Intervista e Lady Jihad, bashkëshortes së xhihadistit shqiptar: Shteti Islamik, vend perfekt

Jul 7, 2015 | 21:27
SHPËRNDAJE

Bashkëshortja italiane e xhihadistit shqiptar, Aldo Kobuzi, familjarët e të cilit u arrestuan javën që shkoi në Shqipëri dhe Itali për lidhje me ISIS-in ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”.

Lady Jihad, bashkëshortja e Aldo Kobuzit, shqiptarit që lufton me ISIS

Lady Jihad ose Maria Xhilia Serxhio, e cila e ka ndërruar emrin në Fatima Az-Zahara pasi është konvertuar në myslimane ndodhet në Siri së bashku me bashkëshortin e saj nga Lushnja, Aldo Kobuzin.

Kobuzi po lufton përkrah xhihadistëve në Siri ndërkohë që edhe italiania jeton atje pranë tij, duke u stërvitur në kampet e ISIS-it.

Italiania, në një telefonatë me “Skype” për gazetën prestigjoze ka mbrojtur Shtetin Islamik duke thënë se ai është një shtet perfekt.

Historia e tyre doli në dritë javën e shkuar, pasi prindërit e saj dhe motrat, së bashku me pesë pjesëtarë të familjes së Kobuzit u arrestuan në një operacion të përbashkët antiterrori, të shtrirë në Itali dhe Shqipëri.

Në intervistë, italiania thotë se ajo është përpjekur që të tërheqë prindërit e saj në Siri, në mënyrë që të kenë një jetë më të mirë.

Për shkak të lidhjes së dobët të internetit, gazetarët nuk mund t’ia shihnin dot fytyrën, por sipas analizave të zërit, të kryera nga karabinierët, u konfirmua se ajo ishte pikërisht Lady Jihad.

Italiania, e cila u dërgoi miqve të saj mesazhe urimi në muajin janar kur u krye sulmi terrorist ndaj “Charlie Hebdo-së”, vazhdon të justifikojë masakrat e ISIS-it.

“Kur ne i presim kokën dikujt, shprehim bindje ndaj Ligjit të Sheriatit”, thotë ajo. Ish-studentja e Universitetit të Milanos, e përshkruan vendin ku gratë po kthehen në skllave seksi si një vend perfekt ku njerëzit respektojnë liritë dhe të drejtat e njëri-tjetrit.

“Ata që shkelin të drejtat e njeriut janë ata që nuk e ndjekin Allahun”, thotë ajo. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura