Informaliteti, shembulli i Kosovës që e lufton përmes masave nxitëse, jo ndëshkimeve

Nov 27, 2015 | 10:51
SHPËRNDAJE

Edhe përdorimi i kuponave tatimorë, nxitet përmes rimbursimit të tyre, ku përfitojnë të gjithë individët që dorëzojnë mbi 30 kuponë dhe mbi 250 euro blerje, jo në formën e lotarisë siç do bëhet tek ne, ku përfitues do jenë disa

Kanë zgjedhur një formë krejt ndryshe autoritetet e Kosovës për të luftuar ekonominë informale. Jo përmes masave të forta ndëshkuese, siç po veprojnë autoritetet shqiptare, por formave nxitëse, që zbatohen për sipërmarrjet formale, si fondet e garantimit të kredive për bizneset e rregullta, apo rimbursimi i blerjeve me kupona tatimorë.

kuponi tatimor

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një bisedë për Radion Europa e Lirë thekson se ekonomia informale ka qenë shqetësim që nga dita e parë kur kanë filluar punën dhe se kanë ndërmarrë veprime konkrete për të luftuar këtë dukuri.

“Kemi ndërmarrë disa veprime, në muajt e parë të qeverisjes kemi ndërruar udhëzimin administrativ për licencat e kompanive që furnizojnë arka fiskale, për të siguruar që arkat fiskale kushtojnë më lirë. Kemi aplikuar një formë të nxitjes së qytetarëve për të blerë vetëm nga kompanitë që janë formale, pra që kanë arka fiskale, duke i nxitur qytetarët të marrin kuponë fiskalë dhe kjo ka dhënë efektet e veta”, sqaron Hoti.

Hoti tregon se gjatë këtij viti ka pasur rritje të të ardhurave në administratën tatimore të Kosovës, gjë që, sipas tij, tregon se ekonomia informale ka shënuar rënie.

Ai shpjegon se përfitime nga subvencionet që jep qeveria e Kosovës për bizneset do të mund të kenë vetëm bizneset që kanë historik të mirë të raportimit financiar, pra bizneset formale.

“Ekonomia joformale është e lartë. Ajo që po mundohemi të bëjmë tani është të krijojmë nxitje të ndryshme që bizneset të operojnë në sektorin formal, pra të mos i përdorim shumë ndëshkimet si formë e formalizimit të bizneseve, por të nxiten që ta gjejnë më mirë veten në sektorin formal”.

“Disa prej këtyre nxitjeve janë në zhvillim e sipër, p.sh., është fondi për garantimin e kredive për të cilin së shpejti do të kalojë ligji në Kuvend dhe do të fillojë së funksionuari, e prej atij fondi do të përftojmë bizneset formale që kanë historik të mirë të pasqyrave financiare”, shpjegon Hoti.

Në vitin 2014, institucionet ndërkombëtare financiare dhe Ministria e Financave në qeverinë e Kosovës kishin vlerësuar se ekonomia joligjore në Kosovë është 34.4%, që e përkthyer në shifra, 450 milionë euro në vit janë taksa të pambledhura për buxhetin e Kosovës.

Që në vitin 2012, qeveria e Kosovës ka vendosur në prioritetet e politikave të saj, parandalimin e ekonomisë joformale.

Rritet interesi për dorëzim të kuponëve tatimorë

Edhe përdorimi i kuponave tatimorë, nxitet përmes rimbursimit të tyre, ku përfitojnë të gjithë individët që dorëzojnë mbi 30 kuponë dhe mbi 250 euro blerje, jo në formën e lotarisë siç do bëhet tek ne, ku përfitues do jenë disa.

Sipas njoftimeve zyrtare nga Administrata Tatimore e Kosovës, “Mbledhja e kuponëve fiskalë dhe dorëzimi i tyre në Administratën Tatimore të Kosovës për të marrë rimbursimin për to, ka shtuar interesimin e qytetarëve krahasuar me tremujorin e kaluar kur filloi ky projekt dhe është shtuar në masën 141%, njofton Administrata Tatimore e Kosovës”.

“Për periudhën korrik, gusht e shtator janë pranuar 54,104 pliko me kuponë fiskalë nga 56,219 sa kanë aplikuar në ueb faqen e internetit të ATK, ku janë dorëzuar 3,380,894 kuponë. Deri më tani, ATK ka rimbursuar 23,135 qytetarë me shumën 395,855 euro dhe është duke vazhduar të shqyrtojë të gjitha aplikacionet që të rimbursojë mjetet për të gjithë qytetarët, të cilët kanë respektuar procedurat e parashikuara me Vendimin Shpjegues Publik Nr. 02/2015 dhe Fletëpalosjen “Udhëzues për dorëzimin e plikove me Kuponë Fiskalë”- thuhet në njoftim.

Si rrjedhojë e shtimit të kërkesave dhe numrit të kufizuar të stafit që ka, ATK kërkon nga qytetarët që të tregojnë mirëkuptim në procesin e pranimit të rimbursimit.

Suksesi i këtij projekti shihet te ndërgjegjësimi i qytetarëve për të kërkuar kuponin fiskal, si një formë e dhënies së kontributit të tyre për zhvillimin ekonomik të vendit.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), nga data 1 prill 2015, filloi të zbatojë vendimin, sipas të cilit, të gjithë konsumatorët të cilët dëshmojnë marrjen e kuponëve fiskal, do të përfitojnë para.

Sipas ATK-së, bazuar në legjislacionin tatimor, pas çdo shitje konsumatorit duhet t’i jepet dëshmia për mallin apo shërbimin e paguara.

“Sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 1/2015, për të gjithë konsumatorët, që grumbullojnë kuponët fiskal dhe si të tillë i dërgojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, do të aplikohet rimburismi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskal në muajin pasues të çdo tremujori, sipas këtyre kritereve:

Grupi I – Plikot me më shumë se 30 kupon dhe me vlerë të përgjithshme nga 250 euro deri në 500 euro, do të rimbursohen në vlerën 10 euro. Grupi II – Plikot me më shumë se 40 kupon dhe me vlerë të përgjithshme nga 501 euro deri në 800 euro, do të rimbursohen në vlerën 15 euro. Grupi III – Plikot me më shumë se 50 kupon dhe me vlerë të përgjithshme mbi 800 euro do të rimbursohen në vlerën 20 euro”. /Monitor/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura