INTERVISTA/ “Nga Timo Flloko te Gëzim Kame e Mevlan Shanaj, si u njohën me bashkëshortet…”

Dec 18, 2017 | 12:15
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ

70-VJETORI I PAHARRUESHËM I REGJISORIT GËZIM KAME

Regjisori Gëzim Kame ka kohë që nuk vjen në Tiranë. Folëm disa herë në telefon për t’u takuar në qytet, në një nga ardhjet e tij që mund të shfrytëzohej për disa punë njëherësh, por nuk ndodhi kështu. U takuam në Ibë! Edhe tani, në këtë kohë të ftohtë e me shi do të rrijë në natyrë, sado që e sheh atë përmes vetratave të stërmëdha të xhamit të restorantit. Edhe pse është i sigurt që në një ditë jave me shi askush nuk do të shkojë të drekojë atje, e ka ndezur oxhakun e restorantit që në mëngjes. Edhe ca ditë më parë, kur ishte 70-vjetori i lindjes së tij, ishte po kaq i sigurt që, përveç familjes së tij, askush nuk vinte pa njoftuar.

Nuk ishin një e dy, ishin shumë! Kame e pikasi që nga poshtë vargun e dritave të makinës që, nëpër rrugën e vjetër që të çon në Elbasan, devijohet në të majtë për të ndaluar në “Teatër Kame”. Nuk ke ku shkon tjetër, ka vetëm një adresë! Ndërsa makinat afroheshin pa nxitim, thuajse i nervozuar, Gëzim Kame pyet të birin, Gentin, se ç’janë këta njerëz që janë drejtuar për aty!? Sigurisht që ai e luajti lojën deri në fund. Bëri të paditurin sepse e kishte kurdisur këtë darkë me miqtë më të mirë të të atit që më parë. Ja ku fillojnë të zbresin të gjithë, një e nga një, bashkë me ushqimet e pijet që secili kishte sistemuar në makinë.

gezim-kame
Gezim Kame

Robert Ndrenika, Mevlan Shanaj, Pëllumb Kulla, Leka Bungo, Ruzhdi Pulaha, Agron Llakaj, Xhevair Zeneli, Kiço Blushi, Baftjar Zeqaj e shumë miq të tjerë që regjisori i njeh që në kohën e studimeve të larta. Nëse nuk do të kishte një arsye të fortë, do të ishte pa dyshim edhe Timo Flloko e Birçe Hasko. Në mënyrë që të mos dyshohej për asgjë, miqtë e Kames së madh kishin rënë dakord që të mos gatuhej në restorant se përndryshe do ‘binte erë’. Kishin furnizuar makinat plot sepse e dinin që ajo mbrëmje, që nisi rreth orës 20:00, nuk do të ishte e shkurtër dhe ashtu ndodhi vërtet. Dritat e vargut të makinave ndriçuan sërish afër mëngjesit, kur gati kishte zbardhur.

“Ishte një nga ditët e mia më të bukura e të gëzuara. Jo sepse festuam e pimë, sepse këtë e kemi bërë gjithnjë, por sepse në këtë moshë që arrita, për të disatën herë, unë i pohoj vetes sime gjënë më të mirë që kam arritur në jetë, miqtë e vërtetë. Janë po ata, me të cilët jetoja e gëzoja dikur. Këtë përvjetor unë doja ta kaloja në heshtje, por ata më treguan edhe njëherë, siç kanë bërë gjithnjë, se do të jenë përherë aty”, thotë Gëzim Kame që, megjithëse kanë kaluar disa ditë nga festa, e ka ende në portret entuziazmin.

Sa prej jush keni qenë bashkë që studentë?

Unë kam qenë në një grup me Mevlanin, Timon e Birçen, por këta dy të fundit kishin disa arsye familjare dhe nuk mundën të ishin të pranishëm. Pra, organizatorët kishin menduar të ishin këta, bashkë me Saimir Kumbaron. Të gjithë ne kemi qenë bashkë në shkollë.

Çfarë e ngacmonte një të ri, thuajse adoleshent, në një kohë kur nga televizori nuk kishe shumë gjëra për t’u joshur, për të studiuar në Institutin e Arteve?

Në fëmijërinë time, unë kam jetuar në Gjirokastër dhe atje, ndoshta për shkak të arkitekturës së qytetit, çka mendoj se influencon në shijen e formimin e një fëmije, ndikojnë. Për shkak se babi im ishte ushtarak, pas kësaj periudhe ne kthehemi në Tiranë, ndërsa në moshën 6 vjeç shkojmë në Berat. Edhe prej andej mendoj se kam zhvilluar të njëjtat ndjesi si në Gjirokastër. Edhe skenografia e qytetit ndikon. Asokohe, filmi ishte gjëja më e bukur e këtyre qyteteve. Ne shihnim shumë filma, unë shihja disa herë një film. Që atëherë dashurohesha pas ekranit.

Kujtoj që drejtuesit e kinemasë më jepnin copa filmash, të cilët i merrja e i projektoja zbehtë me drita elektrike në tavanin e shtëpisë. Ndërkohë, në Berat kemi pasur shtëpitë e Nan Karait, ishin shtëpi të mëdha antike, me bodrume, pemë e thuajse një çudi nga pikëpamja skenografike. Ndoshta më ka ndikuar edhe kjo dhe aty kam pas vënë shfaqe për prindërit, për komshinjtë apo familjet e shokëve. I ndërtoja vetë tekstet, skenën. Vinin prindërit me fëmijët. Nuk më kujtohet fare çfarë kam bërë, por i kujtoj si ngjarje.

Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj
Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj

Pra, kjo ishte loja juaj e fëmijërisë…

Ishte tamam kjo, sepse isha i fokusuar vetëm në këtë gjë. Pastaj, në gjimnaz, më ofruan nga Shtëpia e Kulturës së Beratit për disa shfaqje që bënin ata, u përfshiva dhe fillova ta zhvilloja këtë gjë dhe ndërkaq, të gjithë më nxisnin që të studioja për teatër. Nga ana tjetër, unë isha i vendosur që do të studioja për mjekësi sepse edhe babai dëshironte kështu, por nuk u bë. Konkurrova, fitova e vijova shkollën. Pata një fat të madh që në kohën time u mblodh një grup studentësh, në mënyrë të rastësishme atë vit, po ju përmend disa studentë që u bënë emra shumë të njohur si, Timo Flloko, Birçe Hasko, Saimir Kumbaro, Petrika Riza, Llazi Serbo, Niko Kanxheri, Kristaq Mitro, Mevlan Shanaj, pra, të gjithë bënë emër, dikush në Kinostudio, dikush në televizion.

Edhe aty, pavarësisht se sistemi ishte pa konkurrencë, ne, kur shihnim punët e tjetrit, mahniteshim dhe donim doemos të bënim diçka po aq të mirë. Kjo ishte një konkurrencë kaq e bukur e kaq e pastër, sa mendoj se pikërisht kjo, miqësia dhe mënyra se si ka funksionuar, është gjëja më e bukur e moshës sime që nga fëmijëria e deri në këtë moshë që jam. Jemi të gjithë miq familjarë me njëri-tjetrin.

Përderisa keni qenë bashkë që studentë, përpara se të bëheshit miq familjarë, me siguri keni bërë prapësi që duhet t’i keni kujtuar edhe kur jeni mbledhur pak ditë më parë…Historitë me vajzat, ndonjë tërheqje veshi…

Ne, duke qenë bashkë edhe në konvikt, rrinim çdo minutë bashkë, kujtoj që ishim 7-8 vetë në një dhomë dhe çdo ngjarje e kishim të lidhur bashkë. Nga ajo kohë, historira ka sa të duash, sepse vijuan dhe u bë një jetë e tërë. Humori, kuptohet që ishte gjithnjë pjesë e tavolinave tona, por tipikja ishte që ne ramë në dashuri në të njëjtën kohë. Mevlani me Natashën, unë me time shoqe, e cila ishte në të njëjtin konvikt me Natashën gjithashtu, dhe ishim përballë me njëri-tjetrin. Timo u lidh me Verën pak më vonë, në një kohë me Timon edhe Birçja gjeti Valin.

Pra, ju jeni martuar të gjithë me vajzat që njohët kur ishit studentë?

Po, për këtë po flas, prandaj edhe marrëdhënia jonë u kthye në aq të afërt më vonë kur krijuam familje e u bëmë me fëmijë. Ne ishim përballë me konvikte. Për shembull, unë dilja në dritare dhe shihja Natashën, i flisja Mevlanit që rrinte shtrirë: O Mevlan, ngrihu se ka dalë Natasha në dritare. Të njëjtën gjë bënte edhe ai, po del Neta… Çapkënllëqe ka sa të duash, duhen ditë të tëra t’i kujtosh.

Studentët e Arteve kanë qenë më të lirë, më rebelë. A ishit ju të tillë, megjithëse nga historitë e dashurisë nuk duket kështu…

Mund të kemi qenë më të shpenguar edhe sepse koha kur je student nuk pyet për asgjë, as për qeverinë, as për diktaturën. Ti jeton jetën tënde dhe nuk ke kufizime, prandaj edhe koha ka qenë e bukur me ato mundësi që kishim. I gjithë aktiviteti kulturor zhvillohej në Tiranë atëherë dhe ne ishim gjithnjë pjesë e saj. Pasi filluam punën kanë qenë disa vite të arta në Tiranë.

Timo Flloko dhe Vera Grabocka
Timo Flloko dhe Vera Grabocka

Ju nisët menjëherë punë si pedagog pas studimeve?

Po, menjëherë. Në ’70-n, bashkë me Timon, filluam si pedagogë dhe si aktorë të Teatrit “Kujtim Spahivogli”. U ngrit një teatër alternativ atëherë nga Kujtimi ku aktorë isha unë, Timo dhe Ndrenika dhe plotësohej trupa me aktorë të ndryshëm. Bëmë rreth 10 shfaqe në atë periudhë dhe kuptohet që u ndërprenë pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror, ku u shpallën grupet armiqësore në art e kulturë dhe Kujtimi u shpall një nga ata që u penalizua, u çua në internim dhe iu hoq e drejta e profesionit.

Ju nuk u prekët nga kjo?

Ne jo, u prekën majat, sepse sinjali ishte për ata. U prek Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Fadil Paçrami, Minush Jero… Këta u prekën më rëndë.

Konkretisht për Kujtimin, a ndodhi diçka në atë teatër alternativ, një shfaqje e caktuar?

Për të trembur artin dhe për të të futur në shinat që donte sistemi, duhej një reprezalje e fuqishme. Konkretisht, Kujtimi kishte vënë një shfaqje moderne, europiane. Ishte një shfaqje e shkruar nga Kujtimi vetë ku luante Vaçe Zela, Timo Flloko. Ngjarja zhvillohej në Institutin e Lartë të Arteve. Megjithatë, ata nuk u morën konkretisht me këtë, ishte masive. Kështu vazhdoi pastaj nga ’74-a deri në fund të viteve ’80. Më kujtohet që pastaj nuk kishe më nevojë për polic, sepse policin e kishe brenda. Të gjithë duhet të ishin të kujdesshëm për gjithçka, tematikën, mënyrën si do ta zhvillonin, të gjitha.

Në këtë hark kohor ju bëtë vetëm pedagogun?

Po, pedagog dhe regjisor. Ne vijuam me idenë e Kujtimit, por jo vetëm me trupë profesioniste. Hapëm teatrin alternativ sërish dhe e shndërruam në një laborator për studentët, ku do të luanin studentë e pedagogë bashkë, për spektatorin. Aty kam vënë për herë të parë “Toka e ndezur”, ku mora shumë aktorë nga Teatri Kombëtar si, Kadri Rroshi, Drita Pelinku, Timo Flloko, Viktor Zhusti e shumë të tjerë. Pastaj kam vënë “Shi në Plazh” dhe “Mësuesi i letërsisë”, e më pas kam vënë shfaqje në teatrot e qyteteve.

Ndërkohë, ju, në asnjë periudhë, nuk jeni prekur o cenuar. A keni menduar edhe ju të bëni diçka përtej kornizës, diçka që e kishit lexuar në një revistë, që e kishit parë në një film të huaj…

Unë vetë nuk jam ndier i imponuar. Për shembull, “Shi në plazh” nuk prek asgjë.

Megjithatë, “Shi në plazh” mund të kishte disa skena më tepër. Për shembull, të mos mbyllej çadra, por Alberi me Jetën (Viktor Zhusti dhe Elvira Diamanti) të putheshin vërtet.

Jo, këtë nuk mund ta bënim, sepse nuk e lejonte koha. Ato ishin tabu atëherë, mirëpo jam po unë që te “Fernando Krafi” fus një puthje mes Yllkës dhe Xhepës. Asokohe nuk ta pranonte as aktori e as mentaliteti. Një rast tjetër ka qenë në vitin 1985 kur kam bërë shfaqen “Shtëpia e Bernarda Albës” nga Lorka. Është një skenë atje me pesë motrat që janë të mbyllura, të izoluara për tetë vjet në zi. Janë moshë fare e re, e nuk dalin as deri tek oborri. Ato tërboheshin… poshtë në bodrum ka pasur një mëz, që gjithashtu ishte i mbyllur. Ai kërkonte femrën e tërbohej dhe këto kur hanin darkat e ishin gjithë kohës me idenë e seksit në kokë, diskutonin e donin lirinë e tyre, dëgjonin kalin e ndizeshin më tepër. Bernarda e trodhi edhe kalin.

Gjithë kohës vinte rreth shtëpisë një mashkull, që ishte i fejuar me njërën nga vajzat, por nuk donte atë, donte të voglën. Kjo i tërbonte të gjitha dhe dukej sidomos gjatë darkës. Unë kisha kaq imagjinatë për ta zhvilluar atë skenë nga pikëpamja seksuale, por e hoqa fare kalin. Kur kam bërë “Damën plakë”, një suedeze erdhi më takoi në përfundim të premierës e më thotë, ku e keni gjetur fustanin kaq të mrekullueshëm.

“E kemi stilizuar vetë”, i thashë. U çudit. I thashë që “ne kemi qenë të izoluar vërtet, por të tëra ato që keni bërë ju, i kemi bërë edhe ne.” Në jetën e përditshme ishim njësoj; edhe ne dimë të dashurojmë, të martohemi, të bëjmë fëmijë, por edhe të tradhtojmë gruan, edhe gruaja të tradhtojë burrin, të gjitha kanë ndodhur. Kjo ka qenë jeta edhe atëherë, veçse më e fshehtë. Mirëpo, këto nuk i shfaqje dot se të ikte koka…

Birce Hasko
Birce Hasko

A diskutonit ju me njëri-tjetrin për gjithë këto kufizime apo as guximi për të bërë kaq nuk ishte?

Patjetër që diskutonim. Nëse ka pasur mjedise intelektuale të ngrohta e interesante, kanë qenë ato të artistëve. Sigurisht, që ishin të seleksionuara, duhet të ishin miq, te të cilët kishe besim, por flisnim nga mëngjesi deri në darkë, sepse liria brenda vetes ishte. Vetëm me Kadarenë, sa biseda kam bërë. Dilnim gjithnjë pas orës 9 të darkës, kur binte xhiroja në Tiranë, çfarë nuk flisnim e për kë nuk flisnim. Nga politika e të gjithë. Kishim besim te njëri-tjetri. Me Viktor Zhustin, me Pëllumb Kullën, me Timo Fllokon, flisnim pafundësisht, tallnim sistemin me njëri-tjetrin sepse besonim e s’na ndodhi gjë as atyre, as mua.

Ne shkonim shumë në shtëpitë e njëri-tjetrit, nuk rrinim lokaleve sepse aty bisedat ishin më të sigurta. Hanim, pinim e flisnim për orë të tëra. Ndonjëherë, edhe e tepronim me pijen. Për shembull, më kujtohet një rast kur më ftoi Timo me Verën në shtëpi. Vera kishte gatuar një darkë të shkëlqyer, por unë e prisha. Piva pak më tepër dhe duke folur për teatrin, i them Verës që, “ju në televizion e keni më të thjeshtë edhe për të kamufluar disa situata, ndërsa teatri do figura të forta e të talentuara si Timo Flloko”. Pas pak, Vera nuk ishte më në tryezë, pyes Timon ku shkoi, e më thotë që ishte në kuzhinë duke qarë. Sigurisht, që ky ishte një episod që e kaluam, ata erdhën ‘kthyen vizitën’ tek unë dhe të gjitha u harruan.

A kujtoni ndonjë rast kur një aktor a regjisor i caktuar vinte i revoltuar pse e kishin detyruar të bënte diçka që nuk donte?

Shumë, pafundësisht. Sidomos në Kinostudio, që ka pasur censurë të tmerrshme sepse teatri ka qenë pak më ndryshe. Gjithë filmat duhet t’i shihte Byroja. Kinostudioja shihte si perëndi atë projektuesin që jepte filmat për Enverin sepse vetëm ai ishte i pranishëm aty. Të nesërmen në mëngjes e priste gjithë Kinostudioja dhe e shihte në sy për të kuptuar se si kishte reaguar Enveri. “Qeshi shoku Enver” apo “S’m’u duk mirë”… Nuk kishte rrugë tjetër për të jetuar.

Menjëherë pas viteve ’90, ju keni vënë në skenën e Teatrit Kombëtar, “Shkallët” e Ruzhdi Pulahës. A ndihej liria aty?

Kur kam vënë në skenë pjesën e Ruzhdi Pulahës, “Shkallët”, ka qenë pragu i vitit 1990. Ishte revolucion për ato vite të vije skenën në mes të sallës dhe të sillje spektatorin rreth e qark saj, duke e ngjitur në skenë. Ishte si një ring boksi. Kishim filluar, në njëfarë mënyre, të vrisnim frikën, por ende nuk e dinim se çfarë do të ndodhte. Ende pa u parë në prova gjenerale, spiunë të veçantë brenda teatrit thanë se Kame po bën shfaqe anti partisë. Më thirri ministri i Kulturës për të më pyetur se ç’ishte ajo skenë në mes të sallës dhe e pezulluan shfaqjen për 9 muaj, sepse unë nuk pranova ta ndryshoja, më mirë e lija.

Me të kaluar kjo kohë, mendova ta vë shfaqen për ta parë emrat e njohur të letrave, gazetarët e përfaqësues të ministrisë dhe të jepnin një gjykim të dytë. Ndër të tjerë, erdhi edhe Kadareja me Agollin, të cilët pa dyshim e mbështetën dhe pati prej të gjithëve reagim ndaj pushtetarëve se çfarë kishte kjo shfaqje për mos t’u dhënë. Si përfundim, për të mos vënë edhe ministrin në pozitë të vështirë, marr Besën, të bijën e Ramiz Alisë dhe i kërkoj ta shohë shfaqjen. Punonim bashkë, ishim kolegë në Akademi, ajo në fushën e muzikës. Pranoi, erdhi, e pa shfaqjen dhe ndërhyri te Ramizi, i cili mori ministrin në telefon dhe e lejoi.

Nga drama “Shtëpia e Bernarda Albës”
Nga drama “Shtëpia e Bernarda Albës”

Ne kemi folur edhe më parë bashkë dhe më keni treguar për një ëndërr, për të cilën ende nuk kemi dëgjuar ende, “Kufoma e gjallë” e Tolstoit…

Një vepër si “Kufoma e gjallë” e Tolstoit, me një aktor si Aleksandër Moisiu, është vënë në skenë për më shumë se njëmijë herë, me Moisiun në rolin e Fedias, edhe unë shoh tre Fedia tanët. Në fakt, ky projekt ka mbi 20 vjet që shkon në teatër, por nuk ka gjetur ende mbështetje nga pikëpamja financiare. Megjithëse është ëndrra ime, ndoshta nuk kam insistuar fort, por ndoshta një ditë do të realizohet.

Ndoshta është koha e duhur, sepse duke lënë mënjanë rivënien e “Të gjithë me huqe”, nuk ju kemi parë prej kohësh…

Shfaqja e fundit ka qenë “Të gjithë me huqe”, që është vënë në vitin 2011 dhe rivënia e saj u bë këtë vit në verë. Përpara saj ka qenë “Pjata prej druri”. Megjithatë, është e vërtetë që këto vitet e fundit nuk kam qenë shumë aktiv. Nga viti 2002 deri në vitin 2015 kam vënë tri shfaqje.

Drama “Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër”
Drama “Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura