Ish-kreu i burgjeve fiton lirinë, si u prit vendimi në sallën e gjyqit. U provua se …

Sep 20, 2018 | 17:02
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Pas rreth dy vjetësh në paraburgim, ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, lë përfundimisht qelitë.

Zoto

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka dhënë pafajësi për ish-numrin një të Burgjeve, i cili u shpall fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për korrupsion dhe u dënua me pesë vjet burgim. Vendimi për pafajësi u dha ditën e djeshme nga një trupë gjykuese e drejtuar nga Dhurata Haveri.

Ky vendim u prit me mjaft duartrokitje në sallën e gjyqit, e cila ishte tejmbushur me familjarë dhe të afërm të ish-drejtorit. Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Zotos nga burgu në rast se ndaj tij nuk kishte procedim tjetër. Vetë Zoto nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, por përfaqësohej nga avokati Ardian Leka.

Në këtë mënyrë, ish-kreu i Burgjeve fiton betejën me drejtësinë pas thuajse 1 viti e 9 muaj qëndrim prapa hekurave. Pas vendimit, ka folur për mediat edhe avokati i tij, Ardian Leka. Ai tha se klienti i tij është i pafajshëm dhe se Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda u vu nën presion për vendimin që dha.

“Ajo gjë nuk ka ndodhur asnjë herë. Ju keni dëshminë e Labit që thotë se ka folur në telefon me Zoton dhe as kjo nuk ka ndodhur. Gjykata e Shkallës së Parë u vu nën presion, ndërsa Gjykata e Apelit e shqyrtoi me vëmendje”, tha Leka. Tashmë, pritet që Zoto të kërkojë edhe dëmshpërblim për ditët në paraburgim.

Dosja hetimore për Zoton është drejtuar nga prokurorja Elisabeta Imeraj, e cila është komanduar së fundmi në krye të Prokurorisë së Tiranës. Ajo kërkoi pesë vjet burg për Zoton. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, shkelja në tenderë është konstatuar në vitin 2016, kur Drejtoria e Burgjeve shpalli një tender të mbyllur për furnizimin me vezë dhe bulmet të institucioneve të vuajtjes së dënimit. Në këtë tender pa shpallje, tre konkurrentët binin dakord mes tyre për fituesin dhe ofertat.

Kështu ndodhi edhe në këtë rast, ku fituesi ishte paracaktuar. Konkretisht, administratorët e kompanive “Dogel”, “Vllaznia”, “M. B. Kurti” dhe “Nelsa”, konkretisht, shtetasit Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, bënin marrëveshje për të kryer konkurrim fiktiv në tenderët e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqime.

Nga hetimi ka rezultuar se administratorët takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakord për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentet e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre, sipas bisedave që ata bënin. Administratorët e këtyre shoqërive paraprakisht përcaktonin edhe se cili prej tyre do të dilte fitues në njërin prokurim apo në secilin lot prokurimi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura