Inskenuan vjedhjen e dosjeve të pronave në Dhërmi, arrestohen zyrtarët. Kishin marrë informacion se ishin nën hetim për falsifikim

Oct 16, 2021 | 9:00
SHPËRNDAJE

ELTON NIKA/ Ajo që u raportua pak ditë më parë si vjedhje në zyrat e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut të Vlorës, rezulton të jetë inskenim.


Ka qenë drejtori i kësaj drejtorie, Bardhyl Gjika dhe zyrtari Kreshnik Mino ata të cilët dyshohet se inskenuan vjedhjen e dy dosjeve që lidhen me pronat në bregdet në fshatin Dhërmi. Burime nga Policia sqaruan se një AMTP dhe formulari 6 i regjistrimit të një prone truall ishim falsifikuar në favor të shtetasit Spiro Duni.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se çështja pronësore e familjes Duni po gjykohet pasi ka pasur pretendime për falsifikime. Për këtë arsye, organet e drejtësisë që po shqyrtonin rastin kanë kërkuar që t’u vihen në dispozicion dokumentet origjinale dhe për të mos u zbuluar falsifikimi, funksionarët e Këshillit të Qarkut, kanë sajuar vjedhjen e tyre.

Këto dokumente janë origjinale vetëm në këtë zyrë dhe nuk janë administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës për shkak të mangësive në dosje.

Pesë ditë pas vjedhjes së dokumenteve ende nuk dihet se kush është personi që ka hyrë në zyrat kryesore të Këshillit të Qarkut, duke marrë dosjet në fjalë. Për shkak të mënyrës se si u krye grabitja, u dyshua që në fillim që personi kishte dijeni për vendndodhjen e saktë të dosjeve.


ARRESTIMET

Gjatë një operacioni të koduar “Formulari” të organizuar nga Policia e Vlorës përfunduan në pranga Bardhyl Gjika, 60 vjeç, drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës; Kreshnik Mino, 37 vjeç, specialisti i kësaj drejtorie dhe shtetasi Spiro Duni, personi që pretendonte pronësinë e tokës në fshatin Dhërmi.

“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi B. Gj, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me specialistin e kësaj drejtorie, shtetasin K. M., dhe shtetasin S. D., dyshohen se kanë falsifikuar formularët e AMTP-së dhe Formularin nr. 6 për regjistrimin e një pasurie (truall), në fshatin Dhërmi”, sqaroi Policia lokale.

Policia e Vlorës tha se arrestimi i zyrtarëve erdhi pas hetimeve disamujore nga ana e specialistëve për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Për shkak se zyrtarët kanë pasur njohuri se kanë qenë nën hetim kanë organizuar edhe vjedhjen e dosjeve për të humbur gjurmët. Materialet procedurale ndaj tyre do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, e kryer në bashkëpunim.

Pas arrestimit, kryetari i Qarkut të Vlorës, Ervis Moçka, ka pezulluar nga detyra dy zyrtarët.

Hajduti i maskuar vodhi dosjet në mes të natës

Ka qenë ora 23:30 minuta e datës 11 tetor kur dy zyrat më të rëndësishme të Qarkut të Vlorës u thyen nga një grabitës i maskuar.

Fillimisht hajduti goditi me levë një nga dritaret e ndërtesës dhe prej andej shkoi në zyrat ku ndodheshin dosjet e fshatit Dhërmi, një zonë mjaft e lakmuar për detin e pastër. Ndërsa personi që kreu grabitjen e dosjeve nuk dihet ende. Ajo që dihet është se zyrtarët kanë bashkëpunuar me të për të fshehur gjurmët e falsifikimit të dokumenteve.

“Më datë 11.10.2021, rreth orës 23:30, te Pallati i Kulturës, Vlorë, dyshohet se një shtetas ende i paidentifikuar ka vjedhur me thyerje në zyrat e qarkut, ku ka marrë disa dokumente. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe fiksimin e çdo prove materiale që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit”, sqaronte Policia.

ÇFARË THA DREJTORI PAS VJEDHJES

Pas vjedhjes së ndodhur më orët e vona të 11 tetorit 2021, drejtori Gjika foli gjerësisht për mediat në lidhje me atë që kishte ndodhur në zyrat e pronave, duke mos konfirmuar se çfarë dosjesh ishin vjedhur. Megjithatë, ai deklaroi se dokumentet ishin origjinale dhe se ato nuk mund të krahasoheshin me fotokopje. “Nëse ka humbur një dokument origjinal, ka një rrezik se mund të mos krahasohet me një dokument tjetër fotokopje. Zyrat monitorohen nga kamerat. Roja e ka konstatuar dhe ka njoftuar. Ka hyrë nga dritarja te zyra e zëdhënësit dhe pastaj ka dalë nga dera kryesore”, tha midis të tjerash.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura