INTERVISTA E PLOTE/ Neranxit: Si më kërcënoi me jetë para fëmijëve shefi i Policisë, truprojat i’u hodhën sipër kur tentoi të nxirrte pistoletën

Apr 15, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Të dielën në darkë, biznesmeni Nikollaq Neranxi ka denoncuar në SHKB-në e Vlorës se është kërcënuar me jetë nga shefi i Komisariatit të Kuçovës, Vojo Peçi, i cili është edhe vëllai i kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi. 

Nikollaq Neranxi

Ngjarja ka ndodhur në Porto Palermo, ku biznesmeni ka shtëpinë e tij. Për më shumë detaje rreth ngjarjes, rrëfen vetë Neranxi.

Zoti Neranxi, ju keni denoncuar për kërcënim shefin e Komisariatit të Kuçovës. Mund të na e përshkruani se si ka ndodhur ngjarja?
Unë kam një shtëpi në zonën e Porto Palermos në Himarë, ku shkoj me familjen zakonisht. Isha edhe këtë fundjavë për të festuar Pashkët. Kur po dilja nga shtëpia bashkë me familjen dhe miqtë që kisha ftuar në drekë, rreth 20 metra larg shtëpisë sime, një djalë i ri fillon të më shajë, fyejë dhe të më kërcënojë. Më vajti menjëherë mendja që bëhej fjalë për Vojo Peçin, që mesa kam mësuar ka një vilë aty afër meje, si dhe është shef i Komisariatit të Kuçovës.

Pse menduat se ishte ai?
Sepse rreth një javë më parë (ekzaktësisht më 6.4.2015, ora 10:54 e paradites) ai më merr në telefon dhe më thotë: “Ç’ke që interesohesh për familjen time?!” dhe fillon të më kërcënojë. Mendova se mund të ishte i dezinformuar dhe i thashë “e ke gabim se nuk të njoh as ty dhe as familjen tënde”. Kur ai po insistonte dhe filloi të ngrejë zërin dhe të më kërcënojë, unë i thashë bëj kujdes se do të lajmëroj ministrin Tahiri. Atëherë ai filloi të shante me fjalë të rënda dhe përmbajtja ishte pak a shumë që nuk më bëhet vonë as për ministrin dhe as për askënd, por me fjalor banal. Prandaj kur filloi të shajë e të kërcënojë dy ditë më parë, mendova se ishte i njëjti. Herën e parë në fakt u mendova shumë për ta denoncuar ose jo. Më thanë që është 27 vjeç dhe mendova: “Vetëm nga fakti që ai ka moshën e fëmijëve të mi nuk po e denoncoj, se mbase është i dezinformuar. Të shohim si do shkojë më pas”.

Cilat janë arsyet e konfliktit?
Unë atë njeri nuk e njoh dhe as e kam parë ndonjëherë në jetën time. Vetëm kur më mori në telefon para një jave, e mora vesh nga ai që kishte shtëpi afër meje. Nuk kam asnjë konflikt me të dhe nuk më ka përplasur jeta për asgjë me të.

Cilat janë konkretisht fjalët që ai ju drejtoi?
T’ju them të drejtën kjo ngjarje më ka shokuar edhe më shumë se grabitja e kompanisë sime. Të shohësh skena se si një drejtues Policie ulëret; “Do të të vras, më sillni shpejt pistoletën!”, të të shajë nga familja pa i bërë asgjë edhe para fëmijëve, është e rëndë! Pastaj filloi duke thënë: “Unë jam i plotfuqishmi këtu, kam blerë gjysmën e Porto Palermos dhe askush nuk guxon të më dalë para, kam investuar 500 mijë euro në vilë”. Nuk e di, por kemi mbetur pa fjalë të gjithë që ishim aty.

Çfarë provash keni paraqitur në denoncimin që keni bërë në SHKB të Vlorës?
Kam rrëfyer ngjarjen me detaje, kësaj here madje tregova edhe kërcënimin e parë që më bëri në telefon. Ngjarja mund të zbardhet pa problem, mjafton të merren tabulatet e telefonit, ndërsa për skenën në Porto Palermo ka pasur shumë dëshmitarë, si dhe ka disa kamera të shtëpive përreth. Ngjarja zbardhet shumë kollaj me kaq prova. Kam dhe shumë detaje të tjera që nuk mund t’i bëj publike tani, sepse ngjarja është ende nën hetim.

Si ka mundësi që ju ndodhën këto ngjarje të pakëndshme jo shumë larg njëra-tjetrës, shihni ndonjë lidhje mes tyre?
Lidhjen do ta gjejnë organet e drejtësisë. Por ta dini që unë nuk jam i vetmi që përjetoj grabitje të pasurisë apo kërcënime të njerëzve të veshur me pushtet. Këto janë ngjarje që ndodhin rëndom në çdo cep të Shqipërisë. Unë thjesht kam kurajën t’i bëj publike, sepse jam një qytetar i ndershëm i këtij vendi dhe duhet theksuar që nuk jam peng i askujt. Pastaj, si në rastin kur më grabitën kompaninë, unë i bëj publike edhe për sensibilizim, sepse duke iu nënshtruar së keqes dhe duke mos ngritur zërin, nuk do bëjmë asnjë progres si shoqëri.

Po sikur Peçi ta mohojë?
Nuk besoj se e mohon, se ai demonstroi para shumë dëshmitarëve që nuk i bëhet vonë për askënd dhe se është shumë i fortë. Do më zhgënjente shumë nëse do t’i ikte këtij versioni. Truprojat e mi iu hodhën përsipër kur ai tentoi të nxirrte pistoletën. Ngjarja ishte e parapërgatitur mirë, sepse për 5 minuta pas incidentit, erdhën në vendngjarje katër xhipa X5, dy të zinj dhe dy të bardhë, nga ku dolën shumë njerëz, natyrisht për terror. Edhe këta janë të regjistruar në kamera. Në fakt më ka futur shumë njerëz që të mos e mediatizoja kërcënimin, por unë jam një tip shumë i vendosur, shumë i drejtë dhe i ndershëm dhe i them publikisht që ka gjetur njeriun e gabuar për t’i treguar forcën. Pastaj do t’ju them edhe diçka tjetër, asnjëherë nuk i intereson sherri dhe konflikti një njeriu që investon. Ne jemi ata që ngacmohemi, që e pësojmë. Unë jam person publik, njeri që kurrë nuk kam bërë sherr me askënd as në rininë time, jo më tani që jam 56 vjeç. Por, po më cenuan unë i shkoj deri në fund problemit derisa ta zgjidh. Kështu do të bëj edhe kësaj here. Ka dëshmitarë, kamera, tabulate, regjistrime me celular.

Keni besim se kjo ngjarje do të zbardhet?
Unë jam gjithmonë optimist, sepse kam bërë një kontratë me këtë qeveri dhe ajo me mua, pra unë do të paguaj taksat, do të investoj para në këtë vend, do të respektoj ligjet, ndërsa ata do bëjnë detyrat e tyre duke na siguruar klimën e duhur për të jetuar e punuar. Pra ky është një moment që fjala të bëhet vepër, që shoqëria të kuptojë se këta njerëz që kemi zgjedhur janë në anën e qytetarit, edhe atëherë kur të akuzuarit janë njerëz me uniformë policie.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura