Ish-deputeti i PS në Fier, Albert Çaçi del i pavarur: Jam “dënuar” nga një Plenum i veçantë si armik i Partisë nga shoku Rama, pa gjyq

May 4, 2015 | 10:58
SHPËRNDAJE

Ish-deputeti socialist për tri mandate në qarkun e Fierit, Albert Çaçi, është regjistruar si kandidat për kryetar Bashkie nën siglën e Partisë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit.

Ish-deputeti i PS, Albert Çaçi

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Çaçi shprehet se ky kandidim nuk ka të bëjë me asnjë qejfmbetje ndaj PS-së, por kërkon që t’u ofrojë qytetarëve të Fierit një alternativë të tretë përballë dy kandidatëve të tjerë, atij të PS dhe PD.

Ai ka depozituar 2900 forma të qytetarëve që e mbështesin, gati dyfishi i atyre që kërkon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Bashkinë e Fierit. Çaçi shprehet se përvoja e gjatë si drejtues, zv.ministër dhe deputet për tri mandate, e bëjnë atë të aftë për të drejtuar punët e Bashkisë së Fierit.

Edhe pse ka pasur tri mandate si deputet, Çaçi thotë se nuk i ka turpëruar dhe as tradhtuar zgjedhësit e tij. Ai shprehet se Fieri nuk është më ai bastion i sigurt i Partisë Socialiste, për shkak të pakënaqësive të qytetarëve nga qeverisja aktuale.

Në këtë garë, Çaçi do të ketë si mbështetës edhe ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili është bashkuar me partinë e Gjinushit. Çaçi e sheh Priftin si një njeri që ka potenciale elektorale, që është provuar dhe në zgjedhjet e kaluara.

Ju jeni regjistruar si kandidat jashtë koalicionit të PS. Me cilën parti garoni për Bashkinë e Fierit?
U regjistrova në KZAZ-në e Fierit, ku kërkoheshin 1500 firma. Unë dorëzova 2900 firma të qytetarëve që më mbështesin për këtë garë. Unë do të kandidoj i mbështetur nga Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit. Është për të ardhur keq me ndryshimin që është bërë nga KQZ-ja, që kandidatët duhet të dorëzojnë firma të mbështetësve edhe kur partitë kanë këshilltarë në këshillin bashkiak. Këto firma mbështetëse janë marrë për vetëm 2 ditë, pasi koha ishte shumë e kufizuar, por qytetarët fierakë u treguan shumë dashamirës dhe bashkëpunues për të më mbështetur. Ata vlerësojnë kontributin tim në politikë.

Përse po dilni të garoni përballë kandidatit të PS-së dhe PD-së për Bashkinë e Fierit?
Unë nuk kam asnjë qejfmbetje dhe asnjë problem me asnjë kandidat. Nuk po hyj në këtë garë për t’i bërë karshillëk askujt. Unë dua që qytetarëve të Fierit t’u jap një alternativë të tretë, qytetarët të kenë mundësi zgjedhjeje për problemet e qytetit të tyre, sepse këto janë zgjedhje lokale dhe jo politike. Alternativën time e bazoj në eksperiencën e gjatë që kam në administrim; kam qenë zëvendësministër i Punëve Publike, drejtor drejtorie, kam qenë për tri mandate deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke pasur cilësitë dhe njohjet e duhura që i duhen një kryetari bashkie për të drejtuar Bashkinë e Fierit, duke pasur në qendër qytetarin. Vërtet kam qenë 12 vjet deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, por unë as i kam turpëruar dhe as i kam tradhtuar zgjedhësit e mi.

Emri juaj ishte propozuar si kandidat për Bashkinë e Fierit nga strukturat e PS-së në Fier, asambletë socialiste…
Unë dhe disa shokë të mi, jemi “dënuar” nga një Plenum i veçantë si armiq të Partisë nga shoku Rama, pa gjyq.

 Nuk mendoni se kandidimi juaj mund të favorizojë kandidatin e djathtë, duke përçarë votat e majta në këtë bashki?
Unë nuk jam këtu për të bërë llogaritë e tyre, unë bëj llogaritë e mia, unë thjesht kërkoj konsensusin e qytetarëve të Fierit. Por me këtë rast dua të nënvizoj faktin që për shkak të pakënaqësive që janë krijuar në qytetarët e Fierit, situata nuk është ajo që kemi ditur vite më parë, kur Fieri mbahej si një bastion i sigurt i kandidatëve të PS. Te qytetarët ndjehet zhgënjim i madh në përfaqësim.

Përse e thoni këtë?
Partia Socialiste ka rënë shumë poshtë në përfaqësimin e saj. Në fshatin Grecalli të komunës Qendër në Fier, p.sh. fshatarët janë të irrituar sepse për 20 vjet tokat e tyre janë përdorur nga pushtetarët. Vetëm tani, për shkak se aty do të kalojë gazsjellësi TAP, ata e morën vesh se janë pronarë të rreth 50 hektarëve tokë. Prokuroria ka hapur proces penal ndaj kryetarit të komunës, ndërsa kandidati për kryetar bashkie të PS-së në Fier bën fushatë duke pasur në krah kryetarin e komunës Qendër. Këtu ndodhin gjëra absurde dhe fyese për inteligjencën e njerëzve. Ndërsa fshatarët janë shprehur se do ta zgjidhin vetë këtë padrejtësi që i është bërë me tokat e tyre. Këto, dhe shumë shkaqe të tjera në qeverisje, kanë krijuar një pakënaqësi të madhe te zgjedhësit.

Dritan Prifti, i cili është afruar në partinë e Skënder Gjinushit, mendoni se do ta jetë një mbështetës i rëndësishëm në këtë fushatë për ju?
Dritani është një njeri që ka shumë influencë dhe bëhet fjalë për situata të provuara dhe aspak hipotetike. Ai ka një numër të caktuar votash në një zonë të caktuar. Mbështetja e Dritanit do të rrisë mundësinë për fitoren tonë në Bashkinë e Fierit.

Aristir Lumezi 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura