark për të nxjerrë një deputet, ajo parti përjashtohet nga llogaritja në qoftë se numri i votave të saj nuk arrin pragun e 3% në nivelin kombëtar.

Duke qenë se shumë parti të vogla kanë vota në nivel qarqesh, por nuk e kapin pragun 3% në nivelin kombëtar, kjo do të japë efekt në numrin e votave që do t’u duhen partive të mëdha për të marrë një deputet, i cili ulet akoma më shumë. Pra, pragu kombëtar është i panatyrshëm për një sistem proporcional rajonal, dhe i vendosur si i tillë, ai do të jetë vetëm në shërbim të partive të mëdha”

KU PREKET KODI ZGJEDHOR

“Në momentin kur lind nevoja për të ndërhyrë në Kodin Zgjedhor, për ta ndryshuar atë që është rëndë dakord, ka të bëjë me pikën ku pamundësohet hyrja në garën zgjedhore për koalicionet e partive politike me të drejtën që secila prej tyre të ketë listë kandidatësh. Kjo detyron që të ndryshojnë edhe dispozitat për ndarjen e mandateve. Pra koalicionet, me ndryshimin kushtetues, nuk mund të jenë më siç kanë qenë dhe këtë ka pasqyruar maxhoranca në draftin që ka paraqitur. Për mendimin tim, përdorimi i termit “koalicion” në dokumentin që ka prezantuar PS-ja është spekulativ dhe pa përmbajtje.

Quhet koalicion vetëm fakti që në listën e kandidatëve ka edhe anëtarë që vijnë nga parti të ndryshme, por mos të harrojmë se kërkohet që të gjitha këto parti që regjistrohen vetëm në emrin e një partie të vetme, që do të thotë ligjërisht në garë KQZ-ja njeh vetëm partitë që listohen në fletën e votimit. Ajo që kanë shtuar për ta bërë miqësore këtë ndërhyrje, është që përkrah emrit të një kandidati, të vendoset edhe emri i partisë së cilës ai i përket, por kjo nuk ka si të jetë në fletën e votimit.

Për koalicionet është shumë e vështirë që të përdoret ai që kemi deri tani, pra një koalicion me shumë parti, për sa kohë që u ndryshua Kushtetuta dhe u hoq termi “koalicion” aty. Por unë shoh mundësi dhe hapësira përmes të cilave mund të lejohen koalicionet, por jo kështu siç e ka prezantuar PS-ja që thotë të regjistrohen të gjitha partitë në listën e partisë A. Sepse Kushtetuta thotë se kush ka të drejtë të regjistrojë kandidatë, ku thuhet se lista propozohet nga partitë politike ose qytetarët. Pra është hequr fjala “koalicion” dhe në këtë mënyrë u konsiderua se u zgjidh problemi. Por duke qenë se Kushtetuta nuk flet për koalicionet, një gjë që nuk ndalohet në Kushtetutë, mund ta shkruash në Kodin Zgjedhor dhe ta futësh aty mundësinë e një taktike elektorale, pra atë që kërkon opozita e bashkuar. Ka mundësi, por janë gjëra që duhet të diskutohen”.

NUMËRIMI I VOTAVE

“Për KQZ-në në anën ligjore nuk ka vlerë fare fakti që këto mund të kenë bërë një marrëveshje dhe në listën e partisë A janë futur edhe kandidatët e partive B, C apo D. Nuk ka asnjë vlerë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura