Irma Kurti, mes dy brigjeve

Mar 27, 2011 | 11:28
SHPËRNDAJE

Rrëfimi për veten i ka kaluar kufijtë. Që në romanin e parë, mbase pse ishte autobiografik, Irma Kurti i ka tërhequr lexuesit njësoj si me poezitë e saj. Një vit pas prezantimit shqiptar, libri “Midis dy brigjeve” i Irma Kurtit, është prezantuar edhe në gjuhën italiane me titullin “Tra le due rive”, botim i shtëpisë botuese “Kimerik”. Në këtë roman, Kurti ka rrëfyer çastet më të rëndësishme të jetës së saj: punën, krijimtarinë, pjesëmarrjen si autore e teksteve të këngëve në festivale, dashuritë, gëzimet e zhgënjimet. Por vendin kryesor në të e zë dhimbja për humbjen e njeriut të saj më të dashur nënës, e përditshmja në Itali, raporti me dhimbjen, me mungesën e boshllëkun që ka lënë kjo humbje në shpirtin e jetën e autores. “Ky libër është për të gjithë ata që, ashtu si unë, jetojnë çdo ditë me një boshllëk të madh. Asnjë dhimbje nuk i ngjan tjetrës; kjo është dhimbja ime dhe mban imazhin e njeriut tim që nuk është më. Asnjë dhimbje nuk është më e madhe apo më e vogël se tjetra, kur ajo të pushton shpirtin, të bën të vuash njëlloj. Doja vetëm që brengës sime, trishtimeve të mia t’u jepja zë, t’i rrokjezoja, t’i ktheja në fjalë. Ky zë buron nga thellësia ime dhe unë kam ndërtuar një pakt me dhimbjen: e kam bërë pjesë të së përditshmes sime, të zgjimit tim, të përgjumjes sime”, thotë Irma Kurti. Irma Kurti, e njohur nga publiku shqiptar kryesisht si poete e këngëve në festivale e aktivitete muzikore në Radio-Televizion, është autore e pesë vëllimeve me poezi: “Këtë natë me ty”-1999, “Shihemi në një tjetër botë”-2002, “Qirinjtë janë fikur”-2003, “Bëj sikur fle”-2005, “Puthja e fundit”-2007. Së shpejti, do të dalë në qarkullim një tjetër libër i autores në gjuhën italiane, përmbledhja poetike e titulluar: “Risvegliare un amore spento” (Të rizgjosh një dashuri të shuar).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura