INTERVISTA/ Kompensimi për dritat, kreu i ISSH: Afatet e dokumentet

Mar 2, 2015 | 16:50
SHPËRNDAJE

Ndarja e kompensimit të energjisë elektrike, prej 648 lekë/muaj ka nisur për kategorinë kryesore të pensionistëve përfitues.

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve shoqërore, Vjollca Braho

Në një intervistë për gazetën, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, sqaron afatet, procedurat dhe dokumentet që duhet të plotësojnë pensionistët për të përfituar nga kompensimi i ri i energjisë elektrike.

“Asnjë prej pensionistëve përfitues ekzistues nuk do t’iu ndërpritet pagimi i të tre kompensimeve deri në këtë afat dhe nuk është e nevojshme të nxitojnë për plotësimin dhe dorëzimin e dokumentacionit”.

Braho thekson se ka edhe dy muaj afat për plotësimin e dokumenteve, kohë e mjaftueshme kjo për të gjithë pensionistët.

Tashmë ka nisur procesi i kompensimit të energjisë elektrike. Si po ecën ky proces?

Procesi i pagimit të kompensimit të çmimit të energjisë elektrike, në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 8, datë 14.01.2015, ka nisur që në datën 1 shkurt 2015. Të gjithë pensionistët që përfitojnë këtë lloj kompensimi, së bashku me pensionin e muajit shkurt kanë tërhequr kompensimet e energjisë elektrike në masën 1288 lekë. Kjo shumë përfshin të tre llojet e kompensimeve të çmimeve të energjisë që janë: kompensimi i parë sipas VKM-së nr.565, datë 09.08.2006 prej 500 lekësh, kompensimin e dytë sipas VKM-së nr.238, datë 07.04.2010 prej 140 lekësh, si dhe kompensimin e fundit prej 648 lekësh sipas VKM-së nr.8, datë 14.01.2015.
 

Çfarë dokumentesh duhet të sjellin pensionistët për përfitimin e kompensimit të fundit?

Nga ana e ISSH-së, për të gjithë pensionistët që përfitojnë kompensimin prej 640 lekësh në muaj, sipas VKM-së nr.565 dhe VKM-së nr.238, iu është paguar edhe kompensimi i ri prej 648 lekësh, pa pritur plotësimin dhe rifreskimin e dokumenteve. Për të bërë këtë plotësim apo rifreskim është lënë një afat, i cili skadon në fund të muajit prill. Pra, asnjë prej pensionistëve përfitues ekzistues nuk do t’iu ndërpritet pagimi i të tre kompensimeve deri në këtë afat dhe nuk është e nevojshme të nxitojnë për plotësimin dhe dorëzimin e dokumentacionit. Për pensionistët të cilët nuk marrin kompensimet e para por plotësojnë kushtet për ta përfituar kompensimin, kanë të drejtë të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm deri në fund të prillit dhe pagesa do t’iu fillojë që nga data 1 shkurt 2015. Për të ardhur te pyetja juaj, dokumentacioni që duhet të plotësohet dhe rifreskohet është një fotokopje të kartës së identitetit të nënshkruar, certifikatë familjare që të provojë faktin e të qenit kryefamiljar, kontratë me operatorin e furnizimit me energji elektrike në emër të kryefamiljarit, librezën e dritave që konfirmon pagesën e rregullt të energjisë elektrike dhe një deklaratë që plotësohet pranë zyrave të sigurimeve shoqërore.

Sipas traditës, pjesa dërrmuese e pensionistëve janë kryefamiljarë. Të gjithë këta pensionistë e përfitojnë kompensimin?

Këtë lloj kompensimi e përfitojnë pensionistët kryefamiljarë të vetëm, kur përbërja familjare është vetëm dy pensionistë dhe në këtë rast vetëm pensionisti kryefamiljar e merr kompensimin, si dhe kur pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kanë të ardhura nga punësimi apo vetëpunësimi.

Si vërtetohen që nuk kanë të ardhura?

Për të vërtetuar këtë situatë, të gjithë pjesëtarët e familjes mbi 18 vjeç, duhet të paraqesin vërtetimin e zyrës së punës që janë punëkërkues të papunë. Pra, në rastet kur pensionisti është kryefamiljar por ka anëtarë të tjerë të familjes që përfitojnë të ardhura nga punësimi, nuk përfitojnë këtë kompensim.
 

Po pensionistët e fshatit e përfitojnë këtë kompensim?

Në pikën c) të VKM-së e sipërcituar është përcaktuar që këtë lloj kompensimi e përfitojnë kryefamiljarët pensionistë që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë persona të familjes të punë- suar apo të vetëpunësuar. Pra, pensionistët kryefamiljarë me pension fshati dhe që jetojnë në fshat nuk e përfitojnë këtë lloj kompensimi. Përjashtim bëhet për kryefamiljarët pensionistë të invaliditetit të plotë që banojnë në fshat, por që nuk kanë pjesëtarë të tjerë të familjes të punësuar apo vetëpunësuar.

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura