Ilir Kupa në gjyq: Nuk kthehem i gjallë në Greqi

Jan 29, 2014 | 12:32
SHPËRNDAJE

Ilir Kupa dje në Gkykatë
I arratisuri nga Greqia: S’kam asnjë lidhje me “Babagjyshët”

Gjykata e Tiranës e lë në burg për armëmbajtje pa leje

Ilir Kupa, 27-vjeçari i arrestuar në Tiranë dhjetë muaj pasi u arratis nga Burgu i Trikallas Greqi, “shpërtheu” dje në akuza ndaj shtetit shqiptar. 
Nga kafazi i sallës së gjyqit, ku do të caktohej masa e sigurisë ndaj tij, Kupa kërkoi të mos ekstradohej në Greqi dhe mohoi çdo përfshirje të tij me babagjyshët-grabitës. Ai pranoi vetëm një vepër penale, atë të armëmbajtjes pa leje. Për këtë akuzë, gjyqtarja e gatshme Kaçe Agolli pranoi dje kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Kupen. Nga ana e tij, Kupe pretendoi të mos ekstradohej në shtetin fqinj dhe zbardhjen e rrethanave të vrasjes së tre prej të bashkëarratisurve të tij nga Burgu i Trikallas. Seanca gjyqësore në ngarkim të Kupës u zhvillua në masa të forta sigurie. Largimi i tij nga gjykata për në ambientet e paraburgimit u bë përmes një eskorte automjetesh, ndërsa gjatë seancës, ambientet e gjykatës u mbajtën të rrethuara nga një numër i konsiderueshëm forcash policie.
REBELIMI
Sapo gjyqtarja e gatshme Kaçe Agolli u fut dje në sallën e gjyqit, i arrestuari Ilir Kupe u shfaq në kafazin e hekurt në mes dy punonjësve policie. Ai mbante veshur një bluzë sportive me zinxhir, xhinse dhe një palë atlete të bardha. I shquhej edhe ngjyrosja e flokëve, që sipas policisë e kishte bërë për çështje maskimi gjatë arratisë. Teksa punonjësit e policisë e çliruan nga prangat, Kupe mbante vështrimin nga kamerat e pranishme në seancë. Vetëm pak çaste më pas, me argumentin e konfidencialitetit të seancës së masës së sigurisë, gjyqtarja Kaçe Agolli u kërkoi gazetarëve të pranishëm të dilnin nga salla. Në këtë moment, Ilir Kupe u çua në këmbë dhe duke mbajtur njërin gisht të ngritur, si duke kërkuar leje nga gjykata, tha se “Më falni për një diçka vetëm, mund t’i kërkoj diçka medias”. Përpjekjeve të policëve për ta penguar, Kupa iu drejtua me “mos më prek”. Më pas, duke e nxjerrë njërën dorë jashtë zgarës së hekurave dhe me vështrim nga kamerat, Kupa u shpreh: “Sa për ekstradimin në Greqi, kërkoj më mirë paravrasje nga drejtësia shqiptare, që të jenë t’kënaq edhe shokët e mi që janë vrarë mbrapa kurrizit, që janë masakruar nga 300 plumba secili”. I pyetur nëse do të shkonte në Greqi, Kupa tha se “në Greqi do të shkoj vetëm i vdekur”. Më tej, Ilir Kupa komentoi dyshimet për përfshirjen e tij në grabitjen e katër babagjyshëve në një qendër tregtare në kryeqytet. “Nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj grabitjeje. T’i vijë turp shtetit shqiptar që më akuzon mua për këto gjëra. Nuk kam asnjë lloj lidhjeje me Shqipërinë, asnjë lloj vepre penale në Shqipëri, përveç armëmbajtjes pa leje. Armëmbajtjet pa leje i kam për Interpolin grek dhe jo për ju”, tha Kupa. Pas këtij momenti, seanca gjyqësore vijoi me dyer të mbyllura për median.
AVOKATI
Në përfundim të seancës, përfaqësuesi ligjor i Kupes, avokati Lazer Sokoli, konfirmoi se ende nuk ka një kërkesë për ekstradimin e klientit të tij në Greqi. “Ai nuk ka kryer asnjë krim në shtetin shqiptar. Nuk është person i rrezikshëm në shtetin shqiptar. Këto armë ai i ka mbajtur vetëm për t’u ruajtur përballë forcave speciale greke. Nuk ka një kërkesë për ekstradim”, u shpreh avokati. Më tej, mbrojtësi tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet që Ilir Kupe të hetohet dhe të gjykohet në vendin e tij.

Arrestimi, Kupa mbushi armën ndaj policëve
TIRANE – Prokuroria e Tiranës njoftoi dje se bazuar në materialin kallëzues të ardhur nga Komisariati i Policisë Nr.6 Tiranë, më datë 25.01.2014, rreth orës 01:00, në vendin e quajtur rruga dytësore në fshatin Domje, është vënë në pranga Ilir Kupa. Policia ka qenë duke patrulluar zonën dhe gjatë lëvizjes në rrugën dytësore është konstatuar një automjet i cili po vinte me shpejtësi të madhe në drejtim të tyre. Në këtë moment shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë kësaj makine që të ndalonte ku pasi u afrua, u vu re që ishte një automjet i tipi “Alfa Romeo”, me targa të huaja. Ky mjet nuk ka ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë dhe në këtë moment shërbimet e policisë i janë vënë në ndjekje. Në një kthesë, ky mjet ka dalë nga rruga dhe forcat e policisë janë vënë në ndjekje në këmbë për të bërë të mundur gjetjen e personave që ishin në këtë mjet. Në një distancë rreth 50-70 m, në një terren rural dhe godina të braktisura është parë një person i cili është munduar të largohet me vrap nga forcat e policisë. Policët i kanë bërë thirrje këtij personi që të ndalonte, por ai ka nxjerrë nga brezi një armë duke e mbushur atë. Forcat e policisë kanë thërritur përsëri në drejtim të personit për të ndaluar veprimet dhe ai është bindur. Më pas është bërë e mundur që personi të prangoset, si dhe t’i bëhet një kontroll i tij ku në një çantë që e mbante me vete i është gjetur dhe një armë tjetër brezi pistoletë me dy krehra.

Gruaja e Ilir Kupës: Në Greqi na persekutuan familjarisht
Antoneta Ndoka: Hymë në Shqipëri në gusht 2013

Antoneta Ndoka
TIRANE – Bashkëshortja e Ilir Kupës, Antoneta Ndoka, ka hedhur poshtë akuzat e drejtësisë greke ndaj të shoqit duke thënë se familja e saj është persekutuar në Greqi pas arratisjes së 27-vjeçarit nga Burgi i Trikallas më 22 mars 2013. Në një intervistë për “News24”, Antoneta Ndoka tregoi se ka jetuar në Shqipëri nga gushti i vitit 2013 dhe nuk është ajo që është ndjekur nga policia duke zbuluar vendndodhjen e të shoqit. “Nuk jam unë shkaktarja që është kapur ai, unë nuk e kam kaluar doganën para 8 ditësh, siç thuhet. Unë e kam kaluar doganën më 1 gusht 2013. Përdoren akuza që janë të padrejta ndaj meje. Pasi burri im ka kaluar kufirin pas vdekjes së Marianit, pas 10 ditësh ka kaluar në territorin shqiptar. Më ka komunikuar një person tjetër, që më ka thënë se ai ka arritur. Unë kam ardhur nga Greqia me dy fëmijët, kemi gjetur një shtëpi dhe kemi jetuar bashkë. Qëllimi i vetëm i arratisjes së tij ka qenë të jetonte me mua dhe dy fëmijët, pasi nuk i ka shijuar fare fëmijët”, ka thënë e shoqja e Ilir Kupës. Ajo ka shpjeguar se nga gushti 2013 ka jetuar në Shqipëri me të shoqin. “Ne në Greqi gjatë gjithë kohës na kanë persekutuar. Pas vdekjes së Marian Kolës, policia erdhi më mori mua në shtëpi bashkë me dy fëmijët, më mbajtën 8 orë në shtëpi dhe më kërkonin ku e ke burrin. I thashë unë nuk di asgjë, nëse do marr vesh do të komunikoj me ju”, theksoi Antoneta Ndoka. Ajo shtoi se i shoqi është akuzuar pa fakte, pa dëshmitarë në Greqi. “Ata flisnin për grabitje bankash që nuk ishin të vërteta. Babai i tij është mbajtur në burg katër muaj sepse dyshonin se Fatmir Kupa ishte Ilir Kupa”, pohoi më tej bashkëshortja e të arrestuarit. Ajo tregoi se Ilir Kupa ka emigruar për një jetë më të mirë dhe në moshën 21-vjeçare ata janë njohur dhe kanë sjellë në jetë fëmijën. “Kur u bë çuni katër muajsh, ishte viti 2008, erdhi policia e mori nga krevati. Jetonim afër Athinës në atë kohë. Nuk e morëm vesh asnjëherë, na shkatërruan shtëpinë, morën gjithçka dhe kaq. Bëri 3 vite burg pastaj doli i pafajshëm, por 3 vite burg i bëri”, ka shpjeguar e shoqja e Ilir Kupës. Në lidhje me Marian Kolën, shok i Ilir Kupës i vrarë nga policia greke, ajo tha: E kam dëgjuar burrin tim të flasë shumë për të. Dhe sa herë që fliste për të, i mbusheshin sytë me lot.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura