INTERVISTA/ “Taksa e sheshtë është provuar se ka sukses”/ Ish-ministri Mima shpjegon përfitimet e programit ekonomik të PD: Më shumë punësim dhe…

Feb 1, 2021 | 13:12
SHPËRNDAJE

florion mimaIsh-ministri i PD-së, pjesë e grupit hartues të programit ekonomik të PD-së, Florion Mima, shprehet se platforma e prezantuar nga opozita është plotësisht e realizueshme.

Sipas Mimës, eksperienca e viteve 2007-2013 ka treguar se taksa e sheshtë funksionon në vendin tonë. Ndërkohë, për ta bërë më të thjeshtë për ta kuptuar qytetarët, në një intervistë për gazetën “Panorama.al” Mima përllogariti taksat që i mbahen aktualisht një biznesi të vogël në Shqipëri dhe taksat që i mbahen sipas programit të PD-së.

INTERVISTA

A janë të realizueshme zotimet e programit ekonomik të PD-së?

Në vlerësimin tim ky nuk është një program optimist, por është një program realist. Është totalisht i realizueshëm dhe në përgjigje të pyetjes se ku do të gjenden paratë unë po ju sjell në kujtesë atë që ne e kemi hipotekën tonë morale. Nuk është shpikja jonë taksa e sheshtë. Ne jemi brez që e kemi njohur edhe periudhën 2007-2013 dhe të njëjtat shqetësime kanë qenë edhe në atë kohë. Unë po ju përgjigjem me një pyetje, ku u gjetën paratë në vitin 2007 për të dyfishuar rrogat dhe për të bërë 600-700 milionë euro investime kapitale.

Këto e marrin përgjigjen në një pikë që duhet parë në dy këndvështrime. E para te respektimi i familjes, biznesit shqiptar. Dhe dy, tek ajo që ne e kemi identifikuar si të keqen më të madhe, shteti. Ky program ia pret duart shtetit kryesisht në dy drejtime. Një në uljen e kompetencave dhe diskrecionit të tij për të prezantuar leje licenca, autorizime, miratime që i nxinë jetën biznesit. Dhe e dyta, pengon shtetin që të fusë dorën në xhepin ekonomik të biznesit dhe të marrë taksa pa logjik ekonomike që na kanë sjell në këtë situatë ku jemi sot.

Do të marrë fund tirania e oligarkëve. Çfarë bëjnë qytetarët kur mbledhin një sasi të ardhurash në fund të muajit, ose në fund të vitit? Ose do blejnë një shtëpi, ose do blejnë një makinë më të mirë, ose do të bëjnë një palë pushime. Pra, të gjitha paratë që do të kursehen nga ulja e taksave, nga ulja e çmimit të energjisë, nga ulja e çmimit të karburantit do të investohen sërish. Dhe kjo do përkthehet në më shumë punësim e rritje rrogash.

Si mund ta kuptojnë qytetarët se çfarë përfitojnë shqiptarët nga programi i PD-së?

Një shembull që edhe me kufirin që ne kemi vendosur dhe me atë që kanë socialistët është biznesi vogël. Marrim një fast food me xhiro 10 milionë lekë të rinj në vit. Sot ai i paguan 117 mijë ose 1 milion e 170 mijë lekë të vjetër Bashkisë së Tiranës. Me taksën që propozojmë ne, biznesi do paguajë vetëm 500 mijë lekë. Pra, kursimi është 600 mijë lekë vetëm për një biznes.

Pra, logjika është kjo: ti s’ke për të paguar më taksë arsimore, taksë tabele e lloj-lloj emrash. I vetmi detyrim që do paguajë biznesi i vogël te pushteti lokal është vetëm një taksë 0.5% e xhiros vjetore. Kaq. Bashkive nuk do t’u mungojë asnjë qindarkë. Përkundrazi, me skemën tonë financat e tyre do të konsolidohen. Po themi tatimi i pasurisë që është tatim lokal dhe aplikohet vetëm mbi trojet dhe ndërtesat, mbi patundshmërinë do të shtohet edhe mbi komponentë të tjerë, për makinat, për motorët për jahtet.

Të gjitha do të jenë subjekt i tatimit të pasurisë që do të shkojnë për të financuar financat e pushtetit lokal. Po kështu, edhe renta minerare. Të gjitha rentat që vilen sot, do të bashkohen në një që është renta e republikës dhe do të jetë 9% dhe këto do t’u shkojnë financave publike. Pra, këto do të lejnë më shumë para te xhepat e qytetarëve dhe bizneseve. E gjithë lufta do të jetë te reformimi i shtetit që me pak para të kthehet në një shërbëtor ndaj njerëzve dhe biznesit.

A keni përllogaritur ju se sa para mblidhen tani me taksën progresive dhe me taksën e sheshtë?

Çfarë vumë re ne në vitin 2007 kur u prezantua taksa e sheshtë dhe tatimi me kuotë fikse për biznesin e vogël. Gjithkush e humbi incentivën për të mashtruar për të përfituar nga mospagimi i taksave. Ajo që quhet përmbushje vullnetare e detyrimeve u rrit dhe buxheti i shtetit në mënyrë të habitshme për të tjerët, mori të ardhura shtesë nga formalizimi.

Ku jemi katandisur sot me taksën progresive? Njerëz që marrin miliona lekë në muaj pagë, e deklarojnë pagën sa një pastruese. Sepse këtë e krijoi taksa progresive. Taksa progresive funksionon në shumë vende të tjera, por në Shqipëri taksat e thjeshta është e provuar se e rrisin shkuarjen me ligjin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura