Inva e Ermonela, dy Violetat shqiptare në Arenën e Veronës

Jun 29, 2011 | 11:32
SHPËRNDAJE

Një Violetë shqiptare hapi edicionin e 89-të të Festivalit Lirik të Arenës së Veronës dhe një tjetër do ta vijojë në ditët në vazhdim.Ishte sopranoja Ermonela Jaho, e cila tronditi skenën e gurtë të Arenës së Veronës me interpretimin e rolit të Violetës në operën e famshme verdiane “Traviata”. Pas ngritjes së siparit në datën 17 qershor, por edhe në interpretimin e saj të datës 24, kritika është shprehur entuziaste, duke e quajtur “një interpretim të mrekullueshëm” lojën e Ermonela Jahos, e cila prej vitesh është një nga zërat më të lakuar në lëmin e lirikës ndërkombëtare. Zëri i saj është dëgjuar në skenat më të mëdha botërore, që nga ato italiane, franceze, londineze, amerikane etj. Po në të njëjtën skenë, në ditët në vijim do të ngjitet një tjetër div shqiptare. Bëhet fjalë për sopranon Inva Mula, e cila do të interpretojë po rolin e Violetës në “Traviatën” e Verdit gjatë muajve korrik e gusht. Për Mulën, kjo nuk është hera e parë që ngjitet në këtë skenë prestigjioze. Ajo ka interpretuar më parë në një tjetër opera të Verdit, “Rigoleto”, ku ka interpretuar rolin e Xhildës. Inva Mula do të ngjitet në këtë skenë në datat 16, 21 dhe 28 korrik, në krah të një kasti të ndryshëm këngëtarësh nga ai që interpretoi me sopranon Ermonela Jaho. Ndërkaq, po përgatitet për të tjera vepra në skena të rëndësishme operistike, si operat “Faust”, “Pagliacci” e “Carmen” në Opéra National de Paris, “La Bohème” në Liceun e Barcelonës, “La Bohème” e “Faust” në Vienë, “Traviata” në Montekarlo, “La Bohème” në Orange, “Thaïs” në Avignone, “Otello” në Marsejë dhe “La Bohème” e “Otello” në Bilbao.

Interpretimi i 100-të i Ermonelës
Për sopranon Ermonela Jaho ky interpretim në festivalin e Veronës është pa dyshim suksesi i radhës. Kudo që ajo do të interpretojë, që nga Japonia e largët apo në vendin e operave, në Itali, do ta ndjekin pas veç fjalë të mira. Por kjo herë është ca më e veçantë për të, për faktin që ishte pikërisht ajo që hapi siparin e një prej aktiviteteve më të rëndësishme lirike, që zhvillohet prej 89 vjetësh. Sa i përket rolit të Violetës, Jaho tanimë mbahet si një nga interpretueset e saj më të mira në botë dhe, ku ka një skenë të rëndësishme e një “Traviatë”, atje do të jetë edhe Ermonela Jaho. “Kam arritur tanimë qindëshen e herëve që kam interpretuar Violetën. Hera e parë ka qenë në moshën 17-vjeçare, një çmenduri, por që më shërbeu…Ndërsa debutimi ndërkombëtar ka qenë në fakt në vitin 2005 në Operën e Marsejës. Çdo interpretim është i rëndësishëm për t’u pjekur, sepse rritesh bashkë me personazhin”, është shprehur sopranoja shqiptare për “Mediate News”.

Rastësitë fatlume
Përpara se të ngjitej në Arenën e Veronës, me të njëjtin rol ajo udhëtoi drejt Japonisë, në trupën e Teatrit “Covent Garden” të Londrës, me të cilin e lidh një histori sfide të tre vjetëve më parë. “Jam si e shtëpisë tani në Londër. Tre vjet më parë kam kënduar “Traviatën” për të zëvendësuar Anna Netrebkon, një yll asokohe dhe nën vëmendjen e plotë mediatike. Kam pasur sërish rastin të interpretoj Violetën dhe të marr pjesë edhe në një turne në Japoni, për një tjetër zëvendësim, atë të Angela Gheorghiu, një tjetër superyll i kohës sonë. Këto janë raste që ndodhin papritur. Ndodhi që u vlerësova në Japoni. Ishte një sfidë. Isha tepër e tensionuar. Por, sipas mendimit tim, është shumë e rëndësishme për një këngëtar të interpretojë në Itali. Me siguri është provimi më i vështirë”. E, pa dyshim, këtë provim Ermonela Jaho e kaloi me sukses. “Traviata” e Veronës vjen nën drejtimin e Rizzit, regji e skenografi nga Hugo De Ana. Bashkëpunimin me këtë të fundit Jaho e quan shumë të vlefshëm. “Ishte shumë e dobishme, sepse, duke punuar me të më, duket sikur po përballem me “Traviatën” për herë të parë. Për një opera që duket si e thjeshtë, De Ana kishte kohë që punonte dhe ka hyrë në detaje. Më ka dhënë libra për të lexuar dhe kam parë me kujdes filma të epokës”, thotë ajo. Në krah të saj kanë interpretuar këngëtarët Serena Gamberoni, në rolin e Aninës, Francesco Demuro, në rolin e Alfredo Germont, Vladimir Stoyanov, në atë të plakut Germont etj. Sopranoja shqiptare do të ngjitet sërish në skenën e Arenës së Veronës për të interpretuar rolin e Violetës, më datat 2 korrik, 4 dhe 11 gusht.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura