Intervista/ Klosi: Pajisja e Policisë nuk përgjon, lokalizon telefonat

May 18, 2016 | 10:06
SHPËRNDAJE

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi, i cilëson debat politik akuzat e opozitës për përgjim të politikanëve nga Ministria e Brendshme.

fatos-klosi

Sipas tij, me këto akuza po dëmtojnë Policinë e Shtetit duke vënë në dijeni krimin se çfarë pajisjesh disponon ajo për të zbuluar veprat kriminale. Klosi shprehet se beson ministrin Tahiri se pajisja që disponon Policia e Shtetit është vetëm lokalizuese dhe jo përgjuese, edhe për faktin se opozita nuk mban asnjë përgjegjësi për deklaratat që bën.

Ai sjell dhe një rast kur në kohën që drejtonte shërbimin sekret ka kërkuar ndihmën e policisë italiane për një pajisje të tillë lokalizuese për të kapur një bandë që merrej me trafik të madh narkotik.

Për sa kohë që asnjë përgjim nuk është bërë publik, për Klosin mbetet lojë politike, ndërsa akuzoi Partinë Demokratike se në këtë mënyrë ka vepruar dhe në të shkuarën për të bërë opozitën.

Në qendër të debatit politik është një pajisje, të cilën opozita e cilëson si përgjuese, ndërsa Ministria dhe Policia si trajnuese. Nisur nga përvoja juaj, kjo pajisje, nëse ju keni dijeni, për çfarë bëhet fjalë, mund të realizojë përgjime të telefonave?

Me thënë të drejtën, nuk e di se kush thotë të vërtetën dhe kush të pavërtetën, por unë i besoj ministrit sepse ata që akuzojnë, janë politikanë që nuk mbajnë ndonjë përgjegjësi për ato që thonë. Ata mund të thonë ç’të duan dhe në Shqipëri ka funksionuar kjo metodë, thuaj ç’të duash, nuk ka asnjë pasojë. Ministri është në pozita të tjera, flet në emër të ministrisë së tij dhe çdo fjalë e tij kalon në vrimë të gjilpërës. Jam i prirur të besoj ministrin se është më i përgjegjshëm për përgjegjësinë që mbart. Ky është një debat politik dhe politika shqiptare ka vijuar vazhdimisht në trajektoren “shpif, shpif, se diçka do të mbetet”.

Çfarë është kjo pajisje sipas jush?

Unë mendoj se është një aparaturë, siç tha dhe ministri, dhe ne e kemi përdorur dikur, kur isha në SHISH, nuk e kishim tonën, por na u desh për një hetim, kërkuam ndihmën e shërbimit italian. Ata e sollën një aparaturë të tillë që ishte e montuar në një autoveturë dhe për dy javë ajo dha rezultatet që ne prisnim dhe më pas u largua nga Shqipëria. Funksioni i saj është shumë i thjeshtë, lokalizon të gjithë telefonat në një zonë të caktuar dhe nëse të intereson dikush, mund t’i afrohesh dhe sinjali i saj forcohet derisa e lokalizon në mënyrë të saktë. Kjo është një pajisje e punës normale të policisë. Si njeri që kam punuar me shërbimet, mua më vjen keq që këto të dhëna ekspozohen në publik para krimit, pra t’i tregosh opinionit, mes të cilëve dhe kriminelëve se çfarë aparaturash ka policia e vendit tënd. Dhe në këtë rast, këto akuza bëjnë lojën e djallit, nuk i bëjnë mirë punës së policisë.

Kjo pajisje mund të konsiderohet e ligjshme apo e paligjshme sipas jush?

Për mua është krejtësisht e ligjshme, sepse kjo nuk hyn te pajisjet e përgjimit. Kjo është një pajisje lokalizimi, unë çuditem se kush ka frikë nga lokalizimi i telefonatës?! Ai që gënjen gruan, i thotë që jam poshtë shtëpisë dhe e gjen në Durrës?! Ata që e kanë profesion gënjeshtrën dhe mashtrimin janë shkelësit e ligjit, ata le të tremben, kjo nuk duhet të shqetësojë opinionin e shëndoshë. Ata duhet të kujtojnë që shteti ka edhe më shumë mjete dhe pajisje nga sa ata kanë në dijeni. Nuk duhet të diskutohet fare çështja ligjore, nëse shkelet apo jo ligji. Mund të ketë pajisje të tjera të kësaj natyre, por asnjeri nuk ka parashikuar që këto të përdoren për politikanët që bëjnë gjithë këtë zhurmë, pajisje që u shërbejnë institucioneve përkatëse si SHISH, policisë kriminale apo dhe prokurorisë për të bërë punën e tyre. Si mendojmë ne se policia kriminale punon me shkopinj gome?! Ata janë civilë që mbledhin informacion me të gjitha mjetet. Krimi është shumë përpara tyre, celularët dhe skenarët që përgjojnë radiot e policisë janë shumë të avancuar në teknologji dhe teknikë nga Policia e Shtetit. Pastaj, pyetja që bëhet kur ka hyrë në doganë dhe kush e ka regjistruar, është absurde.

Keni dijeni se kjo pajisje ka qenë pjesë e marrëveshjes së nënshkruar me policinë italiane në 2007?

U tha që ka një marrëveshje që është lidhur në 2007 dhe kjo pajisje nuk punon vetë, e cila kërkon specialistin e saj, por duhet dhe të trajnohen oficerët tanë të policisë për ta përdorur atë, për të mësuar kapacitetet e saj funksionale. Unë jam i prirur t’i besoj ministrisë sepse nuk shoh të ketë ndonjë arsye për të mos thënë të vërtetën. Unë nuk e kuptoj pse tremben politikanët nga përgjimi?! Vetëm nëse kanë bërë pisllëqe, por para publikut dhe në parlament hiqen si burra të mirë që u dhemb populli.

Ankohen se ka cenim të privatësisë…

Politikanët tanë e kanë marrë parasysh që kur janë në një detyrë publike do të jenë në qendër të vëmendjes të interesit publik, por dhe të shtypit. Të gjitha justifikimet më duken lojëra politike. Unë kam një eksperiencë personale, PD-ja të tilla lojëra politike ka bërë për të përbaltur atë që është në pushtet për ta barazuar me veten e saj. Është e turpshme që është kjo lloj përballjeje.

Duket sikur opozita në Shqipëri thotë vazhdimisht se po përgjohem, këtë ka bërë edhe PS kur ishte në opozitë me përgjimin e SHIU-t.

Unë do të pyesja, a ka ndonjë gjë të përgjuar dhe që u bë publike?! Çfarë nxori “armiku” nga përgjimet për t’i dëmtuar ata?!

Presidenti u shpreh se është cenuar siguria kombëtare…

Presidenti po tregon se është në ditët e fundit dhe është lëshuar për të marrë emërimin e tij politik në Partinë Demokratike, ose nuk e ka të qartë se çfarë është siguria. U cenuaka siguria kombëtare pse ti evidenton se kush po flet në celular?! Mund të cenohet privatësia, por jo siguria. Unë kam komunikuar me shumë drejtues të shërbimeve dhe ato prandaj ekzistojnë, për të luajtur në tehun mes të ligjshmes dhe të jashtëligjshmes, por e gjithë zotësia e tyre është që të bëjnë punën dhe askush të mos marrë vesh se çfarë po bëhet dhe duke mos i krijuar probleme askujt, sepse po doli informacioni, atëherë vetë shërbimi ka rënë. Por unë e them që me këto akuza po ndihmohet krimi, pa dashur ndoshta, duke bërë lojëra politike. Dhe populli ynë i ka qejf këto gjërat me përgjime dhe sigurime dhe ia bëjnë të besueshme.

Nuk mund të vëmë një shenjë barazie mes përgjimit të SHIU-t dhe këtyre akuzave për përgjime?

Nuk i dimë se si kanë qenë elementët e kësaj historie. Mua një gjë më bën përshtypje, që kanë të bëjnë me zbardhjen e së vërtetës. Na u tha se u prish disku ku ruheshin të dhënat e përgjimit të asaj pajisjes së SHIU-t, u prish serveri i kamerave të Kryeministrisë më 21 janar, ku ishin faktet se kush i vrau katër protestuesit. Këto prishje, që kanë të bëjnë me vendin e krimit, nuk duan dhe shumë zgjuarsi për t’u kuptuar se janë bërë pa zgjuarsi fare. Ndërsa të thuash se ka një pajisje përgjimi, duhet të dalësh dhe të thuash se kush është përgjuar dhe çfarë ka dalë nga ky përgjim dhe hajde të komentojmë ato përgjime që janë bërë në mënyrë të paligjshme dhe ku janë cenuar të gjitha ligjet, e përgjimit, privatësisë etj. Ligji nuk ka një kufizim shumë të qartë në ligj, sepse ligji s’mund të merret me shumë detaje, kjo është një marrëveshje mes prokurorisë dhe policisë për të marrë leje për çdo individ. Në kohën time përcaktohej me prokurorinë fusha ku bëhej përgjimi dhe nëse informacionet ishin penale për individin, fillonte procedura nga e para me prokurorinë për të marrë provat ligjore për ta çuar gjykatë.

ARISTIR LUMEZI

***

Mbreme, ish-kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi ka deklaruar gjatë emisionit “Opinion” se një pajisje të tillë përgjimi për të cilën po diskutohet gjerësisht kohë e fundit, është përdorur 15 vite më parë nga autoritetet shqiptare.

 


NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura