INTERVISTA/ Kozma Dushi: Nuk do t’i thosha ‘jo’ një kënge për partinë

Sep 5, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Kur e pyet për festivalet e Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar, Kozma Dushin e pushton nostalgjia. Nuk ka marrë kurrë çmim të parë, por dëshiron t’i bëjë 35 herët që ka kënduar në të, duke thyer kështu një rekord.

Në një intervistë në “Panorama” ai komenton edhe debatin e fundit, pas akuzave të kantautorit Gjergj Leka për këngëtaret. 

KOZMA DUSHI DUKE FOLUR PER “PANORAMA” (MAJTAS) GJERGJ LEKA
KOZMA DUSHI DUKE FOLUR PER “PANORAMA” (MAJTAS) GJERGJ LEKA
Ai thotë se me gjasë kantautori mund të ketë kthyer një gotë atë ditë, fundja kështu bëjnë artistët në të gjithë botën, sipas tij. Por nëse ka qenë esëll, patjetër ka bërë gabim…

Si i vlerësoni gjykimet e Gjergj Lekës ndaj këngëtareve të brezit të kohës suaj, konkretisht Parashqevi Simakut dhe Lindita Thoedhorit?
Mua më vjen shumë keq. Për Gjergj Lekën kam respekt. Është muzikant i formuar, i kompletuar, me një vesh absolut. Me sa e njoh unë, është djalë shumë i mirë dhe me zemër shumë të madhe. Por çuditem si e bëri atë debat me këngëtaret e brezit tim. Nuk e di, ndoshta Gjergji ka qenë i pirë, aludoj unë. Se njerëz jemi, sidomos ne artistët edhe e pimë ndonjë gotë më shumë, kudo në botë kështu janë artistët. Megjithatë, nëse ato fjalë i ka thënë esëll, për mendimin tim ka bërë gabim që është marrë me këngëtaret e brezit të asaj kohe.

Po pse nuk kanë pasur asgjë për t’u kritikuar këngëtaret e brezit të asaj kohe?
Asnjë fije floku nuk ka çfarë t’u kritikosh. Kanë qenë këngëtarë e këngëtare shumë të mira, profesioniste dhe jo pseudokëngëtare. Kishin vlera, pa pranoheshin nëpër festivale. Nuk kishte shans e dritë jeshile për antivlerat.

Pse jo?
Sepse këngët ishin shumë të bukura, muzika e lehtë mbështetej në tabanin popullor, me kompozitorë e orkestrues që ishin mjeshtra. Dhe këngëtarët ishin të zgjedhur nga vetë kompozitorët, nuk caktoheshin nga redaksia apo drejtoria. Po marrim, për shembull, Naim Gjoshin që ishte në Burrel dhe ai thoshte: “Unë këngën e kam bërë për Luljeta Përbashën nga Rrësheni”, dhe ajo do të ishte në festival, edhe nëse nuk ishte e njohur. Kompozitorët, pra, merrnin këngëtarët. Pastaj kishte këngëtarë shumë të mirë, që i caktonte redaksia. Për zërin tënd, mënyra se si këndon ti, do të këndosh këtë këngë. Për shembull, këngën e Thoma Gjonit nga Saranda e këndoi Telemak Papapano, e orkestruar me mjeshtëri nga Alqi Karreco. Dhe nëse një këngëtar mund të ishte mesatar dhe e zëmë se gjente ndonjë mënyrë dhe arrinte të futej njëherë në festival, vitin tjetër e në vijim nuk kishte shanse të këndonte më.

A kishte këngëtarë të privilegjuar?
Për mendimin tim, jo. Të gjithë kanë qenë njëlloj. As Vaçe Zela? Nuk mund t’i thuash e privilegjuar, por vetëm e respektuar. Ja, për shembull, vinte ndonjëherë me vonesë, ose vinte më rrallë në prova. Sepse ajo e kishte këngën e kopsitur, kishte dhe zërin e rrallë, nuk kishte nevojë të rrinte kot në prova. Vaçja ishte brilante, sepse çfarëdo lloj muzike t’i jepje, ajo e qante. Jo çdo këngëtar e ka këtë “dhuratë”, këndonte muzikën e lehtë, populloren, lirikën etj.

Po nëse do ta krahasonim me Parashqevi Simakun, sepse edhe ajo këndonte si muzikën e lehtë, ashtu dhe populloren?
Parashqevia është tjetër gjë. Ajo nuk do të mund t’i këndonte dot këngët e Vaçes.

Po Vaçja do të mund t’i këndonte këngët e Parashqevisë?
Po, i këndonte dhe i këndonte shumë bukur madje. Ka diçka këtu, le të themi ca elementë njerëzorë. Parashqevia ishte ca më e ëmbël në zë apo dhe pamje, ndërsa Vaçja ishte potente. Ndaj them që janë tjetër gjë nga njëra-tjetra. Për mua, të dyja ishin këngëtare shumë të mira, por Vaçja mbetet Vaçe. Me shumë respekt për kontribut të lartë në muzikë dhe zë të talentuar do të kujtoja këtu edhe Irma Libohovën, Myfarete Lazen, Ema Qazimin, Liljana Kondakçi, Alida Hiskun etj.

Po Lindita Theodhorin?
Nuk diskutohet, edhe Lindita Theodhori ka qenë e mrekullueshme në skenë. Një këngëtare shumë e mirë dhe me vokal të pastër. Vajzë shumë korrekte në ato vite, e sjellshme dhe e dashur me kolegët.

Pse dominonin femrat në çmimin e parë në festivale?
Kanë marrë çmime të para edhe meshkujt, por kuptohet më së shumti femrat. Sepse, si ta them, kënga e kënduar nga një femër pëlqehej më shumë edhe nga rinia, por edhe nga kompozitorët vetë që i bënin ato këngë. Pastaj gjithmonë ato këngëtare nuk është se e merrnin çmimin e parë nga bukuria, por nga kënga dhe vokali, interpretimi. Ishin disa komponentë bashkë: Zëri, muzika, poezia, interpretimi, orkestracioni dhe sigurisht edhe pamja e jashtme.

Gjithsesi, për çmimet e para ndikonin kompozitorët që më së shumti ua jepnin këngët e bukura këngëtareve femra?
Ndikonin, por nuk është kjo. Kujtoj, për shembull, rastin e këngëtares Flora Shabani nga Dibra, me këngën “Motërzo”, muzika Edmond Zhulali. Doli fituese në anketë, ku këndonte edhe Ardit Gjebrea dhe Irma Libohova, me këngën “Makinisti”, apo plot këngëtare të tjera me emër apo të bukura. Por kënga “Motërzo” mori vendin e parë, sepse e meritonte. Nuk kishte miqësira nëpër çmime e gjëra të tjera, siç janë sot.

Megjithatë, miqësitë kanë funksionuar edhe atëherë…

Kanë funksionuar, por nuk pinte ujë miqësia, nëse nuk dije të këndoje.

Pavarësisht se keni një rekord pjesëmarrjeje në festival, plot 33 herë, keni marrë dhjetëra çmime të dyta e të treta. A ju ka mbetur peng që nuk morët asnjëherë dot çmim të parë?

Çmimin e parë ma ka dhënë populli, derisa këngët e mia këndohen edhe sot e kësaj dite. Kënga që mbetet në popull, gjithnjë është çmim që nuk ka çmim. Më pëlqen ajo shprehja “e artë” në këtë rast: “Nuk mbetet ajo që fiton, por fiton ajo që mbetet”. Një këngë që jeton gjatë, ajo mbetet dhe e ka fituar çmimin e parë. Ndërsa një këngë që fiton çmimin e parë dhe jeton 4-5 ditë e nuk ia kujton kush refrenin, nuk e fishkëllen njeri, kuptohet që është dhënë gabim çmimi. Megjithatë, në ato vite komisionet e jurisë ishin shumë të përgatitura, njerëz të zgjedhur, muzikantë me emër.

Sa ka depërtuar Sigurimi i Shtetit tek artistët? A përflitej ndokush?

Nuk kishte lidhje fare Sigurimi i Shtetit me artistët. Këto janë dokrra. Artistët nuk depërtonin në festival nga Sigurimi apo ku di unë, por nga puna rraskapitëse. Se për një këngë që do të jepej në festival rrinim një muaj në prova, në hotelin më të mirë që kishte shteti ynë, për shembull, “Arbëria”, bënim prova paradite e pasdite me dy dirigjentët madhështorë, Ferdinand Deda dhe Eno Koçon. Festivali shfaqej më 25-26-27 dhjetor, ndërsa më parë, më datën 15 dhjetor, bëheshin provat gjenerale ku vinin ata të udhëheqjes dhe bënin ndonjë vërejtje, nëse kishin.

Vërejtje të tipit?

Për shembull, bënin ndonjë vërejtje për ndonjë varg apo strofë dhe teksti ndryshohej para se të jepej në festival. Nuk mbaj mend mirë tani, por ja një shembull. Ishte një këngë që do të këndohej nga Rakipe Karaj, ajo ishte studente asokohe. Kënga ishte e Nexhmedin Dukës. Nuk u pëlqeu teksti i këngës, e hoqën atë dhe vunë një poezi tjetër. Nuk më kujtohet për çfarë flitej në atë tekstin që hoqën, por e zëvendësuan. Kritika të tjera mund të ishin edhe të tipit që: Këndo një çikë drejt, jo me maniera. Të ishe i kujdesshëm me veshjen, ose të mos lëvizje shumë në skenë, mos imitoje këngëtarë të huaj etj. Ja nga këto vërejtje që dihen, se nuk ishin vetëm për këngëtarët, por për të gjithë popullin.

Personalisht, jua kanë hequr ndonjë strofë nga kënga?

Mua jo, sepse këngët përgjithësisht unë i kam pasur për rininë, për nënën, natyrën, njerëzit, dashurinë. Nuk kam kënduar direkt ndonjë këngë për partinë apo për Enverin.

Por nëse do të të thoshin të këndoje ndonjë këngë për partinë e Enverin?

Do ta këndoja patjetër. Jo unë, por çdo artist do ta këndonte, as që bëhej fjalë.

Më tepër ka pasur censurë apo autocensurë?

Nuk është se ka pasur tamam censurë, ishte tjetër gjë. Më tepër jepeshin udhëzime, sidomos në festival e para. Për shembull, ishte ndërtuar një hekurudhë që do të shkonte treni nga Librazhdi për në Pogradec, apo ndërtimi i Metalurgjikut e plot aksione të tjera. Do të bëhej këngë për këto patjetër, sepse ishin mijëra të rinj që po i ndërtonin dhe ata e gjenin veten aty.

Keni kënduar ndonjë këngë të këtij tipi?

Po, patjetër. Kujtoj këngën e Ferdinand Dedës, me tekst të Gjokë Becit, “Faqebardhë rini në çdo aksion”. Kjo këngë iu dedikua aksionistëve që ndërtuan hekurudhën nga Tirana për në Lezhë. Pse censurë ishte kjo, që t’u dedikoje një këngë atyre mijëra njerëzve që ndërtonin? Jo, madje këto këngë pastaj këndoheshin kudo që ndërtohej, ishin të preferuara në atë kohë, sepse kishin aktualitet. Ishte këngë për masat. Pra, jepeshin udhëzime që të bëhej një këngë për ndonjë vepër që ishte ndërtuar, por nuk kishte censurë që të mos pranoheshin në festival këngë dashurie apo me tematika të tjera. As nuk kërkohej që të mbushej festivali me këngë partie. Atëherë, ku është censura këtu? Pse bëheshin këngë aktualiteti?

Kënga juaj e parë ka qenë “Përshëndetje nga furrnalta”. Si arritët ta merrnit këtë këngë?

Unë asokohe kam qenë ushtar, ndenja 3 vjet në Sazan si konti i Monte Kristos dhe 8 muajt e fundit më sollën në Fier. Aty u bënë disa aktivitete me këngë që këndoheshin nga ushtarët dhe në një nga ato më kishte dëgjuar kompozitori Nikollaq Bulo. Ai pastaj kishte bërë këngën “Përshëndetje nga furrnalta” pikërisht për zërin tim. Ma propozoi këngën dhe u ndjeva jashtë mase i emocionuar. E bëmë gati dhe ai ia çoi Ferdinand Dedës në festival. Kënga u pranua dhe unë kam marrë pjesë në festivalin e 15-të me kapotë ushtrie. Pata emocione të papara, por ajo qe kënga që më hapi dyert në festival.

Ju keni marrë pjesë edhe në vitin 2002 në festival, ku morët pjesë në duet me Silva Gunbardhin, me këngën “Gënjemë, por mos thuaj që s’të dua”. Mbetet i fundit për ju?

Kam qenë në 33 festivale, do të marr pjesë në 35, që të mbetem rekord. Nuk ka bir nëne që të këndojë 35 vjet nëpër festivale, se këndojnë nga 4-5 herë e zhduken, nuk ka më zëra. Pra, do të marr pjesë edhe dy herë të tjera në festivalin e RTSH-së.

Doni që të merrni pjesë në festival që të mbeteni rekordmen, apo për çmimin e parë?

Nuk dua çmim të parë, unë kam vënë shpirtin në këngë.

Me kë do të bënit duet, me një nga këngëtarët e dikurshëm?

Me Irma Libohovën, më ka mbetur peng. Është e vetmja këngëtare e brezit të vjetër që e mban mikrofonin në dorë, është prezente në çdo skenë dhe këndon me zë të fuqishëm si dikur.
Nga Elisabeta Ilnica

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura