Investigimi i RAI3/ Lubonja: Shteti është ndërtuar si organizatë kriminale, po u del boja dhe tek të huajt

Apr 23, 2024 | 17:48
SHPËRNDAJE

Analisti Fatos Lubonja, ka komentuar investigimin e RAI3, teksa thotë se shteti është ndërtuar si organizatë kriminale dhe tani po i del boja dhe nga të huajt.

lubonja

Lubonja, tha në intervistën për News24, se këtu funksionon vetëm propaganda dhe se në një vend demokratik, qeveria do të kishte rënë.

 “Ne shpesh i dimë gjërat më herët nga se e thonë të huajt. Artikulli i RAI3 ishte skandaloz. Këtu shteti vetë është ndërtuar si organizatë kriminale. Këtu funksionon vetëm propaganda. RAI3 e nxorri edhe reformën në drejtësi sesi funksionon. Presioni mbi politikën bëhet nga ata që janë në pushtet, jo nga ata që janë të arrestuar. Presion është që të mos arrestosh Veliajn, edhe kur e di se çfarë ka bërë. As mos ta thërrasësh fare madje. Edhe kur nuk heton as Edi Ramën dhe as nuk e thërret. Presioni ndonjëherë është i dukshëm dhe i padukshëm. Rama ka njerëz të tijtë në SPAK, që ndoshta bëjnë presione mbi prokurorët. Dashët nuk janë kapur nga brirët, por nga pas.

Arben Ahmetaj dhe të tjerët janë bishtat e dashit. Jetojmë në një vend, ku krimi i organizuar merr shtetin, shkon lart dhe merr paratë. Qeveria jonë dyshohet se ka lidhje me krimin e organizuar dhe kjo gjë duhet hetuar, duhet hetuar edhe korruptimi i të huajve. Mbreti ka dalë lakuriq nga skandalet. Tani po iu del boja edhe nga të huajt. Rama mendoi se do marrë mbështetje nga Georgia Meloni, por harroi se në Itali ka opozitë dhe ka media të guximshme. Mediat italiane po shohin se ky nuk qenka ai i majti që promovohej. Atë investigim që bënë italianët nuk e bënë për ne, e bëjnë për vete. Sistemi që ka ngritur Rama është kriminal. Në një vend demokratik, kjo qeveri do të binte me kohë. Me kapjen e shtetit, edhe drejtësia është e kapur”, tha Lubonja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura